Batuta në parlament mes Ramës, Palokës e Ristanit

510
Replikat, por edhe të qeshurat, mes kryeministrit Edi Rama, kreut të grupit parlamentar Edi Paloka dhe deputetit të PD-së Arben Ristani u ndezën pasi kreu i qeverisë risolli në vëmendje gjyqin mes tij dhe dy kolegëve demokrat të cilët e paditën për shpifje. Rama tha se Paloka është shpifës profesionistë dhe këtë e provoi edhe vendimi i gjykatës.
Por pavarësisht kësaj, Ramës i ka ardhur keq për një “hallexhi”, sic ai quajti Palokën, i cili ushqehet në kurriz të broçkullave që partia e tij e porosit të thotë kundër qeverisë.
Edhe pse nuk i është përmendur emri, në debat ka ndërhyrë edhe deputeti Arben Ristani, por Rama tha se “një shpifës profesionist” e di vetë se kur i duhet të flasë dhe çohet në këbë! Mes kundër-sulmeve mes palëve, Ristani ka gjetur më në fund guximin të thotë vargje të Çajupit nga “ Klubi i Selanikut”…te cilat tha se i kish menduar t’i “recitonte” sa here nxeheshin diskutimet ne parlament.
Debatet
Rama: Kriminelët i përcakton gjykata. Kush është i dënuar me vendim gjykate është pa diskutim. Unë e di që për ju jam kryekrimineli por s’keni ç’bëni do ta përballoni. Ose ky që në gjykatë tha: Unë s’kam punë me këtë, por më thotë partia. Unë këtë punë kam, marr lekë për të folur kot.
Paloka: Kur është aty brenda pa kamera sillet ndryshe flet ndryshe, ku e ke dëgjuar të të them ndonjëherë që më kanë detyruar e s’kam çfarë të bëj. Unë mendoj më shumë se aq për ty sesa deklarata që bëri partia dhe nga salla e gjyqit ike ti duke turfulluar megjithëse kishe deklaruar se do vije në çdo seancë, nuk erdhe në çdo seancë me mua. Sa për dënimin, që mburresh ti, e dinë dhe ata se e ke zakon i merr në telefon ti.
Rama: Sa i përket gjyqit, do ishte shumë mirë që …
(Ndërhyn deputeti i PD Edmond Spaho) 
Rama: Të lutem profesor se ti nuk hyn tek ata që flasin kot, ti flet plot të lutem, janë të ndara gjërat…(ndërhyn sërish Spaho)
Rama: Ke të drejtë dy kemi ty dhe Kastriotin.
Vendimi i gjykatës është i qartë, dy shpifës profesionistë të cilët publikisht folën për fakte “Edi Rama është i lidhur me këtë, takohen me këtë, shkojnë atje, bashkë me atë tjetrin bëjnë atë. Dhe për këto fakte ju ftova në gjykatë të sillni një provë. Partia mendon për ty dhe ti ha bukë duke i shërbyer partisë dhe ti thua gjithë llojet e broçkullave që partia ka turp t’i thotë dhe të ka rënë një barrë e madhe se të kanë dhënë përsheshin më të madh se je dhe kryetar grupi. Ha përshesh dhe dhallë se punën që të ka dhënë partia e bën shumë mirë. Ti je hallexhi.
Paloka: Nuk pres as të bëhem kryetar grupi as kryeministër që të bëj zhgarravina dhe në emër të qeverisë ti çoj nëpër ekspozita. Ke qenë i dështuar gjithë jetën sa u bërë kryeministër për të hapur ekspozita jo për të drejtuar qeverinë. Ti vazhdo merru me zotësitë tona, zotësitë e tua po ti sheh ky popull përditë. Hap ekspozitat e tua se do ti shikojë ky popull o kryepiktor
(Kërkon fjalën Arben Ristani)
Leskaj: Nuk tu përmend emri zoti Ristani
Rama: Emrin nuk ja përmenda po përderisa thash emrin “shpifës profesionist” ai e di vet çohet në këmbë. Vazhdo dhe ti do hash dhe ti bukë për sot do hash dhe ti pjesën tënde se ta mori përsheshin Paloka.
Ristani: Dëgjojmë vetëm fjalë të ndyra dhe të shpifura nga ky zotëri. Më vjen në mëndje ka një gjë të bukur te “Klubi i Selanikut”. “Po tu thaftë goja more beu ynë, si nuk the një fjalë të mirë, po qenke vesh gjatë more beu ynë, po qenke turk more beu ynë”. Dhe kjo shprehje shkon shumë mirë me gjithë këtë turme arrogantësh dhe turkoshakësh që ke mbledhur me të cilët do të bësh edhe reforma. E di që janë të paaftë dhe flenë nën miza po shyqyr që e di dhe ti dhe jua thua edhe në sy, po harron që këtë parlament e ke kriminalizuar ti. “Turkoshak dhe veshgjatë, tu thaftë goja që nuk the një fjalë të mirë”.  
Sigal