Referuar raportit të fundit të FMN-së kreu i PD Basha thekson se Shqipëria dhe Bjellorusia janë dy vendet e vetme në Europë ku pagat reale kanë pësuar rënie.
Në Shqipëri pagat dhe pensionet sipas Bashës nuk u rritën por e kundërta pësuan rënie pasi 160 milionë dollarë u vodhën vetëm në 7 muaj nga doganat dhe tatimet.Ky reagim nga shefi i opozitës ka ardhur nga rrjeti social Facebook ku Basha shkruan:
“Dy luanë ka sot Europa, Llukashenko dhe Edi Rama. Shqipëria dhe Bjellorusia dy vendet e vetme në Europë sipas FMN ku ranë pagat reale. Në Shqipëri pagat dhe pensionet nuk u rriten por ranë sepse 160 milionë dollarë u vodhën vetëm në 7 muaj nga doganat dhe tatimet. Rrit taksat, vidh taksat dhe bjeri popullit. Kjo është dyshja RamaMeta.”
Pak ditë ma parë, Basha publikoi disa të dhëna, që sipas tij vërtetojnë se në vetëm 7 muaj janë bërë 160 milionë dollarë kontrabandë, evazion dhe korrupsion. Në tabelat e publikuara nga Basha vihet re mosrealizimi i të ardhurave në krahasim me planin për vitin 2015 në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, tatimin mbi të ardhurat, akcizën, taksën nacionale dhe ato doganore.