Ben Blushi në kuvend: Rilindja ka ngordhur!

454
Deputeti Ben Blushi, kryetar i LIBRA ka deklaruar nga foltorja e Kuvendit se Rilindja po bie dhe se në këto momente Edi Ramës i dridhen duart.

“Shpresoj që gjysma e qeverisë nuk ka ardhur me fjalime të gatshme kundër tij, se njeriu që sot duhet t’ja shkruante fjalimet po i dridhej dora dhe ministrave po u merret zëri, pas dy javësh shumica nuk do jenë aty ku janë. Rilindija po bie”.

Më vjen mirë që para dy vitesh shpalla funeralin e Rilindjes, mori dy vjet për të ardhur në këtë ditë. Kanabistët dhe krenaristët që ishin dy shtyllat e Rilindjes e bënë pjesën e mbetur të funeralit, disa ikën në drejtim të paditur, disa në burg, disa në drejtim të burgut, këta krenaristët nga idiotësia u shpërndanë duke lënë Rilindjen vetem.

Ajo është e ngordhur, pa frymë dhe gati për ta varrosur publikisht, për ata që nuk e kuptojnë, po e shpjegoj.

Mendoni sikur jemi në një pyll dhe aty hyn një bishë e uritur e tërbuar, që vetëm do të hajë e kafshon, nuk ka mend, as eksperiencë, kjo ishte Rilindja, kishte vetëm oreks, jo mend, jo ide, jo pasion, jo shpirt dhe kjo është arsyeja që sot kafshët e pyllit janë mbledhur për ta vrarë e zbuar, rrugë tjetër nuk ka duhet të heqim Rilindjen qafe që të shpëtojmë vendin”.

Blushi tha se nuk do të bojkotojë asnjë palë zgjedhje. Edhe nëse mbahen në 18 qershor tha Blushi, LIBRA do të hyjë në zgjedhje.

“Nëse PD nuk hyn në zgjedhje Rama do perfundoje me të paktën 80 mandate, dhe s’ka nevojë për askënd për të qeverisur dhe është totalisht jashtë kontrollit. Nëse LSI nuk hyn në zgjedhje Rama përfundon me 100 mandate, dhe askush në këtë republikë s’mund ta kushtëzojë më, madje mund të ndryshojë Kushtetutën e Shqipërisë duke e kthyer në një republikë si ajo e Erdoganit.

Marrëzinë e Ramës s’mund ta ndryshonim dot më”, tha Blushi.
Sigal