BE: 2 milionë euro për gomerët e Shqipërisë

693
Sigal

Ndërkohë që Shqipëria boshatiset nga qytetarët, BE financon miliona euro për shtimin e numrit të gomerëve. Por ndryshe nga vendet e tjera programi i bashkëpunimit financiar dhe teknik i BE-së bëhet në mungesë të plotë të transperencës dhe larg mendimit të ekspertëve. Si u zhdukën 5 milion euro për vaksinimin e dhelprës, fallsifikimet për numrin e bagëtive dhe milionat për mbrojtjen e gomerve.

Engjëll Musai

Drejtor i gazetës “Telegraf”

Programi i bashkëpunimit financiar dhe teknik i BE-së mbështet disa agjenda në lidhje me reformat e Shqipërisë. Asistenca e BE-së fokusohet në veçanti te mbështetja për zhvillimin demokratik dhe mirëqeverisjen, reformën rregullatore, ngritjen e kapaciteteve administrative dhe zhvillimin e infrastrukturës. Financimet e BE-së për projektet në Shqipëri jepen në formën e granteve, kontratave dhe mbështetjes buxhetore në rritje. Vendi kandidat gjithashtu merr pjesë në shumë programe dhe agjenci të BE-së. Janë këto disa nga prioritete të bëra publike nga zyra e BE në Tiranë.

01

Njëri prej projekteve në të cilën BE është fokusuar është edhe ministria e Bujqësisë në Shqipëri në lidhje me vaksinimin e kafshëve dhe bagëtive. Ky projekt ka filluar para 10 vitesh në të cilin BE , “shpërdoroi “ rreth 5 milionë euro për vaksinimin e dhelprave shqiptare nga tërbimi. Sipas këtij projekti, i cili në atë kohë u konsiderua si nisëm rajonale dhe përfshiu edhe zonat kufitare të Shqipërisë me Malin e Zi, Maqedoninë dhe Greqinë. Ky projekt ku shuma e përgjithshme nuk u bë kurrë publike, pasi ishte rajonale dhe ministria e Bujqësisë shqiptare në kohën e Rulit, menaxhonte vetëm fondin e vet 5 milionë euro. Sipas këtij projekti vaksinat hidheshin nga ajri me avion në zonat ku dyshohej se kishte dhelpra, edhe pse për to nuk kishte studim nga ekspertët e qyteteve shqiptare. Për më tepër nuk dihej se kush do i konsumonte këto vaksina anti-tërbim, pasi ato mund t’i hanin edhe bagëtitë, mundej edhe t’i merrnin shirat dhe t’i shpërndanin në pusetat dhe rezervuarët e ujit, apo liqenet. Në lidhje me këtë rast skandaloz gazeta “Telegraf” ka kërkuar vite më parë informacion dhe të dhëna, pasi ka pasur një debat nga ekspertët shqiptarë me zyrtarët e Brukselit, të cilëve u është thënë troç se Shqipëria nuk ka problem madhor tërbimin e dhelprave, por sëmundjet tek lopa, bagëtitë e imta pasi ato janë burim sëmundjesh tek njeriu nëpërmjet qumështit dhe mishit. Dhe koha tregoi se bruceloza, TBC, plasja e zgjebja bënë kërdinë, pasi mungonte vaksinimi periodik i bagëtive. Madje ekspertët shqiptarë dhe profesorët e blegtorisë i sugjeruan burokratëve të kohës në Bruksel, ndërprerjen e programit dhe përdorimin e tyre, për vaksinimin e bagëtive. Statistikat tona tregojnë se rasti i fundit i tërbimit të dhelprës ka ndodhur në vitin 1971. Kaq mjafton të kuptoje se këto para po shkonin “për tjetër qëllim” edhe pse formularët do mbusheshin për të justifikuar projektin dështak të BE-së. Le të hetohet ky rast dhe të verifikohet se cilat ishin marrëdhëniet dhe a kishte rakordim me ISUV?! A u analizua ndonjë rast, qoftë dhe i vetëm për efektin tek dhelprat? Deri ku arriti shkalla e neutralizimit të tërbimit?

02

Ndoshta raportet konfidenciale të ekspertëve dhe shkrimet e shumta që u bënë nga mediat e Tiranës, ku gazeta “Telegraf” ka qenë shumë kritike, ka bërë që BE të mendojë edhe për vaksinimin e bagëtive në Shqipëri. Një fond për vaksinat që mbahet sekret nga drejtoria që mban lidhje të drejtpërdrejta me zyrën e BE-së është alokuar për blegtorinë shqiptare. Por një problem që është shumë herë më i rëndë se ai i vaksinave të dhelprave ka të bëjë me faktin se kush i vaksinoi këto bagëti dhe kush i ka procesverbalet. Duhet patjetër të verifikohet fakti që disa fermerë dhe blegtorë kanë vetëm dhi, por kanë firmosur edhe për dele. Apo e kundërta që kanë dele dhe u është kërkuar të firmosin edhe për dhitë, pavarësisht se ata nuk kanë apo kanë çerekun e atyre që është firmosur. Në këto kushte kërkohet verifikim i saktë për të zbardhur të vërtetën, prapa të cilave fshihen miliona euro, donacione të BE-së. Mendojmë që pjesë e projektit të BE-së dhe jo anashkalim i tij të jetë edhe ISUV ( ish-IKV) i vetmi institut që i ka mbetur bujqësisë shqiptare nga 18 që kishte në kohën e sistemit njëpartiak.

03

Por çuditë në Shqipëri nuk përfundojnë këtu. Thuhet se një tjetër projekt prej 2 milionë eurosh është shtrirë edhe në vaksinimin e gomarëve. Ndoshta transparenca e palës shqiptare apo vetë BE-së do të zbardhte të vërtetën e këtij projekti, shumën e projektit, sa është harxhuar dhe procesverbalet me emrat konkretë të shtetasve që i posedojnë gomarët. Kjo do të hidhte dritë mbi të vërtetën e këtij projekti, i cili fillimisht u ndërmor nga strukturat e BE-së me arsyetimin se gomarët janë specie në ruajtje për shkak të pakësimit të numrit të tyre. Kjo tregon se Shqipëria përveç qytetarëve po boshatiset edhe nga gomarët, çka ka detyruar BE, të financojë për shëndetin dhe shtimin e numrit të gomarëve. Për të vetmit që nuk po mendojnë organizmat e BE-së në Shqipëri janë njerëzit, të cilët kanë marrë arratinë nëpër botë, duke e lënë Shqipërinë tokë të djegur. Por donatorët e BE-së harrojnë se po nuk pati njerëz, nuk do ketë çobanë që të ruajnë bagëtitë dhe t’u shërbejnë gomarëve shqiptarë.