Beqja, Gjiknuri e Haxhinasto rekord, mbi 10 mijë denoncime nga qytetarët!

537
Kanë kaluar 50 ditë nga nisma e qeverisë “Rilindja” për denoncimin “on-line” të rasteve të korrupsionit me informim elektronik. Sipas “postës” anti-korrupsion, e cila simbolikisht ishte kompozuar si një tastierë telefoni, në formë dritarjeje qelie, për të dhënë mesazhin “krim-ndëshkim”. Ndërsa destinacioni i denoncimeve ishte menduar të funksiononte në formën e një “trekëndëshi” informues, duke shkuar paralelisht tek kryeministri, ministrat e linjës dhe tek personat përgjegjës. Për çdo denoncim të bërë (siç u tha) përgjigja do të jepej brenda 30 ditëve nga momenti i dërgimit. Gazeta “Telegraf” u interesua për të mësuar se sa dhe si ka funksionuar ky model anti-korrupsion.
“Thesi” i postës anti-korrupsion, 50 ditë pa hapur
Kanë kaluar 50 ditë nga nisma qeveritare dhe “thesi” i postës anti-korrupsion nuk është hapur akoma. U caktua afati 30 ditë për përgjigje të çdo rasti denoncimi dhe për masat konkrete. Sot, kanë kaluar 50 ditë, që prej 2 shkurtit 2015 kur “posta anti-korrupsion” u shpall se filloi komunikimin me qytetarët, biznesin dhe cilindo që cënohej nga shërbimet shtetërore. Në kryeministri, në departamentin anti-korrupsion, nuk na dhanë asnjë përgjigje ose më saktë na thanë: “Bëjë një kërkesë me shkrim për informacion, se kështu është rregulli i informimit”. 
Faktikisht, sipas burimeve tona brenda zyrave ku dërgohen denoncimet, që prej datës 2 shkurt 2015, kur kryeministri Rama inicioi këtë model të komunikimit publik anti-korrupsion, kanë mbërritur shumë denoncime për çdo sektorë shërbimi, ministra, krerë bashkie e komunash, zyra e shefa policie, drejtori shkollash, spitale, dogana, tatime, institucione e çdo zyrë që ka lidhje direkt dhe të ngarkuar me problemet e përditshme të qytetarëve. Por këto denoncime janë ngujuar brenda “kutisë” së postës anti-korrupsion dhe nuk po trajtohen, nuk po kthehen përgjigje. 
Për ta testuar se sa reale dhe serioze ishte kjo nismë qeveritare, gazeta “Telegraf” ka bërë në këtë linjë 67 denoncime në datat 3-6 shkurt 2015, për fakte konkrete korrupsioni e abuzimesh të ministrave, deputetëve, drejtorëve e nëpunësve të zyrave e të shërbimeve të shtetit. Por deri sot, pas 50 ditësh, nuk na ka ardhur asnjë përgjigje as shkresore e as elektronike brenda 30 ditësh, siç e ka afatin “posta anti-korrupsion”! Psh, përgjigja e fundit e denoncimeve tona, sipas afatit duhej të na kishte ardhur në datën 6 mars 2015, por nuk ka ardhur as sot pas 18 ditësh! 
Pyesim: Përse u hap kjo postë, apo për shou? Se po jetë hapur për demagogji në luftën anti-korrupsion, nuk ishte e nevojshme, mbasi 20 linja të tilla “komunikimi anti-korrupion” hapi dhe ish-kryeministri Berisha në 8 vitet e dy qeverisjeve të tij të “duarve të pastra” 2005-2013, por denoncimet e popullit për korrupsionin dhe krimet, hynin nga telefoni i postës anti-korrupsion dhe dilnin nga… citofoni i kryeministrisë! 
Kujtojmë që këtë nismë e publikoi në datën 17 dhjetor 2014 edhe ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, i ngarkuar prej kryeministrit Rama, si Koordinator Kombëtar për Anti-korrupsionin në Shqipëri”, në bashkëveprim me Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal (RÇ) dhe Nismën Rajonale për Anti-korrupsion. Ky projekt anti-korrupsion, kushtoi 638 mijë euro dhe u financua nga Ministria e Marrëdhënieve me Jashtë dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim, me ekspertizën e Shkollës Italiane të Administratës Publike.
Në 50 ditë/ Ja klasifikimi numerik i denoncimeve dhe ankimeve të bëra për çdo ministër
Burime të “Telegraf” nga Departamenti Anti-korrupsion në Kryeministri, atje ku bëhet përpunimi përfundimtar i denoncimeve të dërguara nga qytetarët, na konfirmojnë se ka pasur shumë denoncime e ankesa për ministra, deputetë të mazhorancës, për drejtorë shkollash, drejtorë arsimi, për zyra shërbimi policor, për drejtues policie, për kryetarë bashkie e komunash, për prefektë e kryetarë këshilli qarku, për mjekë e shefa spitalesh, madje edhe për mësues e kryepleq zonash. Po kështu janë dërguar mijëra denoncime për shërbimin doganor, për shërbimin në porte, në kufirin tokësor e detar, për tatimet dhe shërbimin e transportit ajror. 
Fluksi i denoncimeve është për korrupsionin dhe padrejtësitë në dogana, tatime, shëndetësi, arsim, polici, ushtri, diplomaci. Sot po publikojmë një klasifikim, sipas numrit të denoncimeve që janë bërë për ministrat dhe ankimeve që u janë drejtuar ministrive për shërbimet dhe drejtuesit, në vartësi të tyre
• LIR BEQJA, 11.987 denoncime, 34.570 ankime.
