BB bashkohet me FMN: Kujdes me projektin “1 Miliard USD”

556
Banka Botërore thekson, se më i rëndësishëm është përmirësimi i ambientit të ekonomisë se sa financimi i projekteve të veçanta
Ekspertët e Bankës Botërore, gjatë prezantimit të raportit të rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor, kanë folur edhe për planet e fundit të qeverisë shqiptare për të nxitur investimet përmes projekteve të koncesioneve apo partneritetit publik privat (PPP), me vlerë 1 miliard dollarë. Institucioni financiar ndërkombëtar pranoi se në fundmi kudo në botë PPP-të janë një instrument i rëndësishëm për përmirësimin e infrastrukturës. Por, ata pohuan se ky instrument duhet të përdoret për projekte me fizibilitet të lartë, si hekurudha dhe të tjera të ngjashme. Ilda Shijaku, eksperte e Bankës Botërore për Shqipërinë, tha se buxheti tashmë ka një rregull fiskal për PPP-të. “Ne rekomandojmë që këto kontrata të trajtohen në përputhje me standardet ndërkombëtare. Ministria e Financave duhet të forcojë kontrollin mbi PPP-të, edhe për shkak të detyrimeve që rrjedhin nga ligji organik i buxhetit”, tha zyrtarja e BB-së. Nga ana e saj, Banka Botërore pranon që paketa “1 Miliard” është një paketë e madhe investimi, por qeveria duhet të bëjë një analizë të qartë dhe të hollësishme për përfitimet që vijnë nga këto projekte. Shijaku tha se për ne më i rëndësishëm është përmirësimi i ambientit të ekonomisë se sa financimi i projekteve të veçanta nga paketa “1 Miliard”. Lidhur me paketën fiskale, ajo tha se çdo ndryshim duhet të marrë në konsideratë analizën kosto-përfitim. “Kuadri i taksave duhet të jetë i thjeshtë dhe i qartë dhe sa më pak i ndryshueshëm në kohë”, u shpreh Banka Botërore. Me rekomandimet e veta, Banka Botërore është në një linjë me FMN-në, e cila ka kërkuar një analizë të hollësishme kosto-përfitime për të gjitha projektet që qeveria shqiptare kërkon të ndërtojë përmes partneriteteve publike privat,e si dhe raportim të tyre sipas standardeve ndërkombëtare, çka nënkupton që ato të regjistrohen si borxh publik dhe të mos jenë borxh i fshehur. FMN ka shprehur rezerva edhe për paketën fiskale, ku kërkoi që të mos ulej kufiri i TVSH-së dhe tha që nuk shihte se si lehtësimi për hotelet me 5 yje do të zgjidhte problemet thelbësore të turizmit.

Banka Botërore ka paralajmëruar për Shqipërinë një ngadalësim të rritjes ekonomike, si rrjedhojë e përfundimit të investimeve të mëdha të huaja dhe rritjes më të ngadaltë sesa pritej të partnerëve tregtarë. Ekspertja e Bankës Botërore, Ilda Shijaku, tha se rritja ekonomike do të jetë më e ulët pas përfundimit të të projekteve të mëdha të TAP dhe Devoll dhe mosplanifikimit të projekteve të mëdha. Në tabelat e Bankës Botërore, parashikohet që rritja e vendit të jetë 3.8% në vitin 2017, për t’u ngadalësuar më pas në 3.6% në vitin 2018 dhe 3.5% në vitin 2019. Kjo është në linjë me pritshmëritë e FMN-së, që në raportin e tetorit uli me 0.4 pikë përqindje parashikimin për zgjerimin ekonomik të vendit vitin e ardhshëm, nga 4.1% në 3.7%, duke përmendur gjithashtu shqetësimin për rënien e investimeve bruto dhe kërkesës së brendshme. 
Sigal