Ben Blushi/ Koha për të rrëzuar “Rilindjen”

454
Meqë për shumë vjet kam qenë gazetar kam mësuar një gjë: e vërteta del duke e kërkuar. Kjo mu kujtua edhe dje, ndërsa ndiqja lajmet për referendumin dhe mënyrën sesi ato po jepeshin on line. Të gjithë televizionet ishin përqendruar tek vitrina e referendumit në qendër të Tiranës, ku votues mbi bastun u thoshin vajzave mbi mikrofon se ata po votonin me bindje që Edi Rama të vazhdonte të ishte Edi Rama. Nuk pashë asnjë kronikë tjetër. Asnjë lajm nga fshatrat apo nga zonat e tjera të vendit, asnjë njeri që votonte dhe asnjë proces numërimi. Meqë ra fjala, a ka ndonjë televizion që ka marrë pjesë në numërim dhe hapje kutish? Asnjë deri tani. Këto janë votimet e para në Shqipëri, nëse mund të quhen votime, ku nuk ka asnjë dëshmi nga procesi i numërimit. Nuk dihet se si është votuar nëpër fshatra, çfarë ka ndodhur me listat, kush ka marrë pjesë në votim, sa të sigurta kanë qenë kutitë e votimit, pra asnjë gjë tjetër. 

Vartësit e Edi Ramës numëronin votat e Edi Ramës. Dy ditë më parë këtë referendum e kisha quajtur “PARAMA PAPERS”, që do të thotë një proces politik jashtë kontrollit, që në gjuhën e financave quhet off shore. Pa taksë. Taksa e kontrollit mbi referendumin dje ishte zero. Ishte një referendum pa taksë lirie. Me sa duket kisha të drejtë që e përçmova si një grabitje. Fishekzjarret më provuan se ankthi i njeriut që e sajoi referendumin paska qenë më i madh se manipulimi i procesit, më i rëndë se pesha e kutive të mbushura dhe më i gjatë se lartësia e zjarrvënies. Vetëm në Panama mund të festohej nga bashkia e kryeqytetit një referendum partiak. Por meqenëse mediat e Tiranës e kanë marrë të mirëqenë se dje ka fituar Edi Rama dhe kam humbur unë, pa u marrë fare me cilësinë dhe mënyrën e administrimit të këtij refendumi, madje duke e marrë të mirëqenë këtë votim, më kanë bërë thirrje sot të largohem nga PS, pasi humbja paska qenë kaq e thellë, sa për mua nuk ka më vend në atë gropë, që sipas tyre është PS, dua të them nja dy tre të vërteta për të gjithë. Në këtë referendum, unë nuk isha. Që në fillim nuk kam qenë dakord me këtë sajesë që kishte vetëm një synim: të më hiqte të drejtën e kandidimit. Ky ishte një referendum kundër meje, çka e them pa modesti. Nuk jam autori i tij, por isha qëllimi i tij. I bindur se Edi Rama kishte frikë nga gara, e lashë vetëm me vartësit e tij të cilët bënë listat, i ndryshuan, i hartuan, i hëngrën dhe i kafshuan sikur të ishin copa dhjami mbi një tryezë të kalbur. Ky referendum ishte në kundërshtim me statutin e PS, i cili kërkon që të mbahen zgjedhje për kryetarin e PS një herë në 4 vjet. Ky referendum u krye në kundërshtim me Kodin Zgjedhor të PS, sipas të cilit referendumet nuk mbahen dy muaj para dhe dy muaj pas Kongresit. Në këtë referendum nuk pati palë, pasi palës që teorikisht e kundërshtonte nuk i njohën fushatën, vëzhguesit, numëruesit dhe kontrollin mbi listat. Pyetja është pse? E thjeshtë: për ta grabitur dhe për ta manipuluar siç edhe ndodhi. Për të shitur një fishekzjarr si zjarr. Kam qindra mesazhe nga socialistë në gjithë Shqipërinë që nuk kanë votuar dhe që dëshmojnë se sidomos në fshatra nuk është votuar fare. Në shumicën e komunave kutia e votimit është qarkulluar nga një fshat në tjetrin duke u shkuar njerëzve nëpër shtëpi. Ky referendum ishte bosh si një kioskë ambulante e falimentuar. Ai nuk shiste fiq, por blinte nënshtrim.

