“Bashkësia Dibrane”: Nuk ka lobistë të shoqatës sonë për “Rrugën e Arbrit”

751
Sigal

Gazeta Telegraf/

Reagon Kryesia dhe Këshilli i të Urtëve i shoqatës
“Bashkësia Dibrane

Prej disa
kohësh, në median e shkruar veçanërisht, po përballemi në mënyrë të shfrenuar
me një grup apo individ, të vetëquajtur “lobistët e rrugës së Arbërit”. Vetë
kjo vepër, “e nisur, por e pa bitisur”, sigurisht që ka ngjallur shumë debate,
veçanërisht në komunitetin dibran dhe dibranët kudo ku janë. Por abuzimi duke u
vetëdeklaruar, kush të mundet e më shumë, si lobistë, mbrojtës të Rrugës së Arbrit
me tunel, pa tunel, sharje dhe fyerje pa fund për “sabotatorë të Rrugës” etj.,
jo vetëm që nuk i bëjnë mirë çështjes së ndërtimit të saj, por, në të kundërt,
për ne dibranët, që njihemi si njerëz të veprave dhe të punës, krijon imazhin e
sherrxhinjve dhe të fjalëshumëve. Shoqata “Bashkësia Dibrane”, përfaqësuese e
denjë e dibranëve në Tiranë, ajo që i ka dhënë shumë këtij emri, që i ka dhënë
shumë Dibrës dhe Tiranës së bashku, distancohet katërcipërisht nga këta të
vetëquajturit lobistë. Shoqata “Bashkësia Dibrane” ka mbështetur që në fillimet
e organizimit të saj ndërtimin e Rrugës së Arbrit, pavarësisht qasjeve politike
apo individuale. Intrigimi për ta përfshirë këtë organizëm në afera, interesa,
intriga apo debate politike, apo të ngjashme, që janë jashtë etikës së saj,
jashtë principeve të saj, jashtë programit të saj, janë të papranueshme dhe, në
këtë kontekst, ajo distancohet kategorikisht. Marrja përsipër nga “lobistë” të
vetëshpallur, nga persona të panominuar dhe që nuk kanë asnjë mbështetje të
komunitetit dibran, por që “lobojnë” për protagonizëm, nuk i shërben qëllimit
dhe interesit tonë për ndërtimin sa më parë të kësaj vepre. Ne nuk mund të
pranojmë persona apo një person, që nuk përfaqëson veçse veten e tij (apo veten
e tyre), me synime qartësisht jo të sinqerta, që bëjnë akuza të shumëfishta dhe
mundohen të instrumentalizojnë opinionin publik me të pavërteta, qoftë edhe
kundër autorëve të Rrugës së Arbrit, sepse nuk i shërbejnë komunitetit tonë. Pa
mbajtur anën e askujt, ne jemi të ndërgjegjshëm, se kush ka kontribuar më
shumë, kush është më i përkushtuar dhe më i interesuar për këtë Rrugë, prandaj insinuatat e paprincipta
dhe të pafundme nuk i shërbejnë synimeve tona; ato janë të huaja për të. Për më
tepër, nuk janë në sjelljen, etikën dhe traditën tonë. Nëse dikush është i
interesuar të bëjë lobing për një gjë të tillë, le të bëjë, por, së pari, të
deklarohet me emër dhe të mos fshihet pas fjalës “lobistët”, që askush nuk i ka
nominuar (shoqata “Bashkësia Dibrane” ka ngritur një grup ekspertësh për
lobimin e Rrugës së Arbërit) dhe, së dyti, para se të lëshojë shpifje dhe të
pavërteta pa fund, le të njihet me faktet. 
Shoqata “Bashkësia Dibrane” nuk është një shoqatë me orientim politik.
Ajo nuk pranon asnjë provokim dhe askënd që abuzon dhe cenon parimet tona, të
mbështetura në patriotizmin, në ngritjen e vlerave më të mira dhe traditave
tona. Gjithashtu, dhe në të njëjtin kontekst, shoqata jonë nuk është një
organizatë politike; në të kundërt, ajo është e interesuar për zhvillimet e
vendit. Ajo ka në thelbin e saj asnjanësinë politike dhe mosndërhyrjen në
çështje politike. Në këtë kontekst, ajo nxit çdo formacion politik në
qeverisje, për të bërë më të mirën në interes të dibranëve në Tiranë dhe kudo
tjetër ata janë, veçanërisht për ndërtimin sa më të shpejtë të Rrugës së Arbrit.
Çdo qëndrim tjetër dhe që është jashtë kësaj kornize, është në dëm të interesit
të përbashkët të komunitetit tonë.