Bashkia e Vjenës, ndihmë për kryeqytetin shqiptar

518
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, diskutoi me homologun e tij vjenez, Michael Haupl, për rritjen e bashkëpunimit mes dy qyteteve. Gjatë takimit, kryebashkiaku Veliaj e vlerësoi Haupl për modelin e qeverisjes së pushtetit vendor dhe theksoi se Vjena shërben si një pikë reference për mënyrën e menaxhimit të qyteteve. Kryebashkiaku Michael Haupl u nderua nga Veliaj me “Çelësin e Tiranës”. “Jemi dakordësuar se do të bashkëpunojmë në disa fusha, kryesisht për zhvillimin urban dhe për akomodimin demokrafik të rritjes së popullsisë. Do të kemi një seancë të dytë në nivel ekspertësh gjatë verës ose në fillim të vjeshtës për të diskutuar çështje të urbanistikës dhe për të marrë mbështetje nga Vjena për çështje të zhvillimit urban, të arkitekturës, të transportit publik, të vetëmenaxhimit financiar të qytetit”, tha Veliaj. Kryebashkiaku shtoi se Bashkia e Tiranës dhe ajo e Vjenës janë në fazën e konceptimit të disa projekteve për të dy qytetet në lidhje me fondet evropiane. Bashkia e Vjenës do t’i dhurojë kryeqytetit disa nga stolat karakteristikë të Vjenës të lagjes së saj muzeale, të cilat do të vendosen në sheshin “Skënderbej”. “Do të jenë mobiljet e para urbane në sheshin “Skënderbej” edhe si një shenjë e prekshme e kësaj miqësie”, deklaroi Veliaj.
Sigal