Baza socialiste letër Edi Ramës

672
Sigal

As të mos e shkojnë ndërmend se do i votojmë më socialistët dhe deputetët e tyre mashtrues në zgjedhjet lokale

Hajde në Elbasan! Pse nuk po mbahen premtimet?!

Një letër e nënshkruar nga afro 1200 persona, anëtarë e militantë të PS-së në Elbasan, është nisur ditën e shtunë drejt Kryeministrit Edi Rama, ku kërkohet ardhja urgjente e tij në atë që ata me të drejtë e quajnë si “qyteti i 1001 halleve”.  Në letrën e tyre militantët e kësaj partie, ata që ishin pranë saj për 8 vjet me rresht, që mbushnin sallat dhe sheshet në mitingje, ata që prisnin me padurim ikjen e Saliut dhe ardhjen e Ramës në pushtet, ata që punuan ditën dhe natën për të fituar votat për PS dhe kandidatët e saj, kërkojnë nga Kryeministri të vijë e të japë llogari. Ata kërkojnë llogari për premtimet që nuk kanë shanse të mbahen, për punësimin që duket një ëndërr e keqe, për fukarallëkun që po thellohet, për rritjen e çmimeve, për dyert e mbyllur të institucioneve, ku drejtojnë socialistët, për telefonat e fikur të deputetëve, e për shumë zhgënjime të tjera. Elbasani, sot ka; mbi 22 mijë të papunë të regjistruar në Zyrën e Punësimit, mbi 3 mijë familje që jetojnë me ndihmën ekonomike dhe asistencë sociale, një biznes të vogël të asfiksuar, një sistem arsimor të denigruar, një shërbim shëndetësor të kalbëzuar, duke vazhduar të jetë jashtë vëmendjes së qeverisë aktuale. E ndërsa optimizmi i militantëve socialistë ishte mbajtur gjallë deri para 1 muaji, duket se zhgënjimi i tyre për premtimet e pambajtura, duket se nuk ka pikën e dyshimit. Njëri prej tyre, Isuf Metalla, u shpreh për “Telegraf” se: “Kam punuar për PS, për partinë time aq shumë sa njerëzit e mi në kohën e PD humbën edhe vendin e punës, tani nuk po më pret njeri, nuk po më hapin deputetët as telefonin, asnjeri nga familja ime prej 6 vetash, nuk ka gjetur një vend pune, pavarësisht se kam 3 me shkollë të lartë. Pse ky ishte shpërblimi për mua dhe mijëra të tjerë? Sepse sa ishin pa pushtet, na vinin në shtëpi, na luteshin, tani nuk i kap njeri sepse mbetën majë makinave e avionëve”.  Elbasani është qyteti që po përjeton zhgënjim, pasi është qyteti me problem sociale që kërkon zgjidhje dhe ajo po u mungon, është qyteti që  kërkon investime dhe ato po mungojnë, duke e trajtuar atë si  bashkia e Belshit. Socialistët e Elbasanit kërkojnë tashmë jo ministrat e deputetët, por Kryeministrin Rama, të vijë dhe tu shpjegojë atyre përse nuk priten nga të zgjedhurit me votën e 23 Qershorit, përse nuk po hapen vende të lira pune për 22 mijë të papunët e këtij qyteti, përse në institucione civile, policore dhe ushtarake po punësohen njerëz pa asnjë kontribut në fitoren plebishitare, përse po vonojnë investimet, etj., etj.. Edhe me e vështirë është situate në fshatrat dhe komunat e Gramshit, ku varfëria është ulur këmbëkryq dhe zhgënjimi ndaj atyre që erdhën dhe na kërkuan votat është i tejskajshëm. As të mos e shkojnë ndërmend se do i votojmë më socialistët dhe deputetët e tyre mashtrues në zgjedhjet lokale. Ne ju ofruam, bujarinë, mikpritjen dhe zemrën, ju dhamë votën  ndërsa ju na kthyet krahët. Deputetët tanë mbetën duke fluturuar me avionë nga njëri shtet në shtetin tjetër. Turp tu vijë këtyre horrave mosmirënjohës. Ndaj ata e presin Kryeministrin sa më shpejt në takim, si shpresa e vetme dhe bashkëbisedimi i tyre do të bëhet pa protokolle dhe censura, ashtu siç bëheshin takimet e para 23 Qershorit. Në të kundërtën  zhgënjimi i tyre do të konvertohet në aset për kundërshtarin e tyre historik, si kundërpërgjigje e vonuar.