Bashkimi i dosjes Tahiri me atë të Orest Sotës, rikthen edhe një herë debatin për imunitetin

513
Biznesmeni Sota do gjykohet te Krimet e Rënda, u kap me 863 mijë euro dhe patenta të Tahirit
Dosja në ngarkim të Orest Sotës, i arrestuar pak ditë më parë në Elbasan, do t’i kalojë për shqyrtim Krimeve të Rënda. Pasi Gjykata e Elbasanit shpalli moskompetencë, tashmë Sota do të përballet në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Para trupit gjykues, ai duhet të provojë origjinën e 863 mijë eurove që iu gjetën në makinë, gjatë ndalimit nga policia e Elbasanit. Në deklarimet paraprake, ai ka thënë se paratë i kishte për të blerë hekur në një kompani, dhe se ishin kursime të punës ndër vite. Ndërkohë, në makinën e tij u gjetën edhe dy patenta të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, për të cilat tha se mund t’i ketë harruar shoferi i Tahirit, me të cilin ka njohje personale. Por ka kjo histori nuk pritet të mbetet me kaq. Lëvizja e fundit, ajo e hetimit të çështjes nga krimet e rënda, ka ndezur një fije shprese për akuzën, e cila në ditët në vazhdim pritet të nisë sërish një kërkesë në Kuvend për të kërkuar heqjen e imunitetit dhe dhënien e lejes për arrestimin e Tahirit. Kjo me shumë gjasë do të ndodhë, pas përfundimit të hetimit të pasurisë për Tahirin dhe për shokët e tij të ngushtë, Orest Sotën. Krimet e Rënda kanë shkuar më tej në hetimet e tyre. Ata kanë arritur të kenë në dorë të gjithë dosjen e përkthyer ardhur nga gjykata e Katanias në Itali si dhe një numër të konsiderueshëm dëshmish të marrë nga oficer të policisë në qytetin e Vlorës. Bashkëpunimi me Habilajt, fshehja e patentave dhe verifikimi i pasurisë së Tahirit janë tashmë në agjendën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ndërkohë deri në këto momente, Tahiri ende nuk ka dhënë asnjë prononcim. 

Çfarë pritet?
Nëse i referohemi ligjit anti-mafia, barra e provës, për të vërtetuar se pasuritë janë fituar në mënyrë të ligjshme, i përket personit, të hetuar. Kjo do të thotë se nëse prokuroria arrin të provojë që ish-ministri i Brendshëm ka qoftë edhe 1 lek më shumë sesa janë deklaruar, atëherë ai duhet të provojë se është fituar në mënyrë të ligjshme.

Referuar ligjit anti-mafia, nuk është prokuroria ajo që do të provojë paligjshmërinë e vënies së pasurisë, por do të jetë individi, i cili duhet të provojë të kundërtën përpara gjykatës me prova dhe fakte konkrete sesi e ka vënë pasurinë, përfshi këtu edhe rastet e korrupsionit. Nëse në rastin e hetimit pasuror të ish-ministrit të Brendshëm do të veprojë ky ligj, atëherë ai bëhet zyrtari i parë i lartë, që do të ketë barrën e provës për të provuar dyshimet që mund të ngrihen nga organi i akuzës për pasurinë që zotëron ai apo familjarë të tij. Sikundër raportohet hetimi i prokurorisë do të përfshijë jo vetëm anën monetare, por edhe pronat e paluajtshme dhe çdo objekt tjetër që do të cilësohet me vlerë nga ana e organit të akuzës.
Sigal