Baza e PS-së, kundër Ngjelës dhe Bollanos

481
Sigal

Baza e socialistëve, kundër emërimit të avokatit dhe kundër aleancës me Bollanon. “Nuk duam ta prishim imazhin e mirë të së Majtës”

Duket se qeverisja e Majtë e drejtuar nga Rama dhe Meta, do të kenë shumë probleme me ish- deputetin e Djathtë dhe kreun e Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, i cili ka deklaruar disa herë se ai është caktuar Ministër i Drejtësisë, që do të reformojë ligjshmërinë dhe raportet me Kushtetutën shqiptare. Kështu në mes të Ramës dhe Ngjelës pritet një grindje e madhe, sepse strukturat e selisë rozë nuk janë dakort të përfaqësohen në qeverisje me një ish- deputet të djathtë, por edhe me kundërshtarin e dikurshëm të Ramës, në garën elektorale për Bashkinë e Tiranës. Nga ana tjetër, partitë aleate nuk i duan aspak teoritë e Ngjelës, të cilat ai i shpalos nëpër bisedat televizive, apo intervistat mediatike. Dhe një mospranim tjetër i bazës socialiste ka të bëjë me emrin e Bollanos. Nëse ai caktohet deputet i PBDNJ-së, koalicioni me të duhet të prishet.

Refuzimi

Refuzimi i Ngjelës ka ardhur pikërisht nga strukturat e Partisë Socialiste të Tiranës së Re, afër Bllokut, atje ku Spartak Ngjela ka banuar në rininë e tij, para arrestimit nga regjimi komunist. Këtu në këtë zonë, shumë socialistë të thjeshtë kanë kundërshtuar hapur caktimin e Ngjelës si ministër Drejtësie, duke thënë se kjo do të jetë e papranueshme për ta. Ata kanë menduar të firmosin një dokument në formë peticioni, kundër emërimit të Ngjelës, duke ia çuar këtë dokument Kryesocialistit dhe Kryeministrit të ardhshëm, Edi Ramës. “Nuk duam një përfaqësues të Djathtë në qeverisjen tonë të Majtë”, janë shprehur ata në debatet midis tyre, duke e vlerësuar nga ana tjetër edhe kontributin e Ngjelës, në luftën për diskredidimin e Sali Berishës. “Ai ka një kontribut kundër Sali Berishës, por për këtë meriton një bashkëpunim, por jo të bëhet ministër”. Ata gjithashtu janë kundër shkrirjes së partive të Djathta në PS, duke pranuar vetëm ato parti që janë të Majta tradicionalisht”, thonë ata. Në këtë kontekst, duket se Ngjela do të hapë shumë probleme në raportet me bazën, edhe sikur ai të pranohet ekskluzivisht si ministër Drejtësie.

Rama në mendime

Duket sikur zhvillimet e fundit e kanë vënë kreun socialist në mendime dhe vështirësi sepse ky është një problem që paraqet vështirësi për t’u zgjidhur. Pavarësisht se lidhja e Ramës me Ngjelën është e hershme, që në vitet e para ët pluralizmit, kur ata të dy, sipas Berishës, projektuan, ose themeluan Partinë KISS, përsëri strukturat e bazës nuk janë dakord me emrin e Ngjelës. Dhe ky mospranim i bazës, duket sikur po përhapet si epidemi nga njëra zonë në tjetrën dhe mund të parashikohet që shumë shpejt, emërimi i avokatit të anulohet. Kjo do të krijojë një pezmatim tek avokati, i cili është duke u përgatitur për reformat ligjore të cilat sipas tij do paraprijnë të ardhmen. Një problem tjetër shumë i madh që po diskutohet brenda këtyre strukturave është manovrimi i mundshëm i PBDNJ-së për të bërë deputet Bollanon. Kështuqë, nëse do të ndodhë kjo, baza socialiste do të refuzojë edhe koalicionin me PBDNJ-në. Kështu, nëse do të ndodhë kjo, baza socialiste do të refuzojë edhe koalicionin me PBDNJ-në. Kjo tregon se në politikën shqiptare strukturat e bazës po kërkojnë të vendosin një standard të ri, që ka të bëjë më shumë me moralin se sa me ligjin. Në mënyrë që të mos përsëriten më keqkuptimet e përzierjeve, ku të Majtë e të Djathtë futeshin në një koalicion, vetëm e vetëm për të garantuar marrjen e pushtetit dhe resurseve që burojnë prej tij.