Ben Blushi e përjashtoi nga Partia, Mimoza Hafizi: Shihemi në gjyq!

723
Sigal

Ish-deputetja Mimoza Hafizi, bashkëthemeluesja e partisë LIBRA, pas ndarjes nga Partia Socialiste ka rrëfyer për “GSH” të vërtetën e marrëdhënieve me Ben Blushin.

Sipas saj, “kryetari i LIBRA-s përdori mandatin që i dhanë një vit më parë për të bllokuar organet legjitime të kësaj organizate, duke i zëvendësuar me grupe njerëzish pa mandate”.

Hafizi tregon se Blushi e ka përjashtuar atë dhe disa anëtarë të tjerë nga bërthama dhe madje ajo është kërcënuar edhe me proces gjyqësor.

“Këtë të diel, në fakt, z. Blushi ka krijuar një parti tjetër, me 70 anëtarë, partinë e re me emrin Çeta-Libra. Ajo është një çetë që ka grabitur vetëm vulën e organizatës, por nuk mbart dot mbi vete as frymën e as kauzën e saj politike”,-tha Hafizi.

Znj. Hafizi, pas zgje-dhjeve të 25 qershorit u duk se u përqendruat më shumë në punët tuaja si fizikane, por javët e fundit publiku ka vënë re se ju i jeni rikthyer tashmë një nisme për riorganizimin e LIBRA-s. Çfarë ndodhi me LIBRA-n?

Që pas 25 qershorit, Libra ka rrëshqitur gradualisht drejt një grupimi pa asnjë ngjashmëri me organizatën e krijuar një vit më parë, atë parti, e cila frymëzoi dhe tërhoqi me mijëra anëtarë dhe krijoi besim e shpresë tek mbi njëzetmijë qytetarë që e votuan.

Me gjithë përpjekjet e mia disamujore, të dukshme apo të padukshme, kryetari i “LIBRA-s përdori mandatin që i dhamë një vit më parë për të bllokuar organet legjitime të kësaj organizate, duke i zëvendësuar me grupe njerëzish pa mandat.

Arma e tyre, përgjatë muajve ishte vulgariteti, dhuna verbale, presioni psikologjik ndaj njerëzve profesionistë e paqësorë, ardhur tek LIBRA për një marrëdhënie dinjitoze e jo për të treguar muskujt a duruar shpifjet, intrigat e fyerjet.

Kjo klimë e krijuar qëllimisht për të zbuar këdo që nuk pranon diktat, e degradoi në “tallava” atë libër të bukur politik që nisëm të shkruajmë para një viti.

Çfarë nuk ka shkuar qysh pas zgjedhjeve dhe tashmë mes jush dhe zotit Blushi?
Që në krye të herës, z. Blushi e ka pasur të vështirë psikologjikisht të durojë staturën që krijova brenda asaj organizate. Unë jam shumë miqësore, e drejtë, e hapur e mirëkuptuese me njerëzit.

Për muaj me radhë, sakrifica sublime që kam bërë çdo sekondë të ditëve të mia për të mbajtur pranë e bashkuar ata LIBRA që vinin nga përvoja të ndryshme, jetë të ndryshme, njerëz të panjohur me njëri-tjetrin e që kishin nevojë për besim, më dha autoritetin e njeriut në qendër të organizatës.

Pas zgjedhjeve, z. Blushi u ndje i lirë ta shpërthente këtë padurim dhe paranojë ndaj meje dhe shumë kolegëve të tjerë dinjitozë, përmes sulmeve të tij apo të një grupi të vogël rreth tij, që e stërviti përgjatë një viti dhe e ndërseu të na agresonte, ne dhe deri familjet tona, fshehur a hapur publikisht, të tilla që keni pasur mundësi t’i ndiqni edhe live.

Si do ta zgjidhni situatën brenda LIBRA-s?
Përgjatë janarit, bashkë me shumë anëtarë të Bërthamës Libra, organit të zgjedhur një vit më parë me votat e mijëra anëtarëve, kemi ndërmarrë hapa të ligjshëm për të kthyer normalitetin.

Përmes tjerash, kemi bërë thirrje për një fushatë sensibilizimi tek e gjithë anëtarësia nëpërmjet zgjedhjeve të reja, gjithëpërfshirëse, të lira, të ndershme, funksionale për organet legjitime të LIBRA-s, bërthamën dhe kryetarin.

Të dielën është organizuar nga z. Blushi një mbledhje prej 60-70 vetash, e cila më ka hequr mua dhe shumë të tjerëve mandatin e anëtarit të Bërthamës, fituar nga votimi i mbi tremijë anëtarëve. Sipas statutit tonë, të depozituar prej një viti në Gjykatë, këtë mandat mund të ma heqë vetëm anëtarësia e LIBRA-s, e vetëm pas një mocioni të nisur nga 1/10 e anëtarëve LIBRA. Nuk ka pasur mocion. Mbledhja me 60-70 vetë mund të quhet mocion?

