Bëhet publike qëndrimi i Francës për Haradinajn

64

Ministria e Jashtme e Francës e ka publikuar qëndrimin e saj rreth rastit të Ramush Haradinaj, i cili u arrestua në Aeroportin Bale – Mulhouse më kërkesë të Serbisë të deponuar në Interpol dhe tani po mbahet atje me një vendim të Gjykatës. MPJ thotë se rastin e kanë në dorë autoritetet e drejtësisë të cilat janë duke vepruar në pavarësi të plotë. Ndërkohë që në Deklaratë theksohet se Franca kultivon raporte të afërta dhe miqësore me Kosovën.

“Autoritetet e drejtësisë franceze janë duke u marrë me dhe duke e shqyrtuar, në pavarësi të plotë, situatën me kujdesin më të madh. Procedura në vijim i përket autoriteteve të drejtësisë. Z. Ramush Haradinaj e gëzon mbrojtjen konsullore dhe ka pasur mundësi të takohet me konsullin e Kosovës. Ministria e punëve të jashtme dhe e zhvillimit ndërkombëtar është në kontakt me autoritetet kosovare dhe e ndjek këtë dosje me vëmendjen e vet më të madhe.

Z. Jean­Marc Ayrault ka biseduar me homologun e tij të Kosovës z. Enver Hoxaj, në lidhje me këtë temë. Franca, e cila ishte një prej vendeve të para që e njohu Kosovën në 2008, gëzon me këtë shtet marrëdhënie të afërta dhe miqësore. Veprimi që zhvillohet drejt z. Ramush Haradinaj i takon procedurave të drejtësisë të iniciuara nga kërkesa e Interpolit. Ai nuk ka asnjë dimension politik dhe nuk e modifikon politikën konstante të Francës dhe mbështetjen e saj për pajtim në regjion dhe zbatimit e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Franca i jep rëndësinë më të madhe vazhdimit të njërës dhe tjetrës”, thuhet në deklaratë.