Bashkitë mbajnë pezull administratën, Pogradeci, konstituimi me debate të ashpra

450
Nga 61 bashki që ka Shqipëria, vetëm në atë të Shkodrës nuk është kryer konstituimi i këshillit bashkiak, që shoqërohet njëherësh me betimin e kryetarit të dalë nga votat e 21 qershorit. Dje u krye konstituimi i Bashkisë së Pogradecit, një njësi vendore e fituar nga e djathta. Ndërkaq, më 20 gusht, pritet që të realizohet dhe konstituimi i Bashkisë së Shkodrës, e vetmja njësi vendore e mbetur, e kjo për shkak të ankimimeve të bëra për zgjedhjet nga partitë politike për rezultatin e zgjedhjeve në KQZ dhe më pas në Kolegjin Zgjedhor. Po pavarësisht se është kryer pjesa më e madhe e vënies në punë të bashkive të reja, akoma nuk është përcaktuar numri i punonjësve, ku organika duhet të miratohet nga “parlamentet” lokale, që propozohen nga kryebashkiaku. 

Vetëm në disa bashki si ajo e Tiranës dhe ajo e Pustecit janë marrë vendimet për përcaktimin e numrit të punonjësve. Në Tiranë, këshilli bashkiak miratoi me votat e bashkuara të shumicës dhe opozitës fondet e ndihmës për personat me aftësi të kufizuara dhe shpërndarjen e banesave sociale për familjet e pastreha, si dhe numrin e ri të punonjësve. Ekspertët pohojnë se përveç entuziazmit të ditëve të para, një mori vështirësish po dalin me ndarjen e re administrative, sepse mungon baza ligjore nga një anë dhe fondet e mjaftueshme nga ana tjetër. Por kjo situatë tranzitore shihet dhe si kaotike, për faktin se qeveria nuk ka hartuar akoma ligjet e plota sa i përket decentralizimit. Kjo pritet të plotësohet në ditët në vijim si pjesë e reformës dhe të procesit të decentralizimit. Ekspertët shprehin se janë të paktën 100 ligje ekzistuese që duhen ndryshuar dhe përshtatur me ligjin e ri ndarjen administrativo-territoriale.
Përplasjet në Pogradec
Mbledhja e këshillit bashkiak të Pogradecit është shoqëruar me debate mes anëtarëve të këshillit. I pranishëm në këtë mbledhje ishte zëvendëskryeministri Niko Peleshi. Që në fillim, mbledhja u shoqërua me debate për shkak se anëtari i PD-së, Erzen Qeva, dha dorëheqjen me argumentimin se një i vëllai i tij, ishte zgjedhur anëtar me një parti aleate me koalicionin e djathtë. Bëhet fjalë pikërisht për Diogjen Qevën, i dalë si këshilltar nga votat e marrë nga Partia Agrare, pjesë e koalicionit të djathtë. Për këtë shkak të këtij qëndrimi, mbledhja u bllokua për më shumë se një orë e gjysmë. Mospasja e një liste të emrit pasues nga KQZ-ja solli pezullimin e mbledhjes. Pas këtyre debateve u vendos për të realizuar procesin e zgjedhjes së kreut të këshillit, ku PS-ja propozoi anëtaren e saj, Natalja Velo. Të djathtët, kanë surprizuar me propozimin e tyre duke hedhur si kandidaturë të tyre, Aleksandër Çelën. Ai është zgjedhur si anëtari i këshillit nga Partia Demokracia e Re Europiane, e cila ka qenë në koalicionin e majtë qeverisës. Ky propozim u bë me qëllim për të bërë një përçarje votash brenda së majtës. 

Velo mori 16 vota, ndërsa Çela 13 vota. Ndërsa dy vota nga e majta kanë pësuar rrjedhje votash. Një votë e gjetur jashtë kutisë për kandidaten Velo u bë gjithashtu objekt i debatit mes të djathtëve, të cilët u shprehën se nuk e njihnin këtë proces. Ndërsa me konsensus u zgjodhën edhe dy nënkryetarët e këshillit: Brunilda Prifti e PD dhe Marjeta Biba LSI, e të majtëve, ndërkohë që zëvendësimi i këshilltarit të djathtë, Erzen Qeva, u shty për në mbledhjen pasardhëse. Kështu, e majta merr drejtimin e këshillit bashkiak, kjo bashki drejtohet nga i djathti, Eduard Kapri. Pas mbylljes së këtij procesi, u bë betimi i kryebashkiakut të ri. Në fjalën e tij, Kapri u shpreh se “puna e tij do të jetë zgjidhja e problemeve të banorëve të bashkisë së re dhe kjo pa asnjë dallim politik. Prej tani, startojmë së bashku implementimin e Projektit Strategjik MAT (Mjedis – Agrobiznes – Turizëm) për Zhvillimin e Integruar të Bashkisë Pogradec”. Fitorja e Bashkisë së Pogradecit nga ana e kandidatit të djathtë, pas më shumë vitesh, shkaktoi një tronditje nga e majta, e cila përfaqësohej nga kandidatja e propozuar nga LSI-ja, Diana Mile. Humbja e kësaj njësie vendore, një prej bastioneve të së majtës, iu faturua mosbashkëpunimit mes dy partive PS-LSI, si dhe faktit se socialistët nuk e pranojnë që kjo bashki t’i lihet aleatit të tyre.
Sigal