Belgjika i kërkon Shqipërisë arrestimin e Frrokut për vrasje

459
TIRANE – Belgjika i kërkon Shqipërisë arrestimin e deputetit Mark Frroku nën akuzë se ka vrarë një shqiptar në vitin 1999 në Bruksel, e madje për këtë krim është dënuar në mungesë me 10 vjet burg.
Kryeprokurori Llalla i kërkon Kuvendit të Shqipërisë të japë aprovimin për arrestimin e Frrokut duke i hequr mandatin në mënyrë që deputeti të mund të vihet para autoriteteve belge për t’iu përgjigjur drejtësisë atje për akuzën e vrasjes të kryer në bashkëpunim.
Autoritetet belge kanë nxjerrë urdhër arresti ndërkombëtar për Frrokun.
“Kërkesa drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, e cila mbështetet në nenin 73/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, bazohet në materialin e ardhur në Prokurorinë e Përgjithshme nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol-Tirana, me shkresën datë 27.03.2015 dhe nga Ministria e Drejtësisë, me shkresën datë 28.03.2015. Pas këtij informacioni, Prokuroria e Përgjithshme ka regjistruar procedimin penal nr. 2, dt. 28.03.2015, për veprën penale të “Vrasjes me paramendim”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 78/1 dhe 25 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë. 
Ka qenë jo e rastësishme përmendja e një vrasjeje në Belgjikë në urdhrin e ndalimit që Llalla firmosi për kreun demokristian Mark Frroku, ne lidhje me akuzën se ka inskenuar atentatin qe Doshit pretendoi se Meta kishte urdheruar ndaj tij gjashte muaj me pare. Burime për A1 Report thanë se Kryeprokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me autoritetet e drejtësisë belge dhe në këto kushte kishte informacion për mbërritjen e një kërkesa nga ana e tyre për arrestimin e deputetit Frroku.
Mark Frroku akuzohet se ka vrarë me thikë në një stacion metroje në jug të Bruskelit shqiptarin Aleksandër Kurti në 5 mars të vitit 1999, kohë kur ai nuk ishte deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Sipas autoriteteve belge, Frroku përdorte identitet të rremë të një kosovari, Besnik Morina. Ngjarja dyshohet se lidhet me botën e prostitucionit ku veprojnë disa rrjete emigrantësh në Bruksel, e ku dyshohet se Kurti kishte ‘shkelur’ mbi aktivitetin e anëtarëve të tjerë. Por Frroku nuk akuzohet i vetëm në këtë vrasje. Sipas autoriteteve belge, krimi është bërë në bashkëpunim nga 4 shqiptarë. Ndaj tyre nisi procesi gjyqësor në vitin 2010, ku të katërt u shpallën fajtorë duke u dënuar në mungesë me 10 vite burg. Çështja aktualisht është në Gjykatën e Apelit, pasi Frroku dhe shqiptari tjetër i akuzuar si bashkëpunëtor Arjan Bytyçi kërkuan rigjykim. 
Ashtu siç ndodhi me heqjen e imuniteti për çështjen “Doshi” Kuvendi i Shqipërisë pritet të mblidhet sërish për të autorizuar Prokurorinë e Përgjithshme që të arrestojë Frrokun për llogari të autoriteteve gjyqësore belge.
Njoftimi i plote i Prokurorisë së Përgjithshme
Prokuroria e Përgjithshme kërkon autorizim për arrestimin e deputetit Mark Frroku, i akuzuar nga autoritetet e Belgjikës për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” e kryer në bashkëpunim
Prokuroria e Përgjithshme i kërkon Kuvendit të Shqipërisë autorizimin për “arrestimin” e shtetasit Mark Frroku, pasi ndaj tij autoritetet gjyqësore belge kanë nxjerrë urdhërin e arrestit ndërkombëtar, si person i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim” në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 66 dhe 394 të Kodit Penal të Belgjikës.
Kërkesa drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, e cila mbështetet në nenin 73/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, bazohet në materialin e ardhur në Prokurorinë e Përgjithshme nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol-Tirana, me shkresën datë 27.03.2015 dhe nga Ministria e Drejtësisë, me shkresën datë 28.03.2015. Pas këtij informacioni, Prokuroria e Përgjithshme ka regjistruar procedimin penal nr. 2, dt. 28.03.2015, për veprën penale të “Vrasjes me paramendim”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 78/1 dhe 25 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. 
Në kërkesën drejtuar Kuvendit për dhënien e autorizimit, Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë u bën me dije deputetëve të Kuvendit se, Prokurori i Përgjithshëm pranë Gjykatës së Apelit të Brukselit ka ngritur akt-akuzën kundër shtetasit Mark Frroku (alias Besnik Morina), i akuzuar për “Vrasje me paramendim” në bashkëpunim, në dëm të shtetasit Aleksandër Kurti, ngjarje e ndodhur në Bruksel, në datën 05.03.1999.
Për këtë ngjarje, autoritetet belge akuzojnë 4 shtetas shqiptarë, ndër të cilët edhe shtetasin Mark Frroku, aktualisht deputet në Kuvendin e Shqipërisë.
Të akuzuarit janë gjykuar në mungesë dhe ndaj tyre, në 15 janar 2010, Gjykata për Krime të Rënda e Brukselit ka dënuar secilin me nga 10 vjet burgim.
Ky proces gjykimi është zhvilluar në mungesë të personave të dyshuar, të cilët janë përfaqësuar nga avokatët e tyre. Dy prej të akuzuarve, njëri prej të cilëve edhe shtetasi Mark Frroku, kanë apeluar këtë vendim, me arsyetimin se avokatët e tyre kanë qenë kontradiktorë në mbrojtjen e klientëve të tyre, pa shprehur qartësisht kundërshtimin e akuzës.
Në bazë të legjislacionit procedurial penal të Belgjikës, ky arsyetim i prezantuar nga dy shtetasit shqiptarë është argument për të pranuar apelimin. Gjykata e Kasacionit me vendimin e datës 24 Mars 2010, ka kthyer çështjen për rigjykim.
Bazuar në apelimin e mbrojtjes, Kryetari i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda të Brukselit, në datën 31 janar 2014, ka vendosur fillimisht që shqyrtimi i kësaj çështje të fillojë në Shkurt 2015, por pak javë më parë, gjyqtari ka vendosur që ky proces të fillojë në muajin Tetor 2015.
Bazuar në aktet që i janë vënë në dispozicion Prokurorisë Shqiptare, rezulton se shtetasi Mark Frroku dhe 3 bashkëatdhetarë të tij, janë personat e akuzuar për vrasjen e shtetasit Aleksandër Kurti, ngjarje e ndodhur në vitin 1999. Sipas materialeve hetimore, rezulton se kjo vrasje është pasojë e përplasjeve së grupeve që merren me prostitucionin në Bruksel.
Sigal