BATON MAFJA DHE SHQIPËRIA SI NJË OJQ E TIJ

618
Sigal

Argumentimi i Presidentit Meta: Deklaratat e Cakajt për kufijtë, me pasoja të paparashikueshme

Presidenti Meta refuzon kandidaturën e Gent Cakës, nuk e dekreton si ministër i Jashtëm: Është i papërgjegjshëm dhe pa përvojë

Presidenti Ilir Meta refuzon të dekretojë Gent Cakajn si ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme. Refuzimin dhe arsyet presidenti i ka postuar në faqen zyrtare të presidencës. Mes tyre renditet fakti se Cakaj nuk ka përvojë dhe është “i papërgjegjshëm”. Gent Cakaj u propozua nga kryeministri Edi Rama për të zëvendësuar Ditmir Bushatin, i cili u shkarkua nga kryeministri gjatë Asamblesë Kombëtare që u mbajt, më 28 dhjetor.

Zoti Kryeministër,

Gjatë ushtrimit të detyrës së tij si zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Gent Cakaj ka dëshmuar me të dhëna, me fakte e qëndrime se, jo vetëm që i mungon përvoja e sprovuar në fushën e politikës së jashtme, por se qëndrimet e tij publike lidhur me çështje thelbësore të politikës rajonale janë të papranueshme. Qëndrimet e tij publike në kontekstin e debatit për të ashtuquajturin korrigjim të kufijve të Kosovës e Serbisë por edhe të Ballkanit Perëndimor janë në kundërshtim të plotë me programin e qeverisë aktuale për politikën e jashtme dhe shtjellimin e saj nga Ministria e Punëve të Jashtme (citoj nga intervista e Zv/ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, për emisionin “Zona e Debatit” në Klan Kosova, dt. 01 nëntor 2019. “…Tani te korrigjimi i kufijve semantikisht kjo nuk është thjeshtë një operacion linguistik për ta relativizuar çështjen e këmbimit territorial, por situata ka evoluar tutje. Evoluimi i parë është, sepse po konceptohet në suaza të korrigjimeve të përgjithshme territoriale që janë duke ndodhur në Ballkanin Perëndimor”…). Këto deklarata të rrezikshme të z. Gent Cakaj, me pasoja të paparashikueshme në rajon dhe me gjerë, në planin dypalësh dhe më tej, janë në kundërshtim të hapur me politikën rajonale të shtetit shqiptar, të NATO-s dhe të vetë Bashkimit Evropian.

Gent Cakaj qëndroi 7 muaj pa certifikatë sigurie si zv.ministër i Jashtëm

Nga informacioni i administruar mbi verifikimin e sigurisë dhe pastërtisë së figurës, Presidenti i Republikës ju bën me dije se:

  1. Z. Gent Cakaj ka treguar mungesë të theksuar të përgjegjshmërisë gjatë ushtrimit të detyrës së Zëvendësministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke neglizhuar zbatimin e ligjit dhe akteve nënligjore që garantojnë qarkullimin e sigurt të informacionit të klasifikuar sekret shtetëror. Nga informacioni zyrtar i administruar nga MEPJ, nga DSIK dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese rezulton se z. Gent Cakaj, për një periudhë të vazhdueshme prej 7 muajsh ka neglizhuar qartësisht zbatimin e akteve ligjore dhe nënligjore të sipërcituara, që sipas parashikimeve të ligjit përbëjnë shkelje penale dhe janë të dënueshme sipas legjislacionit në fuqi.
  2. Procesi i certifikimit të sigurisë për z. Gent Cakaj i kryer nga DSIK brenda një dite (04 01.2019), duket hapur që është një proces i kryer në kushtet e urgjencës, dhe në kundërshtim me procedurën dhe kërkesat e ligjit nr. 8457, datë 11.02.1999 “Për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror”, i ndryshuar dhe VKM nr.188, datë 04.03.2015 “Për miratimin e rregullores për sigurimin e personelit”. Në formën se si është kryer, procesi i verifikimit të sigurisë për z. Gent Cakaj nuk garanton besueshmërinë e duhur të Certifikatave të Sigurisë të lëshuara nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasikuar (DSIK).

