Bashkimi kombëtar, Fleckenstein: Deklaratat e Ramës të padobishme

526
Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Knut Fleckenstein thotë se u çudit me deklaratat e kryeministrit Edi Rama se shqiptarët do të mund të bashkohen pavarësisht nëse integrohen në Bashkimin Evropian ose jo.
Në një intervistë për Euractiv, Fleckenstein thotë se deklarata të tilla bëhen më shumë për fushatë.
“Deklaratat e kryeministrit shqiptar, të cilave iu referoheni, u pritën me shumë habi nga unë dhe kolegët e mi në Parlamentin Evropian. Është e qartë për mua se ato i adresoheshin një audience lokale dhe janë ndikuar shumë nga klima e tensionuar parazgjedhore në Shqipëri, para zgjedhjeve lokale më 21 qershor. Megjithatë, deklarata të tilla sigurisht nuk janë të dobishme, sidomos duke pasur në mendje rolin konstruktiv të Shqipërisë në stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal. Dhe po, kam biseduar me kryeministrin për këtë”- u shpreh ai.
I pyetur sa ka ndikuar kriza greke për integrimin e Shqipërisë në BE, raportuesti Knut Fleckenstein thotë se ajo ka pasur ndikim në përceptimin e zgjerimit.
Eurodeputeti e cilëson për të ardhur keq, deklaratën e kreut të Komisionit Europian Jan Kloud Junker, se brenda 5 viteve nuk do të ketë zgjerim. 
“Kjo ka shkaktuar shumë nervozizëm në Ballkanin Perëndimor, pavarësisht disa deklaratave qetësuese që pasuan. Ajo gjithashtu ka shkaktuar shqetësim për të gjithë ata që janë të angazhuar për një politikë aktive të zgjerimit të BE-së. Kolegët e mi social demokratike në Parlamentin Evropian kanë qenë ndër të parët për të kritikuar një qasje të tillë të politikës së zgjerimit. Është shumë e rëndësishme që vendet e Ballkanit Perëndimor të zbatojnë plotësisht reformat e nevojshme lidhur me BE. Ata duhet të bëjnë detyrat e shtëpisë”- tha eurodeputeti.
Sigal