Bashkia e Tiranës: “Ndërtimet pa leje po u nënshtrohen ligjit”

444
Sigal

Inspektorati Ndërtimor ka vijuar edhe dje aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje në kryeqytet. Gjatë orëve të paradites, ky aksion ka konsistuar fillimisht në prishjen e një shtese kati në rrugën “Dhimitër Mihali”, në zonën e Senatoriumit, në Njësinë Bashkiake nr.2, ndërsa aksioni i dytë  është përqendruar tek rrethrrotullimi i  “Zogut të Zi”, me prishjen e disa objekteve – biznesi të cilat ishin ndërtuar pa leje, në territorin e njësisë bashkiake nr.7. Drejtori i Inspektoratit Ndërtimor, Florenc Hoxha, ka bërë të ditur se, Inspektorati Ndërtimor, në respekt të plotë të ligjit dhe procedurave që parashikon ai për ndërtimet pa leje, po ndërhyn në çdo cep të Tiranës ku është ndërtuar pa leje. Gjithashtu, Hoxha ka falënderuar qytetarët e Tiranës, të cilët kanë ndihmuar në punën e tyre, duke denoncuar rastet abuzive që kanë të bëjnë me ndërtimet pa leje në portalin  “Rregulloj qytetin tim”,  në web-site e Bashkisë së Tiranës. Sipas Drejtorit të Inspektoratit Ndërtimor, po ndërmerren të gjithë hapat ligjorë, për të çuar në gjendjen fillestare këto objekte, duke mos lënë pa përmendur edhe kontributin e mediave në pasqyrimin e punës së INU-së dhe duke bërë kështu të mundur sensibilizimin e opinionit publik dhe banorëve për të mos ndërtuar pa leje. Disa objekte-biznesesh  të paligjshme i janë nënshtruar sot prishjes nga ana e Inspektoratit Ndërtimor  tek rrethrrotullimi i “Zogut të Zi” , pjesë e njësisë bashkiake nr.7.  Pjesë e aksionit në këtë zonë kanë qenë kryesisht bizneset, të cilët kishin zaptuar hapësirën publike. Inspektorati i është përgjigjur apelit të qytetarëve, duke i kthyer ato në gjendjen e mëparshme. “Ne po vijojmë aksionin tonë. Inspektorati Ndërtimor Urbanistik po vijon me aksionin, duke iu përgjigjur thirrjes së qytetarëve, thirrje apo më mirë ankesa të drejtuara në web-site e Bashkisë së Tiranës “Rregulloj qytetin tim”, por dhe në numrat e telefonit të vëna në dispozicion. Menjëherë pas marrjes së ankesave nga ana e qytetarëve, ne po ndërhyjmë për të çuar në gjendjen e mëparshme këtë zonë e cila është zaptuar nga këto ndërtime pa leje”, – u shpreh Hoxha.