Zoti Kryeministër, Për sa u parashtrua më sipër:

Kandidatura e z. Gent Cakaj nuk i plotëson kushtet, nuk krijon besueshmëri dhe nuk ofron garancitë e nevojshme për ushtrimin me objektivitet dhe në lartësinë e kërkuar të detyrës tepër të rëndësishme të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme. Në këto kushte, Presidenti i Republikës, në përmbushje të detyrimeve kushtetuese si Kreu i Shtetit, si Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe rolit të tij specifik kushtetues në politikën e jashtme të shtetit shqiptar, refuzon propozimin tuaj nr. 6174 prot., datë 31.12.2018, për emërimin e z. Gent Cakaj, në detyrën e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë.

Kryeministri Rama reagon: Vendim i turpshëm dhe skandaloz

Me një reagim në rrjetin social Twitter, vetëm pak, pasi Meta bëri publike letrën për mosdekretimin e Gent Cakajt, si ministër i Jashtëm i Shqipërisë, Rama shkruan: Refuzimi i Presidentit për dekretimin e Ministrit të ri për Evropën e Punët e Jashtme, është jo vetëm antikushtetues, po edhe i turpshëm. Argumentet e dhëna nga zoti President janë të frikshme për nivelin skandaloz dhe turpëruese për institucionin. Ndjesë Kosovës për këtë turp!

Presidenti Meta: Pavarësia, integriteti territorial i Kosovës, janë të padiskutueshme për Republikën e Shqipërisë

Presidenti Meta i kundërpërgjigjet reagimit të kryeministrit Rama me një postim në facebook: “Pavarësia, integriteti territorial i Kosovës dhe vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, janë të padiskutueshme për Republikën e Shqipërisë, deri në sekondën e fundit si President i vendit tim”, – shkruan zoti Meta

Kryeministri Rama: Nëpërkëmbi një djalë të ri, një mijë herë më të ditur se ai

Në Twitter Rama shkruan se, Meta zgjodhi të nëpërkëmbë një djalë të ri 1000 herë më të ditur se ai. “Që Presidenti ynë të shkelë Kushtetutën, godasë qeverinë, nëpërkëmbë një djalë të ri e të paktën 1000 herë më të ditur se ai, duke u marrë paturpësisht me fjalë si të ishte Dëshmitari X…Oh çfarë marre! IM me qyqarët e kadrinjtë mbrojnë Kosovën nga një shqiptar i Kosovës Pupupu”, ka shkruar Rama.

Berat Buzhala: Rama s’ka pse i kërkon falje Kosovës, por Batonit

Në Kosovë, nëse flasim me gjuhë popullore, qasja e Edi Ramës, por edhe e Batonit Haxhiut, karshi Gent Cakës, ishte kjo: “Mish për top”. Edi Rama nuk ka nevojë me i kërku falje Kosovës për pamundësinë e emërimit të Gentit në krye të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Me sa kam unë njohuri, Genti nuk po emërohej aty si Ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, por si ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Rama, e Batoni, as nuk i kanë borxh Kosovës e as Kosova nuk iu ka borxh atyre. Fatkeqësia, e për këtë më vjen shumë keq, është që Genti u përdor nga Rama, ndoshta edhe nga Batoni, për qërim hesapesh të brendshme. Kanë mendu, që duke e propozu një djalë nga Kosova për kreun e diplomacisë, do të përfitojnë nga simpatia patriotike. Mirëpo me kërku mëshirë në raste të këtilla është naivitet. Gentin nuk e ka propozu populli i Kosovës, në një referendum, për Ministër të Punëve të Jashtme. Gentin, po besoj, e ka propozu Batoni. Prandaj Edi Rama mundet me i kërku falje veç Batonit.

Festim Halili ish-zv.kryeministri i Maqedonisë: Meta veproi drejt, Rama është një aventurier

Presidenti Ilir Meta në këtë rast nuk dha dritë jeshile për propozimin e emërimit të Ministrit të ri të Punëve të Jashtme, duke elaboruar dhe justifikuar vendimin e tij. Nga këndvështrimi im, mendoj që një veprim i tillë duhet të shihet si i matur, me faktin që Rajoni ndodhet në një situatë të komplikuar gjeopolitike dhe gjeostrategjike dhe nuk duhet rrezikuar me një aventurë të tillë.

