Ben Blushi: Shqipëria po qeveriset nga paaftësia, feja mbush vakumin e shtetit

441
Sigal

Situata politike, deputeti socialist në Elbasan, i ashpër me Ramën

Deputeti socialist, Ben Blushi i pranishëm në qytetin e Elbasanit, ka qenë mjaft i ashpër në kritikat e tij ndaj Kryeministrit Rama. Blushi njihet si zëri i vetëm brenda PS-së, që asnjëherë nuk ka mbajtur qëndrime oportuniste dhe ka kritikuar vazhdimisht format dhe metodat e qeverisjes së Ramës dhe ministrave të tij. Gjatë prezantimit të librit “Hëna e Shqipërisë” në Elbasan, deputeti Blushi u shpreh se: “Shqipëria po qeveriset nga paaftësia dhe kjo gjë duhet të marrë fund, Shqipëria nuk ka kohë asnjë ditë të vetme për të humbur në udhëtimin e saj drejt Europës”. Duke folur për realitetin politik dhe shoqëror, Ben Blushi theksoi se: “Shqipëria është një vend, ku nuk zbatohet ligji dhe është më e pabarabartë se 5 vite më parë, kam qenë dhe do të jem gjithmonë një kundërshtar i papajtueshëm me situatën e krijuar nga paaftësia e kësaj qeverisje”. Ndërsa, përsa i përket çështjes së fesë ai u shpreh se: “Vakumi i lënë nga shteti po mbushet nga feja, nuk kam asnjë paragjykim për fetë, por dua të them se, në disa zona shteti nuk ekziston, vakumi i lënë nga shteti po mbushet nga feja, duhet që shkalla e fetarizmit të mos rritet, nuk është mirë. Ky fenomen po ndodh në Turqi dhe Arabi, ne jemi për demokraci dhe jo teokraci”. Deputeti i Partisë Socialiste Ben Blushi, nga qyteti, ku ai është i zgjedhur nuk ka ndalur me kritikat drejtuar qeverisë. Blushi tha se, Shqipëria po qeveriset nga paaftësia, ndërsa për zhvillimet e fundit deputeti i PS-së tha se: “Në vendin tonë nuk zbatohet ligji dhe gjendja është më shqetësuese se 5 vite me parë dhe kjo situatë nuk mund të tolerohet më”. Blushi komentoi, gjithashtu, edhe problemet sociale si, varfëria e papunësia dhe duke u ndalur tek Elbasani, ai tha se: “Ky qytet meriton më shumë pasi ka kontribute të mëdha për fitoren e PS në 23 Qershor”. Ndërsa, duke u ndalur në komentet e tij për fenë, deputeti tha se, vakumi që nuk po e mbush dot shteti po e bënë feja. Këto deklarata deputeti i PS-së, i bëri nga qyteti i Elbasanit, ku  u prezantoi qytetarëve librin më të fundit të tij “Hëna e Shqipërisë”. Duke iu referuar botimit, por pozicionimit të fesë në vend Blushi tha se: “Unë e kam deklaruar mendimin tim për fenë dhe nuk i lëviz asgjë deklaratës time”. Baza socialiste e Elbasanit, njihet si mbështetëse e fuqishme e Ben Blushit, po ashtu edhe shumica e strukturave të degës lokale dhe drejtuesve të emëruar.