BE kushtëzon: Me Shqipërinë do takohemi në Qershor të 2019-s

604
Sigal

Kushtëzimet ndaj vendit tonë: Reforma në Drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian, arritën të martën mbrëma një formulë kompromisi që sheshoi dhe kundërshtitë e vendeve skeptike, duke përcaktuar Qershorin e 2019 si një datë të mundshme për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë, të kushtëzuar me përparimin e saj në disa fusha. “Vendet anëtare ranë dakord për t’i hapur rrugën Shqipërisë dhe Maqedonisë drejt çeljes së bisedimeve në Qershor 2019. Në Qershor 2019, vendet anëtare do të vlerësojnë, bazuar dhe në raportin e Komisionit evropian, përparimin e mëtejshëm të Shqipërisë në zbatimin e Reformës në Drejtësi, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, përcaktohet në vendimin e marrë dje në mbrëmje, ku theksohet se “çelja e mundshme e bisedimeve me konferencën e parë ndërqeveritare në Qershor 2019 dhe hapja e kapitujve të bisedimeve deri në fund të 2019 do të duhet të marrë miratimin e vendeve anëtare”.

JO-ja e Francës

Qëndrimi i Francës është ndikuar nga një sërë faktorësh. Nga një anë janë ato që lidhen me situatën e brendshme, duke qenë se gati gjysma e forcave politike franceze dhe shumica dërrmuese e opinionit publik, janë kundër idesë së zgjerimit. Nga ana tjetër, ideja e presidentit Emmanuel Macron e shpallur si objektiv nga ana e tij, është ajo e reformimit të vetë BE-së, përpara zgjerimit të saj.

JO-ja e Holandës

Përpara nisjes së takimit Ministri i Jashtëm holandez Stef Blok përsëriti qëndrimin hezitues të vendit të tij. “Dy vendet kanë bërë progres, por jo mjaftueshëm, duhen rezultate konkrete për korrupsionin. E rëndësishme është që të dy vendet kanë treguar këmbëngulje në luftën kundër korrupsionit, por duhet të shohim më shumë. Ne mbështesim progresin që kanë bërë por nuk mund të injorojmë faktin që duhet të shohim rezultate konkrete”, u shpreh ai.

PRO-ja e Gjermanisë nuk mjaftoi

Gjermania u shpreh në favor të hapjes së bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin evropian me Shqipërinë dhe Maqedoninë dhe i bën thirrje Francës dhe Holandës që të bashkohen me pjesën tjetër të vendeve anëtare që ndajnë të njëjtin qëndrim. “Demokracia dhe paqja e qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor luajnë një rol të rëndësishëm për të gjithë ne në BE, kjo është arsyeja që vlerësojmë shumë përpjekjet e të dy shteteve për të forcuar sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit”, tha zoti Roth, duke shtuar se “Qeveria gjermane është gati të mbështesë Shqipërinë dhe Maqedoninë në rrugën drejt BE-së, jemi gati të japim dritën jeshile dhe dua të inkurajoj miqtë tanë holandeze dhe francezë të na bashkohen”.

Hahn: Negociatat e BE-së me Shqipërinë shtyhen me një vit

Negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në BE do të shtyhen për në qershor të 2019-ës. Ky vendim është marrë gjatë takimit të djeshëm të Këshillit të Marrëdhënieve të Përgjithshme. Komisioneri evropian për Zgjerimin, Johannes Hahn përmes një mesazhi në “Twitter” teksa deklaroi shtyrjen e negociatave, shprehu kënaqësinë që KE sheh dritë mbi konkluzionet e zgjerimit, për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. “Rrugëtimi drejt hapjes së bisedimeve të anëtarësimit në qershor të vitit 2019 është i qartë. Një sinjal kyç ky për rajonin se progresi i bërë shpërblehet, sikurse edhe vendimtar për besueshmërinë e vet BE-së”, shkruan Hahn.

Vendimi i BE-së:

Vendet anëtare ranë dakord për t’i hapur rrugën Shqipërisë dhe Maqedonisë drejt çeljes së bisedimeve në Qershor 2019. Në Qershor 2019, vendet anëtare do të vlerësojnë, bazuar dhe në raportin e Komisionit evropian, përparimin e mëtejshëm të Shqipërisë në zbatimin e Reformës në Drejtësi, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar

Kërkesa e BUNDESTAGUT GJERMAN pËR SHQIPËRINË

Bundestagu i kërkon qeverisë gjermane që ta miratojë hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin Evropian vetëm:

  1. a) nëse ‘konferenca e parë e anëtarësimit’ zhvillohet kur qeveria gjermane të ketë ‘konstatuar plotësimin e këtyre kushteve nga Shqipëria’:

– plotësimin e përfundimit të rivlerësimit të 57 gjykatësve dhe prokurorëve të gjykatave më të larta të përcaktuar si prioritar në kuadër të vetingut dhe largimin nga shërbimi të personave me përfundime negative

– kur qeveria shqiptare të ketë paraqitur një ligj për një reformë të ligjit zgjedhor.

  1. b) konferenca e dytë e anëtarësimit të zhvillohet vetëm atëherë kur Këshilli të ketë konstatuar se janë plotësuar këto kushte:

– zbatimi i ligjit për reformën e nisur të ligjit zgjedhor

– të kenë nisur ndjekje penale për gjykatë e prokurorë të konstatuar në veting se kanë bërë shkelje penale

– të jetë angazhuar një strukturë speciale për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar (SPAK)

– të jenë shtuar përpjekjet për të garantuar funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë dhe të SPAK përmes pajisjes së tyre me numër të mjaftueshëm gjykatësish e prokurorësh të verifikuar

– të ketë përparime solide në luftimin e kriminalitetit dhe të korrupsionit në të gjitha nivelet, duke përfshirë edhe nëpunësit e lartë civilë dhe politikanët. Këtu bëjnë pjesë ‘hetime proaktive, ndjekje penale dhe dënime në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar’.

– rezultate të prekshme në reformën e administratës…duke përfshirë edhe ‘verifikimin e punësimit të nëpunësve civilë të rangut të lartë dhe të drejtorëve’.

– të vazhdojë me intensitet luftimin e tregtisë dhe të kultivimit të drogës në Shqipëri.

Në pikën 2, projektrezoluta e Bundestagut kërkon që, “nëse Shqipëria pas hapjes së negociatave për anëtarësim e zvarrit, ndërpret ose e kthen mbrapsht plotësimin e detyrimeve, të ndalen negociatat e anëtarësimit”. Ndërsa në pikën 3, projektrezoluta i kërkon qeverisë që të bëjë të qartë se Shqipëria duhet të ndërmarrë “përpjekje shtesë të konsiderueshme” për ta garantuar sundimin e ligjit dhe vazhdimin e Vetingut. “Zbulimi dhe konfiskimi i mjeteve financiare në lidhje me korrupsionin”, kërkohet shprehimisht në këtë kuadër.