Ben Blushi, letër për qytetarët: Më shkruani sesi ta bëj partinë e re

379
Sigal

 

Ish­ deputeti i
Partisë Socialiste, Ben Blushi u ka drejtuar një thirrje përmes Facebook të
gjithë qytetarëve që t’i shkruajnë mendimet e tyre për partinë e re që do
krijojë. Ai iu kërkon qytetarëve të shprehin mendimet e tyre se çfarë do të
donin nga një organizatë politike, si duhet të jetë ajo dhe cilat shtresa duhet
të mbrojë.

 

Statusi i plotë
i Blushit

 

Prej disa
muajsh, bashkë me shumë kolegë dhe qytetarë nga e gjithë Shqipëria, po
përpiqemi për krijimin e një Projekti të ri politik. Ne duam t’i japim vendit
një mjet më shumë në luftën kundër varfërisë, padrejtësisë dhe pabarazisë. Ajo
që ëndërrojmë është një platformë lirie, e cila bashkon qindra mijëra vullnete
njerëzish të zakonshëm, duke u krijuar atyre hapësirën e duhur për modernizimin
e Shqipërisë. Deri më sot kemi patur parti, por nuk kemi patur platforma lirie.
Kemi patur lëvizje, por nuk kemi patur zhvillim. Kemi patur mendim, por nuk
kemi patur ide. Kemi patur pluralizëm, por nuk kemi patur demokraci. Ne, një
grup shqiptarësh të lirë, kemi vendosur të krijojmë diçka që nuk e kemi patur.
Një projekt politik njerëzish të barabartë, që nuk shkojnë pas një njeriu, por
pas një ideje. Duke ju kërkuar të bëheni pjesë, ju ftoj të gjithëve ta krijojmë
bashkarisht këtë Projekt.

Secili është i
lutur të më shkruajë: Çfarë do donit nga një organizatë politike? Si duhet të
organizohet ajo? Cilat shtresa duhet të mbrojë? Në çfarë pikëpamjesh duhet të
bazohet? Si mund të vetëkorrigjohet? Çfarë marrëdhëniesh duhet të ketë me
partitë e tjera? Kush duhet të jetë pjesë e saj? Kush nuk duhet të jetë në
asnjë rast pjesë e saj? Nëse doni të krijoni një shtëpi të re, besoj se kjo
është dita për të skicuar arkitekturën e saj. Nëse e keni për herë të parë, aq
më mirë! Do të thotë se jeni më të përgatitur. Por edhe nëse nuk është hera e
parë, prapë shumë mirë. Projekti ynë politik do të jetë një Shtëpi e hapur për
të gjithë, për të gjithë ata që duan të shohin atë çfarë vjen dhe jo atë që ka
ikur. E shkuara vlen vetëm kur përdoret nga e ardhmja!