Basha u ribë “nuse”, pa pritur as… “të 40-at” e humbjes

493
– Shpejtësia për të “bërë dasmë” në PD, nuk u la kohë strukturave dhe anëtarëve të partisë, që sipas “zakonit” të mblidheshin e “të qanin” (analizonin) as këtë humbje të rëndë
Shpejtësia për të bërë zgjedhjet për kryetarin e PD, ishte një shenjë që u dha kundërshtarëve brenda kësaj partie, të drejtën për të hedhur akuzën, se Lulzim Basha nuk ka dashur dhe nuk do partinë si lëvizje dhe formacion e anëtarësi, por vetëm ”komandën” në krye të saj. Faktikisht, nga do çdo anë që ta shikosh këtë rast shpejtësie veprimesh, krijohet mendimi se nxitimi i Lulit për të bërë zgjedhje më 22 korrik, ose 28 ditë pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare, ishte një akt i ankthshëm për të mos lëshuar çelësat e PD. Nëse i referohemi bilancit të votave dhe situatës pas-zgjedhore parlamentare në “Selinë blu”, logjika të çon në konkludimin, se zgjedhja e kryetarit nuk ishte vendimi i parë e i duhur, që duhej marrë vetëm 24 orë pas rënies katastrofike të mandateve parlamentare me 13 deputetë më pak dhe me 230 mijë vota firo. Nuk duhej të ishte zgjedhja e kryetarit, “qeshja dhe ahengu” i parë, që duhej bërë në “shtëpinë” e demokratëve pas “mandatës” së madhe të 25 qershorit, prej së cilës, PD u katandis me aq numër deputetësh, sa vendet e një autobusi shkolle. Nuk u dha asnjë sqarim, se përse PD “vdiq” më 25 qershor! Nuk u dha asnjë shpjegim se përse i zoti i shtëpisë së demokratëve mbylli fushimin luftarak të çadrës dhe shkoi e u puth me “hasmin” më 17 maj! Nuk po tregon akoma, se çfarë tha dhe vendosi atë natë që doli i qeshur nga takimi. Nuk sqaron se përse ka nisur të “qaj” pasi u mbyll votimi! Shpejtësia për të “bërë dasmë” në PD, nuk u la kohë strukturave e anëtarëve të partisë, që sipas “zakonit” të mblidheshin e “të qanin” (analizonin) as këtë humbje të rëndë e të madhe që pësuan! Në vend të “procesionit” për të përcjell humbjen me dhimbje e dinjitet, u ngritën “sazet” dhe nisi “ahengu” i “rimartesës” së kryetarit! Ende pa nxjerr KQZ-ja rezultatet e 25 qershorit, PD realizoi dhe shpalli rezultatin e 22 korrikut! Vërtetë që dita e “dasmës” së kryetarit ishte “prerë” qysh më 22 korrik 2013, por ku ke “xhenaze në shtëpi”, data shtyhet mbasi “ahengu” nuk ka lezet dhe shije. Mirëpo kjo datë, jo vetëm nuk u shty, por ceremonia u organizua dhe u mbyll me aq shpejtësi, sa Luli “ngjyrosi buzët” e u ribë “nuse”, pa pritur as të … “40-at” e humbjes, që i bien më 5 gusht 2017! E në raste të tilla, sipas zakonit nuk bëhen më “ngushëllime” për humbjen (analiza), mbasi “nuset” nuk ngushëllohen por vetëm… urohen, siç bëri edhe Selami, “dhëndri” rival i… “Soros”-it!
Sigal