Bashkia e Vlorës i fal koncesionarit 15 milionë euro

1539
Sigal

Avokati i qytetit bregdetar hedh dritë mbi pazaret që u bënë për koncesionin e parkingjeve, klauzola e kontratës për të përfituar dhjetëra milionë euro pa punuar dhe tani plus 500.000 euro që KëshilliBashkiak i Vlorës akordon për mbrojtje në arbitrazh. A do fillojnë hetimet ndaj Bashkisë për kontratën?

Nga Av. Kujtim CAKRANI

Me vendimin nr. 93 të mbledhjen së datës 8.8.2018, Këshilli i Bashkisë Vlorë miratoi një fond prej 500.000 mijë eurosh për t’ia dhënë këto një studioje ligjore Amerikane, që do ta përfaqësojë Bashkinë Vlorë në gjykatën e Arbitrazhit, për prishjen e kontratës me Shoqërinë TisPark sh.p.k., e cila me vendim të Këshillit Bashkiak Vlorë në vitin 2015 kishte lidhur një kontratë disa vjeçare për menaxhimin e parkimeve në rrugët e qytetit të Vlorës.

Si u lidh koncesioni që, qysh në fillim vinte era korrupsion?

Në vitin 2015 Këshilli Bashkiak Vlorë, pa ndjekur asnjë nga dispozitat e parashikuar nga ligji, votoi me unanimitet një propozim, për të cilin opinion publik nuk u sqarua asnjëherë. Dhënien me Koncesion Shoqërisë TisPark Shpk, për menaxhimin e parkimit të makinave në rrugët e qytetit të Vlorës. Në atë periudhë u fol shumë se, pas këtij Koncesioni fshiheshin njerëz, apo klientë të Kryeministrit Edi Rama. Ky vendim i Këshillit të Bashkisë Vlorë në momentin dhe mënyrën si u votua procedura e të cilit ishte jo transparente dhe të gjithë këshilltarët u akuzuan si të kapur, apo të korruptuar nga shoqëria TisPark SHPK, me gjithë këto ky vendim i Këshillit Bashkisë Vlorë, u firmos edhe nga Prefekti i asaj kohe, që në fakt fillimisht u premtoi qytetarëve të Vlorës, që nuk do ta firmoste atë, pasi ishte në kundërshtim me kërkesat e ligjit, por çuditërisht Prefekti e firmosi atë, edhe ky moment lë shumë për të menduar si dikush lëvizi që prefektit i ndryshoi mendjen?

Natyrisht, që kjo marrëveshje përmbante edhe të drejtat dhe detyrimet ndërmjet palëve:

Shoqëria TisPark Shpk, mori përsipër se do të menaxhonte rrugët e qytetit të Vlorës për një periudhë shumëvjeçare dhe fillimisht do të kryente disa investime, që kishin të bënin me vijëzimin e rrugëve, por edhe vendosjen e semaforëve në rrugët e qytetit, etj. Ndërkohë, që Bashkia Vlorë, mori përsipër që nuk do të pengonte shoqërinë koncesionare në ushtrimin e aktivitetit të saj dhe do të ishte bashkëpunuese, nëse do të dilnin probleme, përfshirë këtu edhe vënien në dispozicion të saj policinë bashkiake, në raste të jashtëzakonshme. Gjithashtu, u la si klauzolë që, nëse Bashkia Vlorë shkel pikat e marrëveshjes, atëherë dëmshpërblimi ndaj Shoqërinë TisPark Shpk do të jetë në shumën e 15 milion eurove dhe zgjidhjen e saj si gjykatë u la ajo e arbitrazhit. Nuk zgjati shumë pas pak muajsh nga nisja e punës Shoqëria TisPark shpk, pezulloi çdo aktivitet dhe u largua, duke lënë pas një problem të madh, për qytetarët e Vlorës, problem ky që konsiston në pagesën prej 15 milionë eurosh, që këta qytetarë duhet t’i bëjnë shoqërisë TisPark nga xhepi i tyre. Ashtu siç ishte shumë e dyshimtë ardhja e kësaj shoqërie, ashtu ishte e dyshimtë edhe mbyllja e aktivitetit dhe largimi i saj, për faktin se: Ky veprim mund të jetë me vetëdije, apo në bashkëpunim të plotë me persona të pushtetit, pasi, duke e ditur, që me prishjen e marrëveshjes nga ana e Bashkisë Vlorë, shoqëria TisPark Shpk, përfiton shumën prej 15 milion euro dhe këtë shumë mund ta ndajnë bashkë?

Ndaj, gjithë këtyre veprimeve, si të këshilltarëve bashkiakë të Vlorës, por edhe ndaj shoqërisë TisPark shpk, një grup qytetarësh të përfaqësuar nga avokat Geron Gunbardhi, kanë kryer një kallëzim penal në prokurorinë e rrethit Vlorë, veprim ky që atë periudhë bëri shumë zhurmë mediatike, por që në fakt prokuroria e Vlorës, prej më shumë se një viti nuk ka dalë me vendim përfundimtar, fakt ky që të lë të mendosh se në këtë aferë korruptive është përfshirë edhe prokuroria. Por kush janë ata që duhet të paguajnë pasojat e këtyre veprimeve korruptive të këshilltarëve bashkiakë të Vlorës dhe gjithë autoriteteve drejtuese të saj?

Janë qytetarët e Vlorës! Janë ata që duhet të paguajnë nga xhepi i tyre jo vetëm pagesën prej 500.000 mijë euro për Studion Ligjore, por më pas ata do të paguajnë edhe 15 milion euro, që kuçedrat e pushtetit do t’i ndajnë me njëri tjetrin, dhe më pas do t’i pastrojnë ato para, duke ndërtuar pallate, apo kulla gjigante. Natyrisht, nëse në këtë vend do të funksiononte organi i akuzës, ky është rasti më flagrant i korrupsionit, duke shpërdoruar detyrën, filluar kjo me arrestimin e gjithë këshilltarëve bashkiakë, kryetarit të bashkisë dhe gjithë atyre që i hapën rrugën korrupsionit. Është për të ardhur keq, që në këtë vend ndodhin kaq shumë raste të pa precedentë korrupsioni dhe prokuroria bën sehir? Minimumi, që organi i akuzës duhej të bënte të thërriste dhe të merrte në pyetje gjithë këshilltarët bashkiakë, që në mënyrë plebishitare ngritën kartonët dhe votuan këtë marrëveshje, që na del tani, tërësisht korruptive.