Bashkia Shkodër, Ademi: Pushim nga puna kush abuzon me detyrën

458
Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës ka denoncuar korrupsionin në insitucionin e drejtuar prej saj. Gjatë prezantimit të paketes fiskale 2016, Voltana Ademi tha se qytetarët përballen me korrupsion teksa kërkojnë të marrin shërbim për proçedura të ndryshme, ndaj u bëri thirrje të denoncojnë çdo rast të tillë. Ajo paralajmëroi shkarkime të administratës nëse abuzojnë me detyrën.
Gjatë prezantimit të paketës fiskale 2016, kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi ka thënë prerë që në Bashki ka korrupsion.
Dhënia e ryshfetit, tha Ademi, është e dënueshme për atë që e jep dhe e merr, ndërsa pohoi se ka pasur denoncime nga qytetarët, ende të paverifikuara.
Ademi: Problemi i korrupsionit në Shkodër është shumë i madh. Unë e them publikisht dhe është problemi më i madh me të cilin personalisht dhe me stafin ballafaqohemi. Ka pasur raste të denoncuara, të paverifikuara dhe prandaj gjej rastin që të gjithë qytetarëve tu bëj një thirrje: Bashkia Shkodër ka detyrimin për t’iu përgjigjur me etikë, korrektësi, bazuar në ligj, me shkrim çdokujt. Nëse çdokush nga personeli jonë nuk e realizon nuk ka vend për të punuar në Bashkinë e Shkodrës.
Ademi kërkoi nga qytetarët që në rast problemi t’i drejtohen zyrave të marrëdhënies me publikun, duke shmangur kontaktet e drejtpërdrejta me individë, për të cilët paralajmëroi shkarkime kush abuzon me detyrën.
Ademi: Ne do të shkojmë drejt kësaj fryme, të një institucionalizimi të një marrëdhënie të drejtë për këdo. Është detyrim dhe ne nuk mund të heqim hallka që lidhen edhe me proçese korruptive.
Ndërkohë për herë të parë, Bashkia e Shkodrës ka përjashtuar nga pagesa e taksave plot 4670 familje që trajtohen me ndihmë ekonomike.
Sigal