Batutat e Ramës në Gjirokastër: Janë gratë që na bëjnë të marrim pushkët, se për ato luftojmë

77
Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm sot në Gjirokastër në një takim me fermerët, por nuk munguan as batutat e tij. Ai theksoi rolin e gruas në qeveri, dhe sulmoi Partinë Demokratike e cila nuk ka asnjë kandidate femër në Gjirokastër.
“Kjo PD nuk e gjeti një grua këtu në Gjirokastër? PD s’vendos dot një grua në Gjirokastër, edhe thotë Republika e Re, po ç’është kjo republikë e re me burra. Jo, mor jo, të na rrojnë gratë. Që kur jam bërë kryetar i PS, kam kërkuar që në statut të vendosen kuota, që të ketë 50% gra në asamble e kongres. Kemi arritur qeverinë me 50% gra e 50% burra. Se më thoshin mua: nuk kemi ne gra këtu shef. Po pse mor ju kush ju bëri? Janë vajzat që na frymëzojnë të marrim pushkët, se s’luftojmë për njëri-tjetrin, për femrat luftojmë,” tha Rama.

Kreu i qeverisë gjithashtu shpjegoi termin e ditëve të fundit “të mbajmë timonin, pa të tjerë në prehër”, duke thënë se “Nëse je në timon ke të gjithë përgjegjësinë, dhe nëse je i detyruar të mbash të tjerë në prehër që të mbajnë dorën në timon, përgjegjësia mbetet e madhe, por mundësia për të ecur shpejt, drejt, e pa pengesa është shumë e kufizuar. Ne kemi dhënë provën, që vetëm ne mund të bëjmë shtet. Se në 25 vjet, shteti ja hidhte qytetarëve, qytetarët ja hidhnin shtetit. Pensionistët, më të varfrit e paguanin rregullisht energjinë, ndërsa ata që bënin të fortin dhe që nuk respektonin ngjyrat e semaforit, nuk paguanin fare. Po ashtu dhe me taksat. Dhjetëra mijëra njerëz që punojnë në të zezë si skllevër. Ça shteti është ky? Ne vumë themelet”.