Bashkimi Europian reagon për herë të parë për zgjedhjet në Shqipëri

595
Bashkimi Europian reagon për herë të parë pas zgjedhjeve të 25 qershorit në Shqipëri.
Me anë të një deklarate të Përfaqësueses së Lartë të BE, Federica Mogherini dhe Komisionerit Johannes Hahn sqarohet se zgjedhjet ishin të rregullta. Por, sqarohet se BE po pret raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR për të dalë në konkluzione.
DEKLARATA E PLOTE
Zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë më 25 qershor u zhvilluan në mwnyrw të qetë dhe të rregullt. Qytetarët patën alternativa të gjera politike në një fazë të rëndësishme të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.
Sipas konkluzioneve paraprake të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR, kandidatët kishin mundësi të bënin lirshëm fushatë dhe liritë themelore të grumbullimit dhe shprehjes u respektuan. Korniza zgjedhore në përgjithësi siguroi një bazë të përshtatshme për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike.
Kemi marrë parasysh rezervat e shprehura nga vëzhguesit lidhur me politizimin e organeve zgjedhore në kundërshtim të ligjit. Ne presim adresimin e duhur të gjetjeve paraprake të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve, sidomos lidhur me akuzat për blerjen e votave dhe presionin ndaj votuesve, si dhe ndërhyrjen e aktivistëve të paautorizuar të partive, të cilët mund të dëmtojnë besimin e publikut në zgjedhje.
Pasi të përfundojë procesi zgjedhor, do të angazhohemi me qeverinë e re për të mbështetur procesin e reformave dhe për të vazhduar procesin e integrimit në BE. Vazhdimi i reformës së drejtësisë dhe lufta kundër kultivimit dhe trafikut të drogës do të jetë e një rëndësie të veçantë.
Ne gjithashtu presim të vazhdojmë partneritetin tonë me Shqipërinë për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.
Sigal