Kryeministri Rama, para ambasadorëve: Presidenti vazhdoi me avazin e vjetër

Kryeministri Edi Rama, nga takimi i fundit i vitit me ambasadorët e akredituar në Shqipëri, ka lëshuar një tjetër mesazh kundër Presidentit Meta, për mosdekretimin e ministrit të ri të Jashtëm, Gent Cakaj. “Takimin po e bëjmë jo si gjithmonë, por tani, sepse fundi i vitit të kaluar ishte shumë intensiv. Ju sot erdhët këtu, gjetët një qeveri të re por një Shqipëri të njëjtë, dhe me avazin e Presidentit të Republikës, që nuk pranoi të dekretojë një ministër të Jashtëm, por unë nuk e parashikoja dot këtë fakt”, – tha kryeministri Rama para ambasadorëve.

Naser Rugova, deputet i Kuvendit të Kosovës: Presidenti Meta ka bërë gjënë e duhur!

Naser Rugova, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës shpreh mbështetjen e tij, ndaj Presidentit Ilir Meta, për mosdekretimin e Gent Cakajt në krye të Ministrisë së Jashtme. Të jeni i sigurt se vendimi juaj për mos dekretimin e një çuni të ri (anonim), për postin e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, duke ditur se kush qëndron pas tij si dhe deklarimet e tij aventuriere, të dëmshme në raport me Kosovën dhe stabilitetin në Rajon, ka mbështetje të gjerë te spektri politik, opinioni publik dhe qarku kulturor dhe analitik në Kosovë! Keni bërë gjënë e duhur! Të jeni të bindur për këtë! Do e keni mbështetjen tonë të gjithanshme! Me shumë respekt, Dr. Naser Rugova, Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Vetëvendosje” kundër dekretimit të Cakajt: Shqipërisë nuk i duhen ministra të Batonit dhe Thaçit

Lëvizja “Vetëvendosje” në Kosovë ka përshëndetur vendimin e presidentit Ilir Meta për të mos dekretuar si ministër të jashtëm Gent Cakajn. Vetëvendosje shprehet se Shqipërisë nuk i duhen ministra të Baton Haxhiut e Hashim Thaçit. Në Prishtinë dihet ajo që thotë Baton Haxhiu se e ka angazhuar për vite të tëra Cakajn me pagë shumë të lartë që të bëjë analizën e sondazheve, të cilat i porosit Haxhiu. Prandaj, Baton Haxhiu sot e kërcënoi Presidentin Meta me një reagim, sepse është i shqetësuar për fatin e investimit të tij shumëvjeçar. Në datën 11 janar 2018, në intervistën e dytë të Cakajt në Klan Kosova me Baton Haxhiun, sqarohen disa qëndrime edhe më të rrezikshme. Aty ai mbron me të gjitha kapacitetet që ka idenë e Thaçit për copëtimin e Kosovës. Ai shkon aq larg, sa merret edhe me ndarjen e aseteve të Trepçës, por përdor edhe shprehje si “Veriu i Mitrovicës, nëse mbet në Kosovë …”. Ai lë të nënkuptohet se nuk është kundër copëtimit të veriut dhe instalimit të një forme të “Zajednicës” në pjesët e tjerat të vendit.

Ish-kryeministri Berisha: Gjarprit iu pre bishti, por duhet shtypur koka!

Një goditje e merituar për flamurtarët albanofob të serbomadhisë! Të dashur miq, refuzimi me dekret i Presidentit të Republikës për të emëruar ministër të Jashtëm të Shqipërisë të propozuarin e Zografit bis, çirakun e argatit in chef, Baton Haxhiut ishte një goditje e merituar e flamurmbajtësve albanofob të projektit të serbomadhisë në Tiranë dhe në Prishtinë. Por me këtë akt, shqiptarët duhet të jenë të vetëdijshëm se gjarprit në Tiranë dhe Prishtinë, pra me dy koka, iu pre bishti dhe jo kokat. Ato duhet shtypur një minutë e më parë!

Rama kundër Edita Tahirit: U bashkove me ca qyqarë, ah çfarë llumi…

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për mosdekretimin e Gent Cakajt si ministër i Jashtëm nga presidenti Ilir Meta. “Ah, edhe Edita Tahiri, bashkuar me ca qyqarë që salutojnë vendimin e vizionarit IM! Ah çfarë llumi, mllefi e terri që “vizionarët”e kësaj kategorie e jashtëqesin si lumë dashurie për kombin! Genti e dashur Edita i meriton sulmet tuaja aq sa këta “vizionarë” emrin njeri! Po ti xhan?”- shkruan Rama.

