BE: Ja çfarë presim nga ekzekutivi i ri

576
Vetëm 48 orë para se kryeministri Edi Rama të shpallë kabinetin me të cilin do të qeverisë Shqipërinë në 4 vitet e ardhshme, Brukseli deklaron se qeveria e re duhet të fokusohet te zbatimi i Reformës në drejtësi e në mënyrë specifike tek Vetingu. E kontaktuar nga “Vizion Plus”, zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Koçijançiç, thekson se BE pret nga qeveria “Rama 2”, përveç zbatimit të reformës në drejtësi edhe luftën kundër drogës, si dhe adresimin e çështjes së azilkërkuesve. “Tani ne presim një qeveri të angazhuar fort për të çuar vendin përpara në rrugën e integrimit përmes përpjekjeve të qëndrueshme për reforma. Qeveria e re, veçanërisht, duhet të përqendrohet tek zbatimi i reformës në drejtësi dhe procesit të Vetingut, i cili është thelbësor në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Qeveria e re duhet gjithashtu të fokusohet në mënyrë më efektive në luftën kundër trafikut të drogës dhe kultivimit dhe përtej kuadrit të 5 prioriteteve kyçe, të trajtojë edhe çështjen e aplikimeve dukshëm të pabazuara për azil nga qytetarët shqiptarë në vendet anëtare të BE dhe në vendet që janë pjesë e Shengenit”, thekson zyrtarja e BE-së. Ndërkohë, komisioneri per zgjerimin, Johannes Hahn, do të jetë sot në Durrës për t’u bërë pjesë e takimit mes kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, që për Brukselin do të shërbejë për të diskutuar hapat e mëtejshëm pas Samitit të Triestes. “Takimi i liderëve në Durrës do të bashkojë kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, për të diskutuar hapat e mëtejshëm pas takimit të suksesshëm të Samitit të Triestes, në korrik. Veçanërisht, zbatimin e planit të veprimit për të thelluar integrimin rajonal ekonomik, për të cilin u ra dakord në Samitin e Triestes. Diskutimi do të fokusohet në hapat e menjëhershëm qe duhen ndërmarrë para fundit të këtij viti, për t’u siguruar që plani i veprimit do të përkthehet në rezultate konkrete dhe në mundësi të reja për rajonin”, thuhet në njoftimin zyrtar. Procesi i Vetingut dhe zbatimi i reformës në drejtësi pritet të nisë në muajin shtator e pas kësaj, Shqipëria synon hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, e cila duket se do të jetë një prej sfidave kryesore të qeverisë “Rama 2”.
Sigal