Basha: Vendosja e votës në themel të zgjedhjes, e bën PD më të fortë!

440
Sigal

Kryetari i Partisë Demokratike, z. Basha ka marrë pjesë në Kuvendin Zgjedhor të demokratëve në Fushë-Krujë

Kryetari i Partisë  Demokratike, Lulzim Basha ka marrë pjesë në Kuvendin Zgjedhor të degës së Fushë-Krujës: “Një vit pas rrotacionit politik, asgjë e re, asgjë e mirë, por përkeqësim në çdo fushë duke nisur me xhepat dhe tavolinat e qytetarëve”. Nga Fushë–Kruja, ku mori pjesë në Kuvendin Zgjedhor të demokratëve, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka theksuar se, vendosja e votës në themel të zgjedhjes dhe karrierës në PD, do ta bëjë partinë më të fortë dhe më të besueshme. Zoti Basha gjithashtu, vijoi fjalën e tij, duke theksuar se PD-ja do të mbetet e lirë, siç lindi dhe u rrit në stuhitë e përmbysjeve politike të viteve nëntëdhjetë, ajo do të vijë duke e zgjeruar vazhdimisht dimensionin e lirisë, pasi sipas liderit të demokratëve nuk ka rrugë tjetër për të shkuar përpara. “Vota e lirë ka qenë në themel të organizimit tonë që ditën e parë që kemi lindur. Duke e përdorur atë me përgjegjësi dhe me zgjuarsi, duke e bërë atë bazën e çdo vendimi. Përsa i përket organizimit dhe karrierës në Partinë Demokratike, ne do të arrijmë ta bëjmë partinë më të fortë, më të konsoliduar, më të besueshme, më të respektuar si karshi qytetarëve ashtu edhe karshi partnerëve ndërkombëtare”, u shpreh Basha. Sot më shumë se kurrë,- tha zoti Basha,- qytetarët presin nga demokratët t’ u rikthejë shpresën, në këto 10 muaj zhgënjimi të thellë popullor, nga qeverisja aktuale, ka patur dimensione të jashtëzakonshme. Mashtrimet, zullumet, përkeqësimet ndihen kudo. Një vit pas rrotacionit politik, asgjë e re, asgjë e mirë, por përkeqësim në çdo fushë duke nisur me xhepat dhe tavolinat e qytetarëve, duke vazhduar me perspektivën për të nesërmen, me sigurinë e jetës, me demokracinë në vend, përkeqësim në të gjitha fushat”, përfundoi fjalën e ti z. Basha.