• DAMIAN GJIKNURI: 10.245 denoncime, 16.570 ankime.
• EDMOND HAXHINASTO: 10.114 denoncime, 14.458 ankime.
• LINDITA NIKOLLA: 7754 denoncime, 26.570 ankime.
• SHKËLQIM CANI: 7318 denoncime, 7310 ankime.
• DITMIR BUSHATI: 6161 denoncime, 9570 ankime.
• MILENA HARITO: 5906 denoncime, 11.570 ankime.
• MIRELA KUMBARO: 5812 denoncime, 12.430 ankime.
• EGLANTINA GJERMENI, 5763 denoncime, 9570 ankime.
• ERION VELIAJ: 4582 denoncime, 27.843 ankime.
• MIMI KODHELI: 3876 denoncime, 7599 ankime.
• SAIMIR TAHIRI: 1446 denoncime, 17.890 ankime.
• ARBEN AHMETAJ 53 denoncime, 1645 ankime.
• BLEDAR ÇUÇI: 13 denoncime, 1570 ankime.
• ERMONELA FELAJ: 1 denoncim, 1 ankime.
Deklaratat e bëra nga ministrat në ditën e hapjes së “Posta antikorrupsion”
EDI RAMA: “Na vini në provë, vullnetin dhe seriozitetin tonë dhe efikasitetin për të luftuar krah për krah me ju individualisht dhe për të mos qenë vetëm në betejën kundër korrupsionit.
NIKO PELESHI: Të vihemi me front të gjerë, në ballë të luftës kundër korrupsionit, kjo na nderon si qeveri dhe si pjesëtar të komunitetit që na ka votuar.
ILIR BEQJA: Do ndihem shumë mirë, nëse më njoftoni për çdo rast korrupsioni. Kjo është një nismë historike, që ne do ta kthejmë në betejën përfundimtare, për të shporrur korrupsionin në shëndetësi e në çdo njësi shërbimi të administratës.
DAMIAN GJIKNURI: Jo se nuk po e luftojmë korrupsionin në ministrinë tonë, por nuk kemi dëgjuar raste, madje pyes përditë vartësit nëse kemi korrupsion dhe nuk kam dëgjuar raste. Gjithsesi kjo është një metodë efikase për të pastruar këtë të keqe që pengon zhvillimin e shoqërisë dhe integrimin.
EDMOND HAXHINASTO: Nuk duhet manifestuar asnjë tolerancë kundër korrupsionit, synimi ëhstë të bëhemi bashkë për ta luftuar më fortë e me thellë këtë fenomen anti-ligjor.
LINDITA NIKOLLA: Kam shumë nevojë për zërin denoncues. Përmes kësaj dritareje anti-korrupsion, fillon puna ime për t’i shkuar deri në fund denoncimeve që do bëni ju, ju jeni energjia jonë, për luftën kundër korrupsionit në arsim e kudo.
SHKËLQIM CANI: Ato që kisha ndërmend t’i thoshja unë, i tha zv/kryeministri Peleshi, unë mendoj të jemi në ballë të luftës kundër korrupsionit.
DITMIR BUSHATI: Është një dritare, që do nis veprimin edhe në diplomaci, për t’i prerë rrugën çdo rasti korrupsioni, sidomos në diplomaci, ndërsa në administratën e ministrisë, duhet thënë se janë vetë zyrtarët që e luftojnë korrupsionin mes njeri-tjetrit, me denoncimet e tyre.
MILENA HARITO: Ta nisim njëherë, pastaj të shikojmë rezultatin, por vlerësoj se është një lëvizje reale kundër korrupsionit. Ta luftojmë!
MIRELA KUMBARO: Janë modele që kanë pasur sukses edhe në botë, ne tashmë kemi një shoqëri vibrale që di të luftoj korrupsionin, jemi gati për mbështetje.
EGLANTINA GJERMENI: Portali anti-korrupsion është një dritare prej nga mund të shikojnë çdo rast korrupsioni edhe brenda vetees, mbasi me thënë të drejtën, duke na sinjalizuar reagojmë edhe vetë, në rastet kur nuk e kuptojmë se na kanë futur korrupsion.
ERION VELIAJ: Performanca jonë idealiste e permanente anti-korrupsion, i ka dhënë frytet e veta, tashmë duhet të provojmë performacën dhe vigjilencën aktive të shqiptarëve për të na ndihmuar në luftën kundër këtij çibani me emrin e shpifur korrupsion. Presim denoncime!
MIMI KODHELI: Ushtria i ka dhënë provat e luftës kundër korrupsionit, me denonciemt që ka bërë, gjithsesi, nëse dikush di diçka le ta informojë dhe ne do ta luftojmë pa asnjë neglizhencë.
BLEDAR ÇUÇI: “Ka një burokraci që dekurajon qytetarët për të denoncuar, shumë denoncime humbasin në zyrat qeveritare, pa dhënë asnjë përgjigje. Portali të çon në një rrugë të sigurt, se rasti i korrupsionit do të ndiqet nga institucionet. Për 30 ditë do të ketë përgjigje për qytetarin”
ERMONELA FELAJ: Jam shumë dakord me të gjithë parafolësit!
Sigal