BE: Debati të zhvillohet në Kuvend, jo bojkotit

165
Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Mogerini dhe komisioneri për Zgjerimin, Hahn kërkojnë zgjidhjen e krizës politike
Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federika Mogerini dhe komisioneri për Zgjerimin, Johanes Hahn kanë shprehur keqardhjen e tyre për bojkotin e Parlamentit nga opozita dhe mos regjistrimin e saj për zgjedhjet. Në një deklaratë të përbashkët, Mogherini dhe Hahn shprehen se, debati politik nuk duhet të bëhet jashtë, por brenda Parlamentit dhe në bazë të praktikave demokratike. 

“Qytetarët meritojnë të kenë një lidership të përgjegjshëm. Ne i bëjmë thirrje sërish politikanëve që të sillen në mënyrë të përgjegjshme, në respekt të institucioneve dhe të hapin rrugën për zgjedhje demokratike, në përputhje me standardet ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e zyrtarëve të lartë të BE-së. 

Në mënyrë të veçantë, Mogherini dhe Hahn e vënë theksin tek nevoja e madhe që Shqipëria ka për reformën në drejtësi, e cila është sulmuar sërish nga opozita. “U bëjmë thirrje partive që të përfundojnë formimin e institucioneve të vetingut. Sulmi i reformës në drejtësi dhe jo implementimi i saj, me monitorimin e ngushtë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, dëmton të tashmen dhe të ardhmen e Shqipërisë”, vijon deklarata.

Mogherini dhe Hahn shprehen optimistë se ligjvënësit shqiptarë do të tregojnë përgjegjësi dhe aftësi për të vepruar sipas procedurave institucionale ligjore. 

“Ne presim që ata të jenë në shërbim të popullit shqiptar, që vazhdon të kërkojë që vettingu i nisur dhe reforma në drejtësi të implementohen, si një hap jetik për anëtarësimin e vendit në BE”, vijon më tej deklarata.

Deklarata e Bashkimit Evropian vjen teksa prej dy muajsh opozita ka braktisur Kuvendin dhe po kërkon largimin e qeverisë “Rama” si kusht për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ndërkohë Kuvendi është në fazën e ngritjes së komisioneve parlamentare për procesin e vetingut, ndërsa pritet të nisë edhe procedurat për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës. Opozita, nga ana e saj, pretendon se mazhoranca nuk i ka qëndruar besnike Kushtetutës dhe ndryshimeve të bëra në të më 22 korrik 2016.