Mbledhja me 60-70 vetë mund të quhet Forum? Atëherë LIBRA rezulton organizatë me disa dhjetëra anëtarë, në kundërshtim me ligjin shqiptar, ku asnjë parti politike nuk mund të ketë më pak se 5000 anëtarë.

Këtë të diel, në fakt, z. Blushi ka krijuar një parti tjetër, me 70 anëtarë, partinë e re me emrin Çeta-LIBRA. Ajo është një çetë që ka grabitur vetëm vulën e organizatës, por nuk mbart dot mbi vete as frymën e as kauzën e saj politike.

Para dy ditësh, nga faqja zyrtare LIBRA jemi kërcënuar me një proces gjyqësor. Shpresoj ta ndërmarrin, në të kundërtën do ta ndërmarrim ne. Është një proces që më pasionon, pasi na jep mundësinë të shpalosim të gjitha argumentet, për t’i kthyer ligjshmërinë LIBRA-s së vërtetë.

Tashmë ju jeni larguar nga Partia Socialiste prej muajsh, por a mund të na bëni një vlerësim për mënyrën se si po qeveris kryeministri Rama dhe ekipi i tij?
Jam larguar nga Partia Socialiste për arsye të bëra publike, të cilat kanë qenë kauza ime e betejës në parlament dhe në krijimin e LIBRA-s. Nuk shoh asnjë ndryshim mentaliteti nga qeverisja e parë në qeverisjen e dytë të z. Rama.

Në vlerësimin tuaj, si ka ecur reforma në drejtësi deri më tani?
Unë kam qenë mbështetëse në parlament e të gjitha etapave të instalimit të kësaj reforme. Përtej argumenteve të cenimit të sovranitetit, prania e ndërkombëtarëve është për mua faktori i vetëm që mund t’i japë besueshmëri reformës në drejtësi.

Sepse, fatkeqësisht, klasa jonë politike nuk e ka mbajtur dot mbi supe peshën e sovranitetit të asaj vendimmarrjeje, që ruan kohezionin e shqiptarëve dhe që siguron një shtet në dobi të tyre.

Si e gjykoni zgjedhjen e prokurores së përkohshme, Arta Marku? A keni njohje ju, si shkodrane që është?
Nuk kam asnjë njohje personale me znj. Marku. Më vjen mirë që në krye të prokurorisë, qoftë edhe përkohësisht, vjen një zonjë, e cila natyrshëm do të kishte më tepër vullnet për të qenë e përkushtuar dhe ligjore. Veprimet e saj do t’i vlerësojë koha.

Kemi parë lloj-lloj kryeprokurorësh në Shqipëri, spektri i dëmeve që ky organ ka sjellë prej 27 vitesh, nga mosveprimi apo kompromisi me krimin, është ezauruar plotësisht. Nëse znj. Marku do të sjellë ndonjë risi, asaj i mbetet vetëm t’i kundërvihet krimit. Është shansi i saj për ta bërë.

Opozita ka lajmëruar nisjen e protestave me 27 janar, a do t’i bashkohet LIBRA? A do të ketë një vendim për këtë?
Siç jua shpjegova, unë jam përjashtuar në mënyrë agresive nga çdo vendimmarrje brenda LIBRA-s. Vendimet e organizatës janë marrë peng nga çeta në fjalë.

A ju kanë mbetur ende miqësi brenda PS-së?
Miqësitë janë njerëzore, nuk kanë të bëjnë me përkatësinë politike. Brenda PS kam shumë miq që i çmoj njësoj si ditën e parë.

Jeni penduar për vendimin e largimit nga Partia Socialiste, sot pas kaq kohësh?
Nuk jam penduar qoftë edhe për një sekondë të vetme. Nëse largimi im nga kjo parti dhe e gjithë beteja ime politike kanë lënë gjurmë emancipimi të politikës shqiptare, kjo më mjafton për të vazhduar me siguri rrugën time.

Si ia dilni që merreni edhe me astrofizikën, edhe politikën e familjen njëherësh?
Gjatë periudhave intensive politike, astrofizikën e lashë disi “mënjanë”, por asnjëherë nuk jam shkëputur prej saj. I jam rikthyer me shumë pasion, edhe për arsyen se veprimi im politik është bllokuar në kundërshtim me vullnetin tim dhe atyre mijëra qytetarëve që na mbështetën e votuan. Ndërsa në familje jam po ajo që kam qenë gjithmonë.

Tashmë fëmijët e mi janë të rritur, jetojnë të pavarur dhe kanë nevojë vetëm për dashuri e ndonjë këshillë, për të cilat astrofizika dhe politika nuk më pengojnë aspak, përkundrazi më japin atë dinjitet që familja ime e mbështet fort.

A ju ka shkuar ndërmend që të jetoni jashtë vendit, ndoshta në Francë, ku me sa dimë keni lidhjet tuaja profesionale?
Francën e dua shumë, është si të thuash atdheu im i dytë, vendi ku jam formuar, ku kam lidhje të forta miqësore, shkencore dhe politike. Padyshim, vendi im i punës dhe jetës është Shqipëria.