BE jep 30 mln euro për politikat sociale, Klosi: Pa mbështetje financiare, reformat të mangëta

447
Bashkimi Europian do të mbështesë me 30 milionë euro politikat sektoriale të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe që kanë të bëjnë kryesisht me sektorin e punësimit dhe politikave sociale, të cilat adresojnë disa nga çështjet më komplekse që përballet Shqipëria e që kanë implikime të rëndësishme për zhvillimin, uljen e varfërisë dhe barazisë sociale. Por lëvrimi i kësaj mbështetjeje financiare kërkon që sistemet e brendshme të planifikimit, buxhetimit dhe monitorimit të jenë të mirëkoordinuara. Ndaj, për këtë arsye është mbajtur sot mbledhja e parë e Grupit të Menaxhimit të Integruar të Politikave në sektorin e Politikave Sociale dhe Punësimit, ku i pranishëm veç disa prej partnerëve ndërkombëtarë të MMSR-së, ka qenë edhe ministri Blendi Klosi, i cili nga ana e tij siguroi donatorët për gatishmërinë e strukturave të kësaj ministrie për të realizuar atë për të cilën është biseduar dhe rënë dakord.

“Koordinimi i funksioneve strategjike dhe operacionale në GMIP-PSP do të sigurojë integrimin e funksioneve kyçe politike dhe administrative, të lidhura me zbatimin e prioriteteve të qeverisë dhe anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Kalimi i Bashkimit Europian në Mbështetje Buxhetore Sektoriale – përfshirë marrëveshjen e afërt mbi 30 milionë € për MMSR – kërkon që sistemet e brendshme të planifikimit, buxhetimit dhe monitorimit të jenë të mirëkoordinuara. Kjo është veçanërisht e rëndësishme, pasi lëvrimi i mbështetjes buxhetore të BE-së, si dhe kreditë e Bankës Botërore, janë të lidhura me aftësinë tonë për të zbatuar atë çka kemi rënë dakord”, tha ministri Klosi në fjalën e tij. Ndaj për këtë qëllim, ai ka bërë të ditur se do të krijohet një Sekretariat Teknik i dedikuar në mbështetje të Grupit të Menaxhimit të Integruar të Politikave në sektorin e Politikave Sociale dhe Punësimit. Më tej në fjalën e tij, ministri vlerësoi si shumë të rëndësishme mbështetjen financiare të partnerëve ndërkombëtarë për ecurinë e të gjitha atyre projekteve dhe ideve, për të cilat është diskutuar në vijimësi gjatë gjithë këtyre muajve të fundit.

“Kjo mbështetje që vjen për vendin tonë, është një mbështetje që institucionet tona prej kohësh janë të gatshme ta mirëpresin. Kemi ndërtuar strategjinë, kemi ngritur politika, kemi folur në këto muaj kaq shumë për prioritetet e kësaj ministrie të cilat pa këtë mbështetje do ishin të mangëta. Ne e kemi fare të qartë atë që kërkojmë, por pa një mbështetje, reformimi i arsimit profesional do të ishte i pamundur. Po e njëjta situatë në reformat e mëdha që ne kemi marrë sa i përket ndihmës ekonomike dhe pagesës së njerëzve me aftësi të kufizuara; në të dy këta sektorë, realisht kemi reforma shumë të qenësishme për të realizuar. Duam reforma të thella sa i përket gjithëpërfshirjes apo integrimit dhe riintegrimit të grupeve vulnerabël në Shqipëri, ndaj dhe nevojitet që projektet dhe strategjitë që kemi miratuar t’i kthejmë në programe pune e aktivitete të mirërealizuara. Po ashtu edhe sektorë të tjerë si reforma e pensioneve, e cila ka nevojë gjithashtu të rishikohet e gjitha në kuadër të vazhdimit të asaj që u bë dy vjet më përpara”, tha Klosi.

Ndaj ai ka kërkuar nga BE-ja që të nisë sa më shpejt lëvrimin e këtyre fondeve, në mënyrë që reformat dhe projektet për të cilat është folur më herët, të mund të nisin të zbatohen sa më parë. “Unë shpresoj shumë që mbështetja që ne presim nga përfaqësuesit e BE-së të vijë shpejt në sistemin tonë, pasi siç e kam thënë shpesh, sidomos në Arsimin Profesional, ne tashmë nuk mund të shkojmë në skemën e vjetër që kemi qenë, ku të kemi shumë shkolla, por pak kualifikim”, u shpreh Klosi.
Sigal