Belind Këlliçi: Qëllimi im në FRPD, rikthimi i sistemit të meritokracisë dhe vlerësimi i kontributeve të gjithsecilit

568
Belind Këlliçi, i diplomuar ne USA u kthye në Shqipëri, sepse dëshironte shumë që të kontribuonte në Atdheun e vet, për të bërë realitet ëndrrat e tij. Zoti Këlliçi kërkon të jetë aktiv në politikë, sepse kjo është në AND e gjakut të tij, derisa edhe paraardhësit e fisit të tij janë shquar si politikanë. Sot, zoti Këlliçi është kandidat për kryetar i FRPD, sepse, siç thotë edhe në intervistën për gazetën “Telegraf”, dëshiron që “të rinjtë demokratë të jenë pjesë e një procesi bashkimi, hapjeje dhe rritje të cilësisë”. Nëse zgjidhet kryetar i FRPD, zoti Këlliçi thotë se do të rikthejë sistemin e meritokracisë dhe do të bëhet vlerësimi i kontributeve të gjithsecilit. Së fundi, zoti Këlliçi thotë se PD, duhet të hartojë dhe programojë edhe alternativën qeverisëse, sepse mbetet shpresa e vetme që Shqipëria të dalë nga qorrsokaku politiko-ekonomik, ku e zhyti kjo maxhorancë e Majtë. 
-Zoti Këlliçi, në këto 24 vjet politikëbërja jonë i ka zhgënjyer të rinjtë. Keni analizuar ndonjëherë pse ndodhi kjo?

– Të them të drejtën nuk do të ndodhesha në pozicionin e sotëm dhe nuk do të isha kandidat për të drejtuar Forumin Rinor të PD, nëse do të isha i zhgënjyer dhe pesimist si për të shkuarën, po aq dhe të ardhmen e të rinjve në politikë. Mendoj se të rinjtë nuk duhet të rrinë aspak spektatorë dhe të fajësojnë politikanët, por duhet të marrin në dorë fatet e tyre dhe të futen në “fushë betejë”, për të bërë të mundur realizimin e ëndrrave dhe qëllimeve të tyre. Pikërisht kjo është dhe arsyeja se përse gjashtë vite më parë, unë vendosa të kthehesha nga USA, pas përfundimit të studimeve, për të bërë realitet ëndrrat e mia dhe për të mos ndenjur më spektator. 
– Atëherë, sipas jush, përse të rinjtë duhet të jenë aktivë dhe t’i besojnë politikës?

– Është e domosdoshme që të rinjtë të jenë aktivë dhe të besojnë tek politika, pasi demokraci do të thotë pjesëmarrje. Duhet të jenë pikërisht të rinjtë ata të cilët me vizionin dhe idealin e tyre duhet t’i japin fund fenomeneve që e deformojnë demokracinë dhe sidomos fenomenit që po godet më shumë shoqërinë tonë, shit-blerjen e votës. Të rinjtë duhet ta kthejnë arenën politike në një ambient ku ka rrahje mendimesh, përballje platformash, shpalosje vizionesh dhe ku çdo i ri gjen mundësinë që të rritet e formohet me dinjitet e profesionalizëm. Për shkak të së shkuarës komuniste të vendit tonë dhe depersonalizimit që diktatura komuniste i bëri qytetarëve, për më shumë se 45 vite qytetarët i kishin sytë dhe shpresën e drejtuar tek shteti dhe fatet e tyre gjithashtu ja kishin lënë totalisht në dorë orekseve të politikës. Sot, mendoj se më shumë se kurrë ka ardhur koha që rinia të marrë në dorë fatet e veta dhe të diktojë të ardhmen e saj. 
– Të rinjtë dhe të rejat a mund të ndërtojnë të ardhmen e tyre me meritokraci në Shqipëri?

