Bashkia Kamëz, ndër 6 bashkitë më të mira në Shqipëri për “Menaxhim me pjesëmarrje dhe transparencë të buxhetit”

424
Sigal

Projekti STAR jep vlerësimet për performancën e qeverisjes së mirë për Bashkinë Kamëz për vitin 2018. Në letër komunikimin e drejtuesve të projektit STAR, ku me firmat e drejtorit ekzekutiv të SHBSH, Agron Haxhimali, të Alexandër Mihaylov, dhe Adelina Farrici të SHAV, me kryetarin e Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu shkruhet: -“I nderuari Xhelal Mziu, së pari na lejoni të ju falënderojmë për bashkëpunimin dhe gatishmërinë tuaj në procesin e identifikimit të eksperiencave më të mira, arritjeve dhe sfidave në drejtim të bashkisë Kamëz, kryer më herët nga Shoqata e Bashkive të Shqipërisë në bashkëpunim me Shoqatën për Autonominë Vendore të Shqipërisë, në kuadër të “Projektit Konsolidimi i Reformës Administrative Territoriale”, STAR 2 i zbatuar nga PNUD. Kjo iniciativë synon mbështetjen e 61 kryetarëve të Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë përmes programit të shkëmbimit të eksperiencave me synimin e forcimit të aftësive drejtuese dhe administrative të njësive të qeverisjes vendore. Në vijim, gjashtë praktikat më të mira mes 61 praktikave të identifikuara në nivel kombëtar, u përzgjodhën duke u bazuar në disa kritere si rezultatet e arritura, mënyra e financimit, risia, përfshirja e grupeve të veçanta, mundësia e replikimit nga bashkitë e tjera etj. Ndaj kemi kënaqësinë të ju informojmë se eksperienca juaj: – “Menaxhim me pjesëmarrje dhe transparencë buxheti”, është përzgjedhur si njëra prej gjashtë më të mirave”. Siç jeni njoftuar edhe përmes zyrës së projektit STAR 2, ashtu edhe gjatë intervistave , 6 eksperiencat e përzgjedhura do të promovohen përmes aktiviteteve në bashkitë e tyre gjatë muajit mars dhe në një aktivitet kombëtar gjatë muajit tetor. Gjatë këtyre aktiviteteve do të keni mundësi që eksperiencën tuaj ta ndani me drejtuesit e tjerë vendor si dhe nëpërmjet një dokumentari filmik.