Bashkia e Tiranës dhe Banka Evropiane për Investime nënshkruajnë paketën prej 11 mln euro, Veliaj: “Projekte me impakt të drejtpërdrejtë në cilësinë urbane”

484
Sigal

Veliaj: “Projekte me impakt të drejtpërdrejtë në cilësinë urbane; Tirana një qytet evropian, si në infrastrukturë, ashtu edhe në kulturë”

Serioziteti dhe mirëmenaxhimi i të ardhurave e kanë kthyer Bashkinë e Tiranës në një partner të besueshëm për institucionet ndërkombëtare financiare. Pas Bankës Evropiane për Zhvillim, Bashkia e Tiranës nënshkroi dje një marrëveshje bashkëpunimi me Bankën Evropiane të Investimeve, për një paketë financiare në formë granti dhe kredie, të cilat do të shkojnë për realizimin e projekteve me impakt të drejtpërdrejtë në cilësinë urbane të kryeqytetit.

Kryebashkiaku Erion Veliaj e cilësoi fantastike marrëdhënien e Bashkisë së Tiranës me organizmat ndërkombëtarë. “Jam shumë i lumtur dhe ndihem jashtëzakonisht mirë që ia kemi mbërritur ditës që Bashkia e Tiranës të ketë një bashkëpunim konkret me Bankën Evropiane të Investimeve. Gjithmonë i bëjmë pyetje vetes çfarë është Evropa: është vetëm një familje politike apo edhe një familje ekonomike? Apo është ndoshta një familje solidare? Ky është një moment fantastik ku në hyjmë në një raport special të një pakete financiare 11 milionë euro e gjysmë, për Bashkinë e Tiranës. Një pjesë është marrëveshje grant, një pjesë tjetër është kredi, sepse besoj që Tirana ka nevojë të trajtohet si një partner serioz”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi se sot Bashkia e Tiranës është e aftë të mbledhë të ardhurat dhe t’i shndërrojë ato në investime në të mirë të komunitetit. “Sot ekonomia e qytetit është më e lartë, sot bashkia është më e aftë të mbledhë taksa, do të thotë që edhe të hyjë në marrëdhënie me kreditorë, që më përpara i konsideronte një tabu sepse nuk kishte mundësi financiare. Kemi përzgjedhur projekte me impakt të drejtpërdrejtë në cilësinë urbane të Tiranës në transport, në lëvizshmëri, në sistemimin e rrjetit ujor, në parandalimin e përmbytjeve, dhe besoj se është fillimi i një marrëveshjeje dhe i një marrëdhënie afatgjatë”, deklaroi Veliaj.

Teksa renditi një sërë projektesh të rëndësishme të Bashkisë së Tiranës si në transport, mbrojtjen e mjedisit etj, kryebashkiaku nënvizoi se ky është fillimi i një marrëdhënieje të re. Veliaj vlerësoi bashkëpunimin mes Bashkisë së Tiranës dhe Bankës Evropiane për Investim për të punuar për një Tiranë evropiane, si në infrastrukturë, ashtu edhe në kulturë.

“Në të ardhmen duam të punojmë më shumë për lëvizshmërinë, transportin publik, gjelbërimin dhe pyllin orbital. Por, ky është një fillim shumë i mirë, dhe besoj se si hera e parë që Bashkia e Tiranës hyn në marrëdhënie kaq serioze me Bankën e Bashkimit Evropian, kemi punuar në kohë rekord. Dua t’i falenderoj të dyja skuadrat, kanë punuar si një e vetme, nuk kam dalluar dot kush ka qenë skuadra evropiane dhe skuadra shqiptare, por është punuar me një qëllim, për ta bërë Tiranën akoma më të mirë, për ta bërë një qytet realisht evropian, si në infrastrukturë, edhe në kulturë”, tha Veliaj.

Përfaqësuesi i Bankës Evropiane të Investimeve, Matteo Rivellini vlerësoi Bashkinë e Tiranës për këtë bashkëpunim dhe shprehu bindjen se falë këtij projekti, Tirana do të jetë edhe më e bukur.

“Është një kënaqësi e madhe të jem këtu për të firmosur këtë marrëveshje bashkëpunimi me qytetin e Tiranës. Së bashku, do të financojnë 11 milionë euro, që do të mundësojnë përfitime për qytetin e Tiranës. Është kënaqësi, pasi ky është fillimi i një bashkëpunimi të madh me qytetin e Tiranës. Kjo është ajo ku ne duam të shkojmë, bashkë me Fondin Evropian në bashkëpunim me Delegacionin Evropian këtu në Tiranë. Besojmë se ky projekt do ta bëjë Tiranën edhe më të bukur”, tha Rivellini.