Bashkim Hoxha i palodhuri në “dritaren e mëngjesit”

610
Sigal

INTERVISTA/ Flet shkrimtari dhe moderatori i emisionit të njohur të mëngjesit “Koha për t’u zgjuar”

Kur gazetari dhe shkrimtari i njohur Bashkim Hoxha, mori postin e drejtorit të teatrit të Durrësit, institucion që kishte vite që kishte rënë në heshtje, kishte zëra skeptikë, por shumica u shprehën  se “emërimi i tij do të sillte risi”. Bashkim Hoxha nuk zhgënjeu askënd. Madje shumë shpejt  nisën gjallërimin e tyre sezonet  artistike, kurse skena e “Aleksandër Moisiut”  ka pësuar  transformim rrënjësor, jo vetëm në ritmin, por edhe në mënyrën si ajo është konceptuar të jetë. Bashkim Hoxha, për të gjithë, u shpall “shpëtimtar” i teatrit dhe jetës së vakët artistike që Durrësi kishte vite që bënte. I dashuruar me dramën që në adoleshencë, dhe duke jetuar një jetë mes dy pasioneve të mëdha, dramaturgjisë dhe gazetarisë, njeriu i artit nuk mund të lejonte që teatri i Durrësit të shuhej përfundimisht. Dhe ndryshimin e jeton tashmë çdo qytetar. Bashkim Hoxha lindi në vitin 1954. Ai është gazetar, publicist dhe dramaturg i njohur. Mban titujt “Qytetar Nderi” dhe “Mjeshtër i Madh”, dhënë ky çmim nga ish- Presidenti i Republikës, Bamir Topi. I mësuar ta ndërtojë jetën mes dy pasioneve, gazetarisë dhe dramës, Hoxha e ka të vështirë të thotë se në cilën prej tyre e gjen veten pak më shumë, duke shtuar se është përpjekur gjithmonë t’i realizojë me korrektesë të dyja këto anë krijuese të tij dhe t’i ndërthurë ato për të dhënë më të mirën. Çdo ditë në ekranin e televizionit me emisionin “Koha për t’u zgjuar” dhe vazhdimisht me pjesë të vëna në skenë që mbajnë firmën e tij, Bashkim Hoxha duket se po jeton atë që ka merituar prej kohësh, të qenit në krye të një institucioni që sjell art në qytet. Në këtë intervistë-profil, Bashkim Hoxha flet për jetën, veprimtarinë artistike dhe publicistike dhe padyshim për faktin se si ka filluar të ndryshojë teatri i Durrësit nën drejtimin e tij.

-Bashkim, ta nisim nga gazetaria, kur datojnë fillesat tuaja?

Gazetari, letërsi, do të thoja ka qenë ngaherë një ndërthurje komplekse. Që në kohët e gjimnazit, ashtu sikurse shumë bashkëmoshatarë të mitë, edhe unë shkruaja, fillimisht vjersha dhe kjo më shtyu të konkurroja për në Fakultetin e Gazetarisë. Këtë hap e konsiderova si të rëndësishëm duke parë edhe dëshirën time për të ecur në rrugën e krijimtarisë letrare. Gjatë kësaj kohe kam vijuar paralel, edhe të shkruaja. Botova librin tim të parë, dhe të fundit, me vjersha, mbante titullin “Rinore”. Më pas mbarova fakultetin dhe u emërova skenarist në kinostudion “Shqipëria e Re”. Në atë kohë kinostudio ishte një vatër e mirëfilltë kulture.

-Ndërkohë që, kishit mbaruar Fakultetin e Gazetarisë dhe krahas punës si skenarist, filloi t’iu lindte pasioni për dramaturgjinë, një gjini që ndryshe nga gazetaria, ishte më tepër subjektive. Drama është fusha ku ju “luani” bukur artistikisht, si u përqendruat tek kjo gjini?

Shkas për të gjetur një lidhje mes këtyre të dyjave u bë pikërisht tema ime e diplomës, e cila mbante titullin “Publicistika në ekran”. Sado që publicistika ka karakteristikat e veta, ekrani ka të vetat, ato mbeten gjithsesi gjini të komunikimit. Një shtysë tjetër ishte fakti se në kohën kur unë sapo mbarova fakultetin, gazetarët shkonin cep më cep të Shqipërisë dhe e preknin realitetin nga afër. Kështu, unë nuk kam lënë qytet a fshat të vendit pa qenë. Kam pasur mundësi të shoh mënyrën se si komunikojnë, si i ndërtojnë jetët, si hanin, flinin dhe nëpërmjet kinokronikave që bënim unë kam prekur sensin e të vërtetave  të njeriut të thjeshtë, kjo më ka zhvilluar krijimtarinë. Jam mësuar që njerëzit dhe problemet e tyre të mos i shoh dhe trajtojë më syrin e ftohtë të një gazetari, por të jem pak më i ndjeshëm, për ta parë jetën njerëzore në kompleksitetin dhe dramaturgjinë e saj.

-Prej afro 2 dekadash ju jeni lidhur ngushtësisht me ekranin dhe publicistikën, ku e gjen më shumë veten Bashkimi?

