Baza kundër Mimit të Mbrojtjes në Elbasan

492
Nis lufta e ftohtë brenda llojit
LINDITA MALO
E ndërsa situata politike në qendër mbetet kaotike, e tillë mbetet ajo edhe në bazë, dhe kjo më e dukshme në bazën e PS. Lajmi i përhapur se “në Elbasan lista PS, kryesohet nga Mimi Kodheli” duket se nuk është pritur mirë, nga ata që pritet të drejtojnë fushatën e 18 qershorit, dhe kjo duket nga marrëdhënia e ftohtë e Taulant Ballës koordinatorit të qarkut, me disa prej emrave që po qarkullojnë. E tillë ka qenë edhe pritja që baza socialiste, kryesisht ata që mbështesin Ballën dhe grupin e tij, i kanë bërë emrit të Mimit të Mbrojtjes, e përfolur kohët e fundit shumë në media për shkak të detyrës. Shumica e militantëve të PS në Elbasan dhe Librazhd, e atyre që janë përkëdhelur nga qeveria e Rilindjes, natyrisht nuk kanë se ç’ta duan Mimin e Mbrojtjes, e cila nuk ka asnjë lidhje me zonën elektorale nga ku pritet të kandidojë. Pakënaqësitë e tij ndaj Mimit , koordinatori socialist Taulant Balla i ka shfaqur edhe në mjaft takime dhe ceremoni rutinë në qytete dhe fshatra të qarkut, duke lënë të nënkuptohet se “Mimi nuk ka vend në Elbasan, le të shkojë ku të dojë”. Por prania e Mimit të Mbrojtjes, duket se u ka prishur punë edhe deputetes socialiste Evis Kushi (e cila është spostuar tre vende nga lista) dhe ndonjë tjetër femre kandidate, e cila kishte marrë premtimin nga Rama qysh para 1 viti për 18 qershorin. Lufta e “ftohtë” brenda llojit në Elbasan ka gjasa të kthehet në luftë të “nxehtë” pasi po tentohet që të sabotohet kushdo kandidat që vjen pa miratimin e krerëve socialistë të qarkut, dhe natyrisht koordinatorit Balla. Fushata e 18 qershorit në dukje e qetë për PS në bazë, mbetet ndër më të nxehtat, pikërisht për sa i përket listës emërore të kandidaturave. Përballë një LSI të fortë dhe kompakte, duket se PS në shkallë qarku në Elbasan e ka të pamundur të orientohet pozitivisht për të siguruar fitoren në këto zgjedhje. Kjo për faktin sepse Rilindja e ka zhgënjyer një pjesë të mirë të elektoratit të saj, ka zhgënjyer hapur militantët e fushatave, të cilëve pasi u mori votat dhe kontributet, i la pa punë, pa mbështetje dhe në mjerim. Katapultimi i Mimit të Mbrojtjes drejt Elbasanit, mbetet ndoshta pika e “vlimit” të shumicës së socialistëve në qarkun e Elbasanit, me të cilët do të duhet punë dhe bindje e madhe, për tu mbushur mendjen se “fitorja e 18 qershorit do të jetë vota për ndryshimin e jetës tuaj”, kur shumica e tyre jetojnë sot edhe pa ndihmën ekonomike. E vështirë do të jetë tu mbushësh mendjen, edhe atyre ish-ushtarakëve të Elbasanit, të cilët Mimi i Mbrojtjes, u hoqi bukën e gojës, duke i flakur në rrugë pa asnjë motivacion ligjor, veç atij politik. E vështirë do të jetë tu mbushësh mendjen , atyre që u flakën në rrugë nga institucionet dhe ndërmarrjet e shtetit, atyre që Rilindja 4 vjet më parë u premtoi “punë, rend, siguri, mirëqenie”, dhe që sot nuk ka realizuar asnjë prej tyre. Fushata e 18 qershorit pritet të ketë surprizat e veta, sepse ka shumë militantë socialistë që hallet, problemet dhe punët e tyre i kanë mbaruar me drejtuesit e LSI, duke u bërë njëherësh edhe anëtarë të asaj partie. Importimi emrave dhe spostimet nga lista emërore e kontribuesve realë të pushtetit, pritet të sjellë në Elbasan dhe jo vetëm atje, surpriza jo fort të këndshme elektorale, për ata që erdhën 4 vjet më parë me premtimet dhe logjikën e Rilindësit, por qeverisën me mentalitetin e kanabistit. Ndaj baza e PS në Elbasan, i bëri thirrje kryesisë partisë, të rishikojë listën e kandidatëve, dhe të konsultohet me krerët lokale, ndryshe humbja mbetet opsioni i vetëm në 18 qershor. 
Sigal