Ben Blushi/ Të votojë Dibra majtas, njësoj si Greqia të votojë masivisht Merkel

434
Sigal


Varfëria e
provincave turke e mban në këmbë regjimin e Erdoganit në qeveri


Deputeti socialist
Ben Blushi bëri një analizë të fitores së PS në Dibër. Nga foltorja e Kuvendit,
Blushi tha se të votojë Dibra majtas është njësoj se Greqia të votojë masivisht
Angela Merkel. Sipas socialistit, fitorja e PS në Dibër është e pamerituar,
ndërsa tha se humbjen e PD e ka shijuar gjithmonë.

 

 

Ka shumë mendime
për Dibrën dhe siç pritej palët ndahen në dy pjesë, njëra e gëzuar, njëra e
mërzitur. Unë nuk jam as i gëzuar dhe as i mërzitur për Dibrën në fakt jam i çuditur,
sepse si njeri që beson se rritja e votave në territor vjen për shkak të punës,
investimeve, për shkak të modelit progresist që krijon një qeveri apo në një
pushtet lokal, vjen për shkak të rritjes së ekonomisë. Jam përpjekur për këto
arsye, nisur nga ky besim për të kuptuar se kush ishin arsyet që diferenca në
Dibër u dhjetëfishua brenda një viti. Kush ishte ky sarbator që krijoi këtë
diferencë. Çfarë ndodhi në Dibër që nga 400 vota diferencë për një vit u bënë 4
mijë. Janë shtuar vendet e punës, është shtuar mirëqenia, ka më shumë
investime, mbaroi rruga e Arbërit, u rritën pensionet? Çfarë ndodhi pra? Fitoi
Muharrem Rama. Duke na habitur, unë e uroj për fitoren, duke na hapitur me
aftësitë e tij prioelektorale, duke ndezur një zjarr që do të duhej 10 vjet për
ta shuar në Dibër. Apo fitoi Edi Rama që i bindi dibranët se pa Dibrën ai nuk e
bën dot Shqipërinë dhe pa “Rrugën e Arbërit” Ballkani nuk mund të jetë një
territor i kalueshëm Europian. Çfarë ndodhi në Dibër që nuk po e shpjegojmë
dot?!

Një palë që është
PD ka variantin e vet, por që nuk është i besueshëm. Ata kanë humbur dhe unë
isha i bindur që do humbnin. Humbja e PD nuk më intereson, për të mos thënë që
gjatë gjithë jetës më ka shijuar. PD meriton të humbi si një grup politik i
pamotivuar dhe i pavotueshëm. Ajo që më shtyn të merrem me Dibrën nuk është
humbja e PD, është fitorja e pamerituar e qeverisë. Edhe  vetë “Rilindja” që foli sot gjithë ditën për
Dibrën e ka të vështirë ta shpjegojë se çfarë ndodhi në Dibër. Nuk dëgjova
asnjë të thoshte që Dibra votoi reformat.

Sipas PD aty janë
blerë votat. Unë them se kjo është e pamundur, sepse me gjithë blerjet e
zgjedhjeve tona është e pamundur të blesh 4 mijë njerëz. Si ka mundësi që me
këtë diferencë votash “Rilindja” mundi tre kundërshtare, PD që ishte në
fushatë, LSI që nuk ishte në fushatë dhe të gjithë ata njerëz që ankohen për
cilësinë e qeverisjes që janë çdo ditë në fushatë.

Çfarë magjie ishte
kjo që nga 400 vota në 4 mijë vota?

Për ta shpjeguar po
ju marr një rast në Itali. Do mblidheshin të gjitha mendjen e ndritura të
Italisë për ta shpjeguar nëse Bolonja, një qytet tradicional i të majtës, do të
gdhihej një ditë dhe do të votonte të kundërtën për të djathtën. Ose çfarë do
të ndodhte nëse Milano ka gjithë jetën që voton për të djathtën gdhihej një
ditë pesëfish më shumë vota për të majtën. A e ka Dibra këtë aftësi për të
thyer çdo ligjësi elektorale. Të besosh që Dibra voton majtas është njësoj si
të besosh se grekët mund të votojnë sot masivisht Angela Merkel.

Unë e kam një ide,
pavarësisht se duket e vështirë se çfarë ka ndodhur në Dibër. Dibranët nuk kanë
votuar për të djathtën, nuk kanë votuar as për të majtën, dibranët kanë votuar
për qeverinë. Dibra tregoi se prej kohësh diçka që ne nuk e fshehim dot më,
populli nuk do të votojë kundër qeverisë, kushdo qoftë ajo. Populli do ta ketë
mirë me qeverinë, çka është një bjerje e pritshmërive dhe e shpresës në fakt.
Populli i Dibrës nuk votoi nga inati se nuk ka, por nga frika se mund të humbi
edhe atë që ka. Dibra sot është krahina më e varfër e Europës. Asnjë fshat
rumun nuk prodhon dot kaq shumë varfëri sa ka Dibra, por varfëria nuk i çoi
dibranët në inat dhe mllef, por i çoi në pajtim, në frikë. Ata mendojnë se duke
votuar kundër qeverisë mund të humbin edhe atë pak që kanë. Dhe kushdo që ka
besuar se varfëria dhe mjerimi në çdo vend është aleati kryesor i qeverisë, ja
ku e ka provën, Dibra është prova që shkëlqen, ta marrim dhe ta futim në manual
zgjedhor, varfëria e provincave turke e mban në këmbë regjimin e Erdoganit në
qeveri.