Baza Logjistike e Mbrojtjes, 2 vjet në mëshirë të fatit, e mbuluar nga lagështira

471
Sigal

Një tjetër akuzë ndoshta do të drejtohet ndaj ish-drejtuesve të Ministrisë së Mbrojtjes, që lidhet me neglizhencën ndaj detyrimeve ligjore në zbatimin e detyrës. Baza Logjistike e Ushtrisë Shqiptare në Shkozet, prej afro 2 vitesh ka qenë e mbuluar nga lagështira dhe moskujdesi i autoriteteve përgjegjëse dhe ish-drejtuesve të Ministrisë Mbrojtjes. Kontejnerët me materiale logjistike për ushtrinë kanë qëndruar mes lagështirës, duke pësuar dëmtime serioze. Në një kohë kur jemi bërë pjesë e NATO-s njëri prej reparteve më të rëndësishme të ushtrisë prej 2 vitesh ka lënë në gjendje skandaloze pajisje logjistike.

Vendndodhja e Bazës Logjistike e Shkozetit

Ajo ndodhet në lagjen nr. 14 në Shkozet të Durrësit, e cila që prej disa vjetësh është vendosur baza logjistike e ushtrisë sonë. Ajo është ngritur në një territor, në të cilin dikur riparoheshin automjetet e reparteve ushtarake, të cilat kanë qenë dislokuar në rrethin e Durrësit. Baza tashmë është pjesë e një qendre të banuar pasi gjendet në mes të Shkozetit që është transformuar në një qendër të madhe banimi. Në këtë bazë magazinohen pothuajse të gjitha materialet logjistike të ushtrisë sonë, të cilët vijnë nga jashtë vendit. Një pjesë e mirë e tyre, pasi qëndrojnë për një farë kohë në këtë bazë shpërndahen nëpër repartet e ushtrisë. Por, ka edhe mjaft materiale ushtarake, të cilat qëndrojnë me vite në Shkozet të Durrësit, pa ditur se kur do të largohen prej andej. Në këtë bazë po ta quajmë kështu, punon një efektiv i reduktuar ushtarakësh, si dhe disa punonjës civilë, të cilët përpiqen që ta ruajnë dhe ta mirëmbajnë bazën logjistike. Pjesëtarët e këtij personeli janë të detyruar që për 6 apo 7 muaj në vit të punojnë me çizme llastiku, pasi për të kaluar nëpër territorin e repartit ku ata punojnë janë të detyruar të kalojnë mes një pellgu uji sa here bie shi. Kjo bazë kaq e rëndësishme logjistike, duhet të largohet nga Shkozeti një orë e më parë. Në territorin e bazës ndodhen kontejnerë të pa sistemuar prej vitesh. Brenda tyre ka patur pajisje të dhuruara nga ana e ushtrisë italiane në kuadrin e misionit të saj për modernizimin e Ushtrisë Shqiptare. Vlera e tyre llogaritet në disa qindra mijëra euro. Nga të gjitha anët e bazës, futet uji i shirave, duke e transformuar atë në një liqen artificial. Në këto kushte ruhen materialet logjistike të ushtrisë sonë prej disa vitesh, pa marrë asnjë masë nga ish-Shefi Shtabit dhe ish-ministri Mbrojtjes. Gjatë gjithë këtyre viteve, askush nuk ka vënë dorë për të kryer investime për shtrimin e rrjetit të kanalizimeve në këtë territori ushtarak. Por specialistë të ushtrisë thonë se: “lënia e bazës logjistike të ushtrisë në mes të Shkozetit është absurditet dhe jashtë logjikës ushtarake”. Ajo duhet të transferohet në një tjetër vend larg qendrave të banuara dhe në kushte të tjera sigurie. Kjo situatë skandaloze, është krijuar në një kohë që vendi ynë është anëtarësuar në NATO, kurse Baza Logjistike e ushtrisë ka qenë prej vitesh një repart jashtë përdorimit. Mësohet se MM çdo kosto të papërligjur do ta faturojë në xhepat e ish-drejtuesve të këtij dikasteri, madje, duke hapur edhe një hetim institucional ndaj tyre.