Bashkohen komunistët, ja filozofia e aksionit

486
Sigal

Kryetari, Marko Dajti, kërkon rikthimin në identitet të së majtës dhe mbrojtje të shtresave të varfra e në nevojë

Fronti i Majtë është realiteti më i ri në skenën politike shqiptare. I lindur pak javë më parë si një bashkim i forcave politike kryesisht pranë ekstremit të majtë, tashmë ky organizëm ka konsoliduar strukturat drejtuese dhe ka zgjedhur kryetarin, Marko Dajti. Ky i fundit është dalluar kohët e fundit për qëndrime tejet kritike ndaj qeverisë së majtë të ardhur në pushtet pas zgjedhjeve të 23 Qershorit, kritika për të cilat vetë Dajti është shprehur: “se kanë si qëllim konsolidimin e pushtetit të së majtës dhe promovimin e ideve dhe idealeve vërtet të majta”.

Mbledhja te ish-libraria “Flora”

Nuk dihet nëse salla e zgjedhur për këtë rast ishte rastësisht apo qëllimisht pranë ish-librarisë “Flora”, vendi nga ku për një periudhë disavjeçare u drejtua në ilegalitet lëvizja komuniste gjatë Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare. Përfaqësues nga Partia e Punës e Shqipërisë, drejtuar nga Muharrem Xhafa, Partia e Punës e Riorganizuar, drejtuar nga Marko Dajti, Lëvizja për Drejtësi e Shqiptarëve, drejtuar nga Astrit Kosturi dhe Partia “Toleranca e re” që përfaqëson minoritetet, drejtuar nga Avdi Keçi u mblodhën dje në orën 10:00 me cilësinë e delegatëve në mbledhjen e dytë të përgjithshme të Këshillit të Përgjithshëm të Frontit të Majtë. Në rendin e ditës ishte e vetmja pikë që kishte mbetur pezull: zgjedhja e kryetarit. Mbledhjen e drejtoi një nga figurat më të spikatura të së majtës, Prof. Dr. Muharrem Xhafa, si më i moshuari ndër delegatët. I promovuar prej kohësh nga mediat si kryekomunisti i Shqipërisë, Marko Dajti ka fituar zgjedhjet në forumin më të lartë drejtues, Këshillin e Përgjithshëm përballë një tjetër figure të shquar të së majtës, ish-ushtarakut Astrit Kosturi. Paraqitja e platformave politike nga kandidatët u pasua nga votimi i fshehtë i gjithë anëtarëve të KP të Frontit të Majtë.

Pakënaqësia në rritje

I kontaktuar në linjë telefonike, kryetari i sapozgjedhur, Marko Dajti, thotë se, kjo lëvizje pritet të sjellë jo vetëm ndryshime sasiore, por edhe cilësore brenda së majtës. Sipas tij, kjo është një forcë që përfaqëson jo më komunizmin klasik, sikurse ishin partitë e mëparshme komuniste, por përfaqëson socializmin radikal, pa kompromise dhe larg politikës së kalbur të këtyre dy dekadave të fundit. “Edhe pse ka fituar zgjedhjet, e majta ende nuk është në pushtet, madje as vetë Partia Socialiste”,- thotë kryetari Dajti. “Përditë e më shumë dalin në skenë fakte që implikojnë rëndë qeverisjen aktuale. Hajdutët e Sali Berishës, në vend që të shkojnë në burg, po paguajnë në xhepat e drejtuesve të rinj ryshfete nga paratë e vjedhura dhe po bëhen drejtorë socialistë. Njerëz pa asnjë lloj merite, pa bërë një ditë punë në administratë, po katapultohen në poste nga më të lartat. Në qoftë se qeverisja e Sali Berishës u shemb nga arroganca dhe korrupsioni, qeveria “Rama” po kalbet shumë më shpejt nga i njëjti arbitraritet, i shoqëruar nga nepotizmi dhe shitja e vendeve të punës. Jo rastësisht edhe disa parti të tjera, pjesë e koalicionit të majtë, kanë shprehur hapur pakënaqësinë nga mungesa e pjesëmarrjes në bashkëqeverisje, megjithëse i kanë plotësuar kriteret që u përcaktuan përpara zgjedhjeve. Për ata nuk ka vende të lira, jo sepse i kanë zënë socialistët, por sepse njerëzit pranë Edi Ramës ua kanë shitur këto vendeve hajdutëve të Sali Berishës. Nuk mund të mendoj se e majta do të përfaqësohet nga këta njerëz pa moral, nuk mund të mendoj se këta hajdutë do të mbrojnë shtresat e njerëzve të varfër e në nevojë”,- pohon ai. Edhe në rastin e Frontit të Majtë po evidentohet qartë pakënaqësia në rritje brenda koalicionit të majtë. Por a do të jenë vetëm këta?

Partia e aksioneve

Marko Dajti thotë se, Fronti i Majtë është i hapur ndaj të gjitha forcave politike të majta që duan të bëhen pjesë, qofshin këto komuniste apo më afër qendrës. “Ka ardhur koha për një aksion të ri politik që do të shkallmojë sistemin e kalbur bi apo tripartiak që po i mban shqiptarët nën zgjedhë prej më shumë se njëzet vjetësh. Mjaft më me demagogji e mashtrime elektorale. Mjaft më me abuzime në emër të idealeve socialiste. Tashmë të majtët e ndershëm që nuk e pranojnë dot të qeverisen nga “socialistë emergjentë” apo “të majtë të konvertuar”, duhet të bashkohen me një zë të vetëm. Për Kryeministrin Rama ka vetëm një rrugë: Të qeverisë duke patur në krahë socialistë dhe të majtë të tjerë të ndershëm dhe me kontribute, të qeverisë, duke patur si pikë orientimi idetë dhe idealet e majta, ose përndryshe të largohet. Partia Socialiste dhe forcat e tjera politike të majta kanë shumë njerëz të tjerë të denjë t’i rikthejnë nderin e nëpërkëmbur të majtës shqiptare”,- shprehet ndër të tjera z. Dajti. A do të jetë Fronti i Majtë një risi në politikën shqiptare? Këtë padyshim do ta tregojë koha. Por njerëzit e drejtuar nga Marko Dajti duket se, kanë zgjedhur një filozofi të re për t’i mbijetuar presionit që ushtrohet nga “të mëdhenjtë”, atë të aksionit politik. I lindur si një aspiratë e të majtës radikale, Fronti i Majtë e dha sinjalin e parë me aksionin e mbetur në tentativë për rrëzimin e bustit të Zogut. Dhe Dajti premton se ky është vetëm fillimi…