Çdo mëngjes në ekran, pastaj gjendem herë pas here në botime librash, pra nuk mund t’i ndaj. Ato janë pjesë integrale të formimit tim dhe sinqerisht nuk di t’ju them se cilën pjesë kam më shumë brenda vetes.

-Qysh prej vitit 1975 punoni si gazetar, dhe rreth 17 vjet si drejtues i emisionit të mëngjesit  “Koha për t’u zgjuar”. Një eksperiencë e gjatë për ju?

Shumëkush mund të mendojë që, 17 vjet po i njëjti format, bëhet deri diku monoton në ekran. Unë mendoj që sekreti ka qenë sjellja e problematikave të ndryshme çdo mëngjes. Personalisht jam kujdesur që ky emision të vijë ndryshe për çdo ditë, njerëzit të gjejnë veten dhe një vend për të rrëfyer atë që i shqetëson.

-Ndalemi pak tek krijimtaria juaj, cila ka qenë drama e parë dhe ato që erdhën më pas, si kanë ndryshuar?

Kam qenë maturant kur kam shkruar dramën time të parë, titullohej “Botë e lagur”, në 1971, por nuk e vura në skenë, fatmirësisht nuk e vura në skenë. Ishte një përsiatje e një njeriu të asaj moshe, por që nuk njihte mirë profesionin e dramaturgut. Më kujtohet ka qenë dramaturgu i njohur, Minush Jero ai që më tha të mos e çoja në teatër, pasi mund të kishte gjëra interesante, por teatri ishte një gjë serioze dhe nuk kishte lidhje me përsiatjet e një ditari të një adoleshenti. Drama ime e parë u vu në teatrin e Durrësit dhe titullohej “Shokë Lufte” më pas erdhi një dramë rinore ,“Vërshime pranverore”, “Të jesh 20 vjeç”, etj.. Pata fat që dramat e mia të priteshin mirë. Kjo më inkurajoi për të ecur para. Para viteve ‘90 ato ishin të ndikuara nga ideologjia e kohës, duken edhe nga titulli. Drama e parë që i shpëton disi kësaj ideologjie është “Unë dhe Mefistofeli”, e cila u vu në TK dhe mori dhe çmimin si drama më e mirë në 1988 dhe pastaj për tre vjet u bllokua me justifikimin që kishte gabime ideologjike. Paralel me këto unë kam punuar edhe me skenarët e filmave. Kam punuar me regjisorin Viktor Gjika në filmin “Në çdo stinë”, “Plumba perandorit” me Natasha Lakon, “Një vonesë e vogël” me Xhanfize Kekon etj. Në një farë mënyrë që me “Unë dhe Mefistofeli” unë i kisha paraprirë ndryshimeve dhe lirisë që do të vinte më vonë. Këtë roman e rishkrova pastaj me titull tjetër, “Dëshmitari i shkretëtirës”, në vitin 2000. Pastaj erdhën romanet e tjerë, thuajse çdo vit nga një. “Hotel Ballkan” ka pasur një pritje të jashtëzakonshme, jo vetëm tek ne, por edhe në Amerikë, “Mot i keq për dashuri”, “Ground Zero”, “Romancë në ditën e krimit”, “Mbreti i vesës”, “Heronjtë e viagrës”, “Sakrifica” etj..

-Shumë romane tuaja,  janë kthyer në pjesë për drama?

Në fakt jo! Me mua ka ndodhur ndryshe. Nga pjesët që unë i kam pasur si dramë, kanë lindur romanet dhe kjo për faktin se unë mendoj që teatri ynë është ende në një nivel mediokër, lundron në disa preference klanore, nuk ka një ide të qartë në pikëpamje të menaxhimit, të regjisë dhe duke e ndjerë që unë nuk do përshtatesha dot, jam detyruar t’i përshtasë në romane. Kështu ka ndodhur, për shembull, me “Romancë në ditën e krimit”, të cilin më në fund duke gjetur një regjisore të mirë e duke qenë edhe vetë në drejtimin e Teatrit të Durrësit, kjo pjesë arriti të përcillte po të njëjtat mesazhe si në roman. Duke i përpunuar në prozë, unë kam gjetur hapësira të reja të pjesëve që i kisha shkruar për drama.

-Prej gushtit të vitit 2010 drejtoni Teatrin e Durrësit, a keni pasur një synim të qartë si drejtor i këtij institucioni?

Unë kam qenë gjithnjë pjesë e atij grupi që ka pasur kritika për mënyrën se si menaxhohet teatri në Shqipëri. Personalisht kam për qëllim që, gjatë punës sime në krye të teatrit të Durrësit, të lejoj që çdokush të ketë mundësinë të konkurrojë, të ketë mundësinë të tregojë aftësitë e tij. Një tjetër vendim që kam marrë ishte që në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” do të luajnë vetëm aktorët e kësaj trupe, me përjashtime të vogla, pasi më parë aktorët durrsakë ngelnin si të dorës së dytë. Megjithatë, për t’i ofruar publikut durrsak një kalendar të plotë, kam menduar të veproj në dy drejtime, bashkëpunimi me kompani teatrore private dhe bashkëproduksionin e teatrit tonë me teatro të tjera.