Bashkia e Beratit investon në infrastrukturën e fshatit Moravë

1142
Ditën e sotme Kryetari i Bashkisë, z. Petrit Sinaj, inspektoi punimet infrastrukturore që firma “Shëndelli SHPK” po kryen në fshatin Moravë, Njësia Administrative Otllak. Projekti i investimit për 1 km rrugë të këtij fshati është hartuar nga Bashkia e Beratit dhe përfshin të gjitha punimet e nënshtresave të rrugës, kunetat dhe asfaltimin e saj, trotuaret, bordurat, rrjetin e kanalizimit të ujërave të zeza, kanalizimin e ujërave të larta dhe ndriçimin. Ky është një investim i Bashkisë së Beratit me vlerë rreth 130 milion lekë.
Në komunikimin e tij për mediat, Kryebashkiaku Sinaj tha: “Fshati Moravë është një nga fshatrat më të mëdhenj të Njësisë Administrative Otllak, i cili për vite të tëra s’kishte parë një ndërhyrje në rrugët kryesore të tij. Ky është një investim që e kishim planifikuar qysh më parë. Nuk e bëmë këtë ndërhyrje gjatë fushatës zgjedhore, sepse nuk donim që të ishte një investim në nxitim e sipër, që mund të quhej elektoral, por e lamë pas saj, në mënyrë që të kryhej një punë me seriozitet maksimal, brenda standardeve më të mira infrastrukturore. Në fazën e dytë të zbatimit të këtij projekti do të ndërhyhet edhe në lagjet e tjera”.
Kryetari i Bashkisë gjatë inspektimit dëgjoi edhe disa prej ankesave të banorëve, ndërtimet e të cilëve ndërprisnin zbatimin e këtij projekti. “Projekti do të zbatohet pa toleruar askënd, sepse ky është një investim që i shërben gjithë komunitetit dhe nuk bëhet sot për sot, por për një kohë të gjatë. Me inxhinierët e Bashkisë konstatuam se disa prej punimeve nuk ishin në cilësinë e duhur, kështu që teknikët e firmës do të duhet të ndërhyjnë për t’i ribërë ato sipas projektit që kemi miratuar. Në bazë të kërkesës së kryeplakut dhe të administratorit të njësisë do të bëhet e mundur që të shtohen edhe 100 m rrugë deri te varrezat e fshatit. Do të plotësojmë edhe kërkesa të tjera të këtij komuniteti për të përmirësuar cilësinë e jetës së tyre. Do ta bëjmë Moravën një fshat model nga pikëpamja infrastrukturore”, tha ndër të tjera Kryebashkiaku Sinaj.

Sigal