Bashkëshortët e deputetëve të punësuar në administratë

501
Sigal

Anketa/ Mbi 50% e grave të deputetëve dhe burrave të deputeteve kanë poste kyçe në shtet. Nepotizmit parlamentar i shtohen edhe bursat e studimit jashtë shtetit për fëmijët e tyre, të cilët nuk kthehen më në Shqipëri

Jakup B. GJOÇA

Një studente e universitetit të Korçës e pyeti dje kryeministrin Rama, se ku janë ato 38 vendet e punës për studentët ekselentë, sepse nuk i gjejnë gjëkundi. Kryeministri, i kapur mat (në shahun e propagandës) u përgjigj duke dhënë një sajt, të cilin me siguri, as vetë nuk e ka parë ndonjëherë, nëse funksionon. Pardje, kryeministri i përshëndeti në mëngjes shqiptarët me një video në rrjetet sociale, ku jepte shembullin sesi një studente ekselence u punësua në shtet. Mirëpo, pak çaste më vonë, u përgënjeshtrua, derisa “studentja” ekselente e e sapo punësuar, sipas “Paktit për Universitetin” ishte nusja e drejtorit të një ministrie, ndërkohë, që ajo vetë ka 5 vite që kishte punuar edhe në administratën e kryeministrisë. Nepotizmi nuk mund të fasadojë dot propagandën…

50 % e bashkëshortëve të deputeteve dhe deputetëve të punësuar në shtet

Gjatë vitit 2018 Instituti i Studimeve Politike zhvilloi një anketim me deputetët e Kuvendit lidhur me kualifikimin e tyre, nivelin e angazhimit politik, vlerësimin për politikën dhe aktivitetin parlamentar, njohjen e rregullores dhe ligjit dhe sugjerimet për përmirësim në të ardhmen. Deputetët janë pyetur edhe nëse bashkëshorti/bashkëshortja i/e tyre është ka angazhime politike dhe është i/e punësuar në shtet apo privat. Nga përgjigjet rezultoi se një e treta e deputetëve deklarojnë se bashkëshorti/bashkëshortja i/e tyre nuk ka angazhime në parti politike apo poste të ndryshme drejtuese politike, si dhe dy të tretat janë po ashtu jashtë politikës, por në angazhime të ndryshme publike. Vetëm 2.9% e konfirmojnë angazhimin e kundërt. Në pyetjen lidhur me marrëdhëniet e punës, 8,8% e deputetëve deklarojnë se bashkëshorti/bashkëshortja i/e tyre janë të papunë, pra nuk kanë asnjë angazhim kontraktor punësimi në shtet apo në privat. Ndërsa 50 për qind e deputetëve dhe deputeteve u përgjigj se bashkëshortët e tyre janë të punësuar në shtet, madje, jo rastësisht, shumë prej tyre janë emëruar edhe në poste të larta të qeverisë. Ndoshta, si privilegj bashkëshortor për deputetët…. Të paktë janë ata që kanë meritë dhe punësohen, sepse edhe ata e kanë të drejtën e punësimit në shtet, sikurse çdo shqiptar. Por, fakti që shumica e bashkëshortëve të deputetëve dhe deputeteve, e ministrave, e drejtorëve të Përgjithshëm të punësohen në shtet, bëhet thjesht nga nepotizmi. Nuk janë të pakta rastet, kur bashkëshortët e bashkëshortet e zyrtarëve punësohen në poste të rëndësishme të institucioneve shtetërore, edhe pasi janë larguar më parë nga detyra për shpërdorim të detyrës, për korrupsion apo për paaftësi. Ndërkohë, që intelektualët, studentët e ekselencës marrin arratinë në kurbet, për një punë të çfarëdoshme, pasi në Shqipëri nuk kanë asnjë mundësi të punësohen në administratën publike me kriteret e meritokracisë. Të shumtat janë rastet kur konkurset e punësimit bëhen farsa propagande.

Bursat ekselence, për fëmijët e zyrtarëve

Një tjetër shprehje e nepotizmit është se fëmijët e deputetëve dhe zyrtarëve të lartë të qeverisë dhe institucioneve të larta shtetërore, por edhe të VIP-ave të medias, të cilat i shërbejnë propagandës së qeverisë, shpërblehen duke u dhënë fëmijëve të tyre bursa të të ashtuquajturës së ekselencës. Madje, fëmijët e tyre shkojnë në universitetet më të mira të Botës, me kosto miliona euro çdo vit, ose qindra mijëra euro për çdo bursë ekselence, me shpenzimet e taksapaguesve shqiptarë, ndërkohë, që nuk publikohen kurrë kriteret e përfitimit të këtyre bursave. Por, edhe më keq. Shumica e fëmijëve të deputetëve dhe zyrtarëve që diplomohen në universitetet e botës me bursat e shtetit tonë, nuk kthehen më në Shqipëri, të punojnë, siç është kushti, por qëndrojnë e punojnë aty ku studiojnë.

Zyrtarë me shtëpi të blera jashtë shtetit

Edhe pse me rroga modeste, dhjetëra zyrtarë, deputetë shqiptarë kanë prona të patundshme jashtë shtetit, edhe pse nuk kanë burime të tjera të ardhurash, përveç rrogës. Disa të deklaruara, të shumtët nuk i kanë deklaruar këto pasuri të patundshme, janë tregues i qartë i shkallës së korrupsionit në Shqipëri.