Bashkimi i votave në Gjirokastër, Kryemadhi tregon a do ketë bashkëpunim PD-LSI

626
Një ditë pasi këshilltarët e PD dhe LSI bashkuan votat në Gjirokastër për të shkarkuar kryetaren dhe nënkryetaret e Këshillit Bashkiak, dhe emërimin e drejtuesve të rinj, ka reaguar Monika Kryemadhi. Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, kryetarja e LSI tha se qëndrimi i djeshëm në Gjirokastër nuk është çështje politike, por në funksion të qytetarëve.
“Ne jemi mësuar të shohim modelet e vjetra të politikës, por partia nuk është e kryetarëve, është e qytetarëve. Elita ka mundësi për t’u dhënë shansin të gjithëve. Rasti i Gjirokastrës nuk ka të bëjë me bindjet politike, por me interesat e qytetarëve. Nuk kemi të bëjmë me parlament, por me funksionimin e një bashkie. Ju e dini që së fundmi qe në Gjirokastër ka patur probleme të mëdha me rrëshqitet e dherave, shembjet, etj;, dhe zgjidhja e këtyre problemeve është sabotuar. Unë mendoj se ka qenë një veprim i duhur i këshilltarëve të LSI dhe PD në Gjirokastër për t’i dhënë zgjidhje situatës. Këshilltarët në çdo bashki nuk janë të partive politike, por të qytetarëve”, u shpreh Kryemadhi.
Sa i takon bashkëpunimeve në politikë, kryetarja e LSI tha se nëse do të ketë të tilla, ato do të jenë transparente.
“Historia e bashkëpunimeve underground nuk do të jetë për LSI-në, e them këtë pasi çdo bashkëpunim do të jetë hapur dhe transparent. Vetëm kjo gjë do ta nxjerrë Shqipërinë nga ky llum ku ajo ka rënë”, theksoi kryetarja e LSI.
Sigal