Basha: Vota e 21 qershorit ligj për të ulur taksat dhe çmimin e energjisë

433
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi takime elektorale në Lushnjë, Bathore (Kamëz) dhe në Divjakë. Në Lushnjë, zoti Basha ka garantuar qytetarët se me votën e bashkuar, në 21 qershor të majtë e të djathtë do të largojnë bandat e drejtuara nga Tushe – Rama që po përvetësojnë paratë e qytetarëve në projekte korruptive, ndërsa qytetarët vuajnë për bukën e gojës. Me Dariel Xhindolin, tha zoti Basha, bashkia do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe jo të qeveritarëve. “Me votë do i shporrim bandat nga Lushnja, do ta çlirojmë arkën e qytetit, me votë do u japim mundësi qytetarëve të Lushnjës të qeverisen hallet e tyre, të zgjidhim problemet tuaja, të investojnë sipas prioriteteve tuaja. Puna dhe punësimi në radhë të parë, puna dhe respekti për ju, dinjiteti juaj, këto janë prioritetet e Dariel Xhindolit, kjo është vula e fitores së tij.” 
Në Bathore, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha theksoi se punësimi është prioriteti kryesor i Partisë Demokratike dhe i kandidatëve të saj. Shumica e shqiptarëve sot marrin borxh për bukën e fëmijëve, ndërsa qeveritarët janë zhytur në afera korruptive nga investimet e luksit deri tek vjedhja e miliona eurove në dispozicion të rimbursimit të ilaçeve. “Ne vijmë në këto zgjedhje me një prioritet të madh dhe ky ka të bëjë me hallin më të madh të shqiptarëve, ka të bëjë me papunësinë. Zgjidhja jonë për këtë hall konkret është ulja e taksave, ulja me 25% e çmimit të energjisë dhe falja e kamatë-vonesave për shqiptarët, është taksa më e ulët në Ballkan si zgjidhje, si përgjigje ndaj asfiksimit të ekonomisë dhe largimit të investitorëve”. 
Kryetari i opozitës Lulzim Basha u ndal dhe në Divjakë, aty ku fermerët nuk kanë përfituar asnjë subvencion edhe pse iu premtuan dy vjet më parë, u janë rritur kostot e prodhimit si rezultat i rritjes së çmimit të naftës dhe energjisë. Papunësia e madhe dhe rritja e taksave ka sjellë rënie të fuqisë blerëse dhe rritje të çmimeve çka i ka bërë fermerët të mos shesin dot prodhimet e tyre. Prandaj, 21 qershori, tha zoti Basha është dita e ndëshkimit me votë të mashtrimit dhe hapjes rrugë të ofertës së shpëtimit që propozon Partia Demokratike. “Ku janë premtimet për 300 mijë vende pune, ku janë premtimet për t’u ardhur në ndihmë fermerëve, për lëndët e para, për çmimin e naftës. Për një vit zhdukën 800 milionë lekë me një skemë të pashembullt abuzivizmi e korrupsioni, privatizimi i Lagunës për interesat e xhepat e tyre. Vota popullore e 21 qershorit është ligj, ligj për të ulur çmimin e energjisë, ligj për të ulur taksat, ligj për t’u ardhur në ndihmë fermerëve”.
Sigal