Ben Blushi: Ju u larguat, se nuk ka qeverisje në Shqipëri

423
Shkrimtari dhe deputeti, Ben Blushi promovoi në Athinë mes emigrantëve shqiptarë librin e tij më të fundit, “Kandidati”. Libri u prit me një interes të veçantë nga të pranishmit. Të pranishmit ishin intelektualë kryesisht shkrimtarë, poetë, artistë, mësues dhe studentë që punojnë e jetojnë në Athinë. Blushi duke folur mbi librin “Kandidati” theksoi se ky libër nuk është fantazi po një realitet i hidhur që jetojmë përditë në Shqipëri. “Ky libër sigurisht që nuk është fryti i fantazisë, është fryt i Shqipërisë që kemi sot. Ai u është drejtuar të pranishmëve me pyetjen; ju, pse jeni larguar nga Shqipëria? Se mungonte, uji, deti, dielli, pasuria natyrore, vendi? Jo, ju keni ikur se Shqipëria është qeverisur keq, është qeverisur keq nga kandidatë si këta që po shkruaj unë”. Ndër të tjera ai theksoj se Shqipëria është vendi i dytë në Europë pas Norvegjisë për sa i përket prodhimit të energjisë elektrike, por jemi vendi i fundit në Europë që s’kemi drita. Shqipëria është vendi që ka naftë më shumë se çdo vend tjetër në Europë, por nafta është më e shtrenjtë se në Greqi, duke lënë të nënkuptohet se Shqipëria ndodhet në një gjendje të vështirë dhe problematike, ku kjo gjendje dhe keqqeverisja po i largojnë shqiptarët nga Shqipëria, dhe kjo do të vazhdoj derisa ne të vazhdojmë të votojmë kandidatë të vdekur. Prandaj u detyrova të shkruaj librin Kandidati”. Gjatë bashkëbisedimit me lexuesit veç pyetjeve rreth librit, Blushi është detyruar tu përgjigjet edhe pyetjeve që kanë të bëjnë me situatën dhe zhvillimet politike në Shqipëri. ‘Kanditati’ i Blushit më shumë se sa një vepër letrare u vlerësua si një realitet i politikës shqiptare, ku u kërkua zhdukja e këtij fenomeni të shëmtuar për ti hapur rrugë demokracisë dhe respektimit të të drejtës për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur. Blushi ka zhvilluar një takim në ambientet e Federatës së Shoqatave Shqiptare, si dhe ka vizituar klasën e mësimit plotësues të gjuhës shqipe ku po zhvillohej një orë mësimi me fëmijët e emigrantëve shqiptarë. Përfaqësuesit e emigrantëve kanë shprehur pakënaqësitë për politikën dhe qeverisjen 25 vjeçare të Shqipërisë. Mësohet se ata i kanë parashtruar deputetit socialist Blushi, një sërë problemesh që shqetësojnë komunitetin shqiptar në Greqi, siç është mësimi i gjuhës shqipe për fëmijët e emigrantëve, e drejta e votës për të votuar në vendet ku punojnë e jetojnë, krijimi i strukturave qeveritare për emigracionin, si dhe pastrimi i kuvendit të Shqipërisë nga gjuha e rrugës, e banalitetit dhe dekriminalizimin e tij.
Sigal