BE nis trajnimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të SPAK

466
Misioni i Bashkimit Europian për Drejtësinë në Shqipëri ka publikuar planin e instalimit të të ashtuquajturit “EULEX shqiptar”. Në tre muaj intensiv, do të përfundohet një program i detajuar për të trajnuar dhe instruktuar prokurorët e gjykatësit e rinj në Shqipëri, pikërisht ata që më pas do të plotësojnë dosjet mbi abuzimet me fondet publike.
Misioni i BE-së, EURALIUS, ka publikuar në faqen e saj zyrtare të gjithë axhendën e ngjeshur, ku bëhet e ditur çdo gjë me detaje. Një trajnim special nis në mes të shtatorit me gjykatës e prokurorë në Pogradec, pikërisht për dosjet e korrupsionit. Ndërkohë që FBI po merret me ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe trajnimin e agjentëve të saj, EURALIUS do jetë më i fokusuar te Prokuroria Speciale dhe institucionet e tjera të drejtësisë, me qëllim që korrupsioni të luftohet në të gjitha nivelet.
Në faqen e vet, misioni EURALIUS ka publikuar axhendën e aktiviteteve që do nisin tani në shtator; dhe bie në sy se do i kushtohet një rëndësi shumë e madhe luftës ndaj korrupsionit. Më 26 shtator, në Ministrinë e Drejtësisë, KLD dhe Shkollën e Magjistraturës do zhvillohen aktivitete në kuadër të luftës kundër korrupsionit si dhe shpërdorimit të fondeve publike.
EURALIUS i ka dhënë një rëndësi të madhe trajnimit në këtë fushë dhe duket se tani do të bëhen lëvizjet e fundit për të përgatitur gjyqtarët që do të “grushtojnë” korrupsionin. Të tilla aktivitete do zgjasin deri në nëntor. Një tjetër trajnim do të jetë ai për marrëdhënien e gjyqtarëve me median. Ekspertët do ndalen në shumë qytete të vendit dhe do nisin trajnimet.
Por nga ana tjetër do të angazhohen dhe ekspertë sa i takon ndarjes së buxhetit të ri për drejtësinë. Dihet tashmë se do të ketë një ristrukturim të buxhetit pasi pagat do rriten disa herë, e për këtë arsye EURALIUS do angazhojë ekspertët e saj. Për këtë arsye do ketë trajnime të anëtarëve të Zyrës së Administrimit të Buxhetit Gjyqësor. Pra BE ka nisur fort lëvizjet sa i takon zbatimit në terren të Reformës në Drejtësi.
Sigal