 Sa për dijeni referendumi ka patur kuti votimi vetëm në qendrat e komunave të vjetra që kemi patur. A beson njeri se socialistët nga fshatrat e thella kanë shkuar të votojnë në qendrat e komunave që në shumë raste janë mbi një orë larg? Jo vetëm dyshoj, por e di që nuk kanë shkuar. Ata nuk kishin pse të shkonin në një votim rezultati i të cilit dihej. Edhe pas referendumit, Edi Rama do ishte sërish Edi Rama. Po aq i vjetër dhe démodé dhe po aq frikacak sa ç’ishte edhe një ditë më parë. E për çfarë duhet të harxhonin karburant dhe kohë për Edi Ramën kundër Edi Ramës, i cili dje nuk ka vlejtur as sa dyqind lekë nafte në serbatorin e socialistëve? Nëse siç pretendohet, në referendum kanë marrë pjesë mbi 90 për qind e listës së votuesve, kjo i bën socialistët një racë e panjohur votuesish deri më sot, dhe dua ta them pse. Në dy zgjedhjet e fundit të vitit 2013, parlamentare, dhe 2015, lokale, shqiptarët kanë shkuar në votime në masën 54 dhe respektivisht 49 për qind. Kjo do të thotë se socialistët shqiptarë votojnë më shumë për një referendum pa kuptim se sa për deputetët dhe kryetarët e tyre të bashkive të cilët nga shifrat del se i votojnë më pak. Nëse kjo është e vërtetë deputetët dhe kryetarët e bashkive që dje kanë numëruar votat dhe kanë mbushur kutitë duhet të skuqen dhe të fusin fishekzjarrët në akull. Sipas të dhënave që më kanë ardhur nga gjithë Shqipëria më rezulton se në referendum nuk kanë marrë pjesë më shumë se 40 për qind e listës. 



Organizatorëve iu takon të provojnë se nuk është kështu duke bërë publike procesverbalet e votimit dhe natyrisht duke hapur kutitë. Unë nuk do them hap kutitë ose largohu, por do them hap kutitë ose turpërohu! Për të gjithë ata që sot besojnë se në këtë referendum paskam humbur dua tu them një gjë: Askush nuk humb lirinë nga një grabitje. Dhe sidomos nga një grabitje publike që ndodhi në ekran. Aq më pak unë. Ky referendum më bindi se në Partinë Socialiste nuk lejohet më votim. Kjo ka ndodhur për shtatë vjet me radhë. Kjo ndodhi në Kongres, kur nuk u votua për asgjë, përveçse me dorën lart dhe kjo ndodhi edhe dje kur kutitë u mbushën. Megjithatë sot jam njeriu më i kënaqur dhe njëkohësisht më i trishtuar në Shqipëri dhe dua të shpjegoj pse: Jam i kënaqur, sepse vetëm me një fjali e detyrova “Rilindjen” të futej në kuti. Kosto më të vogël për të provuar një të vërtetë nuk kisha paguar kurrë. Duke thënë se do kandidoj për kryetar të PS, e nxita “Rilindjen” të armatoste disa mijëra vetë, duke u dhënë atyre kuti, makina, bankina, lista, kanistra, lapsa, hapsa, goma, dhoma, karrige, tavolina, kartolina, kartona, butona, hudhra, kudhra, karota, rrota, fiq, pika, thika dhe pistoleta, zjarre dhe fishekzjarrë, me të cilët menduan se më kanë goditur dje. Por kjo ishte e vetmja mënyrë për t’i treguar Shqipërisë se nga kush drejtohet. Dhe besoj se Shqipëria më kupton. Dhe më mirëkupton. Kjo ishte e vetmja mënyrë për t’u provuar shqiptarëve se liria ka një çmim që ata duhet ta paguajnë, që ta kenë. Kjo ishte e vetmja mënyrë për të vërtetuar se “Rilindja” është dhe ka qenë një lavatriçe e mediokritetit dhe e shëmtisë në këtë vend. Çka më trishton. Më trishton kur shoh se si një parti është futur në lavatriçen e “Rilindjes” për të pastruar rrobat e Funeralit të vet. Për të gjithë ata që besojnë se unë kam humbur, kjo është përgjigja ime: Sot nuk kam humbur asgjë. Sot kam fituar lirinë time. Dhe kjo vlen më shumë se çdo referendum. Dhe më shume se çdo parti. Liria ime nuk futet në lavatriçe, sepse nuk ka nevojë të pastrohet. Pas shumë vitesh do kem rast të qesh, duke treguar shakanë time të plotë. Por deri atëherë kam shumë gjëra për të bërë. Do t’i tregoj Shqipërisë, se nuk është koha për ta përçmuar “Rilindjen”, por për ta rrëzuar!
Sigal