Edita Tahiri i përgjigjet ashpër Edi Ramës: Nuk ishe i zoti ta kundërshtoje në Serbi ndryshimin e kufijve

Ish-kryenegociatorja e Kosovës për bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri: Kryeministri Rama është mjaft i pasur me fjalorin e tij për të bërë reagime, dhe s’di si e gjen kohën për këtë, në vend që të ulet dhe të mendojë strategjikisht për kombin shqiptar, për luftën gjeopolitike që po ndodh sot në dialogun e Brukselit. Vetë Edi Rama kur ishte në Serbi, në vitin 2016, nuk ishte i zoti t’i thoshte JO ndryshimit të kufijve homologut serb dhe në këtë lojë u përfshi edhe zt.Thaçi, duke importuar ide serbo-ruse. Këto nuk janë vetëm në dëm të Kosovës, por në dëm të kombit shqiptar. Mendoj që Presidenti Meta bëri një vendim kombëtar dhe vizionar sepse nuk dekretoi një kandidat që ishte hapur për ndryshimin e kufijve, që i bie që ka qenë hapur pro dëmtimit të interesave nacionale. Me këtë vendim, Presidenti Meta edhe një herë e rikonfirmoi ashtu siç është deklaruar që është në mbrojtje të shtetit të Kosovës dhe luftës tonë 100-vjeçare për të ardhur deri tek pavarësia.

Amerikanët të prerë: VOA kalon në filtër “ministrin” e Batonit

Kreu i Shtetit ndalet gjerësisht në dy argumente konkretë që sipas tij e bëjnë të papranueshme kandidaturën. Ai shprehet se që nga momenti i emërimit të tij në postin e zëvendës ministrit të Jashtëm, zotit Gent Cakaj “i lind detyrimi ligjor që të aplikojë dhe të pajiset me Certifikatat përkatëse të Sigurisë”, por ai e ka shmangur këtë detyrim. “Nga informacioni zyrtar i administruar nga ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese rezulton se zoti Cakaj, për një periudhë të vazhdueshme prej 7 muajsh ka neglizhuar qartësisht zbatimin e akteve ligjore dhe nënligjore të sipërcituara, që sipas parashikimeve të ligjit përbëjnë shkelje penale dhe janë të dënueshme sipas legjislacionit në fuqi”, shkruan zoti Meta. Sipas Kreut të Shtetit “zoti Cakaj, me mosplotësimin e formularit të aplikimit dhe mospajisjen me Certifikatat përkatëse të Sigurisë për periudhën 7 qershor 2018 deri në 3 janar 2019, jo vetëm që ka vënë në rrezik informacionin e klasifikuar sekret shtetëror apo sekret NATO dhe BE, por nga ana tjetër ai ka shfaqur haptazi mosbindjen e tij përballë një detyrimi të qartë ligjor”. Një tjetër aspekt i kundërshtuar nga presidenti Meta janë dhe disa qëndrime publike të mbajtura nga zëvendës ministri i Jashtëm. “Zoti Gent Cakaj ka dëshmuar me të dhëna, me fakte e qëndrime se jo vetëm që i mungon përvoja e sprovuar në fushën e politikës së jashtme, por se qëndrimet e tij publike lidhur me çështje thelbësore të politikës rajonale janë të papranueshme”, shprehet zoti Meta duke iu referuar konkretisht disa deklaratave të tij lidhur me idetë për shkëmbimin e territoreve apo korrigjimin e kufijve mes Serbisë dhe Kosovës gjatë një emisioni televiziv. Sipas zotit Cakaj, një ide e tillë “po konceptohet në suaza të korrigjimeve të përgjithshme territoriale që janë duke ndodhur në Ballkanin Perëndimor”, është shprehur ai gjatë intervistës. Ndërsa vë në dukje rëndësinë dhe rolin e ministrisë së Jashtme shqiptare përballë disa sfidave të afërta të diplomacisë si në kuadër të presidencës së ardhshme të OSBE-së ashtu dhe në pritje të vendimit për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me BE-në, zoti Meta e mbyll letrën e tij dërguar kryeministrit duke u shprehur se “kandidatura e zotit Gent Cakaj nuk i plotëson kushtet, nuk krijon besueshmëri dhe nuk ofron garancitë e nevojshme për ushtrimin me objektivitet dhe në lartësinë e kërkuar të detyrës tepër të rëndësishme të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme”. Ndërsa ka refuzuar dekretimin e ministrit të ri, presidenti Meta nuk ka firmosur ende shkarkimin e ministrit aktual Ditmir Bushati, i cili, për pasojë vijon të mbetet zyrtarisht në detyrë.