Beja: “ Shqipëria nuk ka shanse të marrë statusin kandidat”

64

Sot mbledhja e ministrave të BE-së në Bruksel. Shqipërisë i refuzohet statusi

Një ditë para mbledhjes së ministrave të Bashkimit Europian në Bruksel ku Shqipërisë pritet t’i refuzohet statusi i vendit kandidat për të tretin vit radhazi, kreu i komisionit të jashtëm Fatos Beja bën fajtore opozitën për këtë dështim të radhës. Beja nuk shikon asnjë shans që vendi të marrë një vlerësim pozitiv edhe në vitin 2013-të, ku zgjedhjet parlamentare, nga kusht për çeljen e negociatave, tashmë pas lotimit të opozitës janë futur si kusht për statusin. “Tani me lotimin që ka bërë Partia Socialiste qoftë në Bruksel, qoftë gjithandej dhe me bllokimin e votimit të tre ligjeve, po bëhet pikërisht kjo, po bëhet kusht statusi. Kush fiton nga kjo? Çfarë ndodh pas zgjedhjeve. S’ka asnjë garanci që edhe pas tyre të mos vijojnë të njëjtat historia, si pas zgjedhjeve të 2009. Unë e shoh perspektivën aspak premtuese me këtë lloj qëndrimi të opozitës”, tha ai. Mosmarrja e statusit për shkak të bllokimit të tre ligjeve, për demokratin Beja është një dëm i madh që i bëhet Shqipërisë në sytë e ndërkombëtarëve. “Kjo që ka ndodhur me ne në Shqipëri nuk ka ndodhur me asnjë nga opozitat e vendeve që kanë kaluar këtë proces. Gjithë vendet e tjera problemet i kanë pasur për çështje të jashtme, Maqedonia për emrin me Greqinë, Kroacia për kufirin me Slloveninë, Serbia për Kosovën, vetëm Shqipëria e ka për shkak të opozitës”, komentoi Beja. Ndërkaq agjencia evropiane e lajmeve EuroActiv e specializuar në çështjet politike njoftoi dy ditë më parë se ministrat e BE nuk do t’i japin Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Sipas saj, të paktën një vend i BE si Holanda ka kundërshtuar fuqishëm dhënien e statusit kandidat Shqipërisë.