– Sigurisht që po dhe për këtë mund të jap dhe shembullin tim personal. Që pas përfundimit të studimeve dhe kthimit tim në Shqipëri në vitin 2009, vendosa të nis karrierën time politike duke u anëtarësuar fillimisht në Forumin Rinor të PD. Më pas vendosa që karrierën time politike në PD ta bazoj në ngjitjen e shkallëve të karrierës një nga një dhe jo duke marrë “ashensorin” për të shkuar aty ku dëshiroja, pasi kam besimin absolut se kush ecën me këmbët e tij, ecën gjatë dhe është një shtyllë e fortë si në politikë, shoqëri, biznes apo shoqëri civile. Fill pas anëtarësimit tim në FRPD, kam ngjitur një nga një të gjitha shkallët e karrierës politike në PD, duke nisur me anëtarësimin tim në PD, zgjedhjen si anëtar i kryesisë së seksionit të zonës ku banoj dhe zgjedhjen anëtar i kryesisë së Degës nr. 10. Më pas në Kuvendin Kombëtar të zhvilluar ne shtator te vitit 2014, jam zgjedhur anëtar i Këshillit Kombëtar të PDSH dhe me pas jam emëruar në pozicionin e Koordinatorit Kombëtar nga Kryetari i PD Lulzim Basha. Që prej muajit nëntor të 2014 jam zgjedhur Drejtues i Departamentit të Përndjekurve Politike dhe ish Pronarëve dhe rrjedhimisht anëtar i Kryesisë së PD. Që prej ditës së shpalljes së ambicies sime për të garuar për kreun e FRPD, kam dhënë vullnetarisht dorëheqjen nga pozicioni i anëtarit të Kryesisë së PD dhe Drejtuesit të Departamentit të Përndjekurve Politikë dhe ish Pronarëve, për të hyrë në garë i barabartë me çdo të ri që aspiron të garojë për këtë pozicion kaq prestigjioz. 
– Përse ju doni të merreni me politikë?

– Politikën, dhënien e kontributit për vendin tim dhe pjesëmarrjen aktive në politikëbërje mund të them që e kam të rrënjosur thellë në ADN time. Unë jam stërnip i Masar Këllicit, deputet i Partisë Popullore të Ahmet Zogut për dy legjislatura në Parlamentin e parë Shqiptar, në vitin 1921, ku përfaqësonte Tiranën dhe Durrësin dhe pasardhës i Mytesim Kellicit, delegat në Kongresin e Lushnjës në vitin 1920 dhe një prej personave që ngritën Flamurin e Pavarësisë në Durrës më 1912. Prindërit e mi dhe rrethi im familjar janë anëtarësuar dhe kanë qenë pjesë aktive e PD, që prej janarit të vitit 1991. Kontributi për vendin dhe komunitetin janë një pjesë e pandashme e imja dhe në politikë dua të hy vetëm me mund dhe kontribut. 
– E vlerësoni një profesion?

– Vlerësoj jashtë mase profesionin dhe profesionistët, si dhe ndaj bindjen absolute se nëse gjithsecili fokusohet dhe kontribuon në fushën e tij të ekspertizës, pa ndërhyrë në fusha për të cilat nuk ka njohuri të mjaftueshme, punët në këtë vend do të ecin me ritme shumë më të shpejta dhe të kënaqshme. 
– Mund të projektoni të ardhmen tuaj në një karrierë politike?

– Përderisa sot jam pjesë aktive e politikës dhe kam shpallur ambicien time për të drejtuar një organizatë kaq të rëndësishme politike si FRPD, sigurisht që e projektoj një të ardhme në politike. Qëllimi im kryesor është që të lë një gjurmë pozitive në politikë dhe në mënyrë absolute të lë pas një emër të mirë dhe të mbahem mend për kontributin, vlerat dhe punën time. 
– Cila është risia që ju do të sillni, nëse fitoni garën dhe zgjidheni kryetar i FRPD?

– Me mua në krye të FRPD, të rinjtë demokratë do të jenë pjesë e një procesi bashkimi, hapjeje dhe rritje të cilësisë së anëtarësisë së kësaj organizate. PD dhe FRPD do të jenë në një sintoni të plotë bashkëpunimi sikurse rikthimi i sistemit të meritokracisë dhe vlerësimi i kontributeve të gjithsecilit do të jenë dy gurët e themelit të punës sime. 
– Ju uroj të keni sukses në garën tuaj!
Sigal