Bashkia e Korçës, beteja e parë PS-PD pas ndërrimit të roleve

683
Sigal

Shtatori do të shënojë nisjen e përballjes së parë zgjedhore mes të majtës dhe të djathtës në pozicionet e reja të pas 23 Qershorit.  Presidenti Bujar Nishani ka firmosur dekretet për caktimin e 1 shtatorit si datë të zgjedhjeve të pjesshme në Komunën Dardhas të Qarkut të Korçës dhe në atë Rrethinat të Qarkut të Shkodrës. KQZ-ja ka nisur përgatitjet për kryerjen e këtij procesi zgjedhor dhe së fundi ka regjistruar subjektet politike garuese në proces. Përveç këtyre dy komunave, me më shumë interes pritet dekretimi i zgjedhjeve të pjesshme në Bashkinë e qytetit të Korçës. Shkak për këtë është emërimi i Niko Peleshit në detyrën e zëvendës kryeministrit në qeverinë “Rama”. Në seancën e 9 shtatorit do të duhet që të kostituohet Kuvendi i ri e më pas të kalohet në verifikimin e mandatit të deputetëve dhe votimin e përbërjes së kabinetit qeveritar. Peleshi, aktualisht mban detyrën e Kryebashkiakut të Korçës, vend, i cili pritet të deklarohet vakant.

Fushata për kreun e ri të Bashkisë Korçë do të marrë një vlerë thelbësore pasi përbën garën e parë të një niveli bashkie qendër qarku mes demokratëve në opozitë dhe socialistëve në pushtet. Kandidatët garues do të pretendojnë të marrin një mandat plotësues për të përmbyllur atë të lënë në mes nga Niko Peleshi, pra deri në zgjedhjet e përgjithshme administrative të vitit 2015. Po si pritet të jenë balancat në këtë Bashki? Në zgjedhjet administrative të 8 Majit 2011 garuan përballë njëri-tjetrit Niko Peleshi i koalicionit të Majtë Aleanca për të Ardhmen dhe Andrea Mano për koalicionin e djathtë Aleanca për Qytetarin në përbërje të të cilit ishte edheLSI-ja. Peleshi fitoi 16369 vota kundrejt 14176 votave të marra nga Andrea Mano ndaj u shpall fitues. Në territorin e Bashkisë së Korçës, në zgjedhjet e fundit parlamentare të 23 Qershorit koalicioni i majtë Aleanca për Shqipërinë Evropiane ka arritur në kuotën e 21274 votave ndërsa koalicioni i djathtë Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim shkon në 12826 vota. Në këtë territor, në nivelin e Bashkisë Korçë, FRD-ja  mori 362 vota, ndërsa AK-ja vetëm 112 të tilla.