Berat, Terminali pa vendqëndrim udhëtarësh, viktimë e pazareve të ministrit Haxhinasto 

420
Sigal

Qytetarët që përdorin terminalin, kanë 2 alternativa: të qëndrojnë në diell, pluhur e shi ose të futen brenda kafeneve

Në Berat u bë një përurim i bujshëm i Terminalit të Transportit Rrugor. U bë në sheshin përpara ish-Kombinatit Tekstil, me synimin dhe projektin e madh për të evituar ndotjen dhe shëmtinë e qytetit muze, prej futjes së mjeteve të mallrave e udhëtarëve, duke kthyer qendrën e Beratit në një shesh pisllëqesh, lavazho gjigande, treg bagëtish e qendër zhurmash. Aktualisht furgonët, autobusët, mjetet e transportit e çdo lloj mjeti tjetër (përveç atyre që bëjnë bizneset e pushtetarëve qendror e lokal dhe ato që kanë destinacion Skraparin) ndalen në terminal e nuk lejohen të futen në Berat. Ai që më 17 maj 2014, preu shiritin e përurimit të këtij terminali, ishte ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto. Ky investim kapi vlerën e 650 milionë lekëve, por nuk konkretizoi projektin e një terminali funksional. Çfarë mungon, ose më saktë, çfarë loje abuzimi është bërë me ndërtimin e terminalit të Beratit? Përveç “lajmeve” që dalin nga Ministria e Transporteve, se këtë terminal e ka si biznes vet ministri Haxhinasto, por me administrim publik e të licencuar “në dorën” e tij, terminali nuk ka vendqëndrime verore e dimërore për udhëtarët. Në projekt dhe letrat e investimit këto vendqëndrime figurojnë si të ndërtuar. Por nuk janë ndërtuar realisht. Qytetarët që përdorin terminalin e Beratit, kanë dy alternativa: ose të qëndrojnë në diell, pluhur e shi e të ftohtë, ose të futen brenda kafeneve të shumta, të cilat janë ndërtuar përsëri nga një dorë e ministrit për të shfrytëzuar mungesën e vendqëndrimeve. Thuhet se kjo mungesë nuk është harresë, por qëllim për të favorizuar biznesin e kafeneve e restoranteve të njerëzve të lidhur me “pashallëkun” e “baba” Edmond Haxhinastos që e ka kthyer ministrinë në qendër biznesi edhe me fshesat, legenët dhe leckat e pastrueseve…