Basha u kërkon ndjesë të përndjekurve: Ejani në PD

617
Lulzim Basha, kërkoi ndjesë si kryetar i Partisë Demokratike ndaj të përndjekurve politikë për moszgjidhjen e problemeve të tyre, ndërsa i ftoi që t’i bashkohen opozitës kundër qeverisë. Në Konventën e të përndjekurve politikë, për gjetjen e eshtrave të të pushkatuarve me ose pa gjyq nga regjimi komunist, Basha tha se mbi 4500 shqiptarë patriotë edhe sot mungojnë në panteonin e lavdisë kombëtare, sepse eshtrat e tyre nuk gjenden dhe janë zhdukur nga diktatura dhe ekzekutorët komunistë. “Njësoj si familja që nderon prindërit dhe paraardhësit dhe përmes traditës së nderimit të sakrificës ndërton traditën e të ardhmes dhe sakrificës për brezat që vijnë, ashtu edhe një komb dhe është mirënjohës për sakrificën e atyre që kanë luftuar për liri në ditët më të errëta të diktaturës, që i kanë kundërvënë, vlerat dhe shpirtin, terrorit më të egër komunist, do ta lartësojë Shqipërinë”, tha Basha. Sipas tij, kjo nuk është çështje vetëm e të përndjekurve politikë. “Krimi komunist shqiptar është krimi më i rëndë komunist në Evropë, por akoma më e rëndë se ky krim, është zhdukja e gjurmëve të krimit. Mosgjetja e eshtrave ka në themel kompleksin e komunistëve shqiptarë, për të zhdukur bashkë me kundërshtarët e tyre politikë, edhe gjurmët e krimit të tyre”, u shpreh kreu demokrat. Ai e cilësoi këtë si momentin e kërkesës së faljes në emër të PD-së. “Ky është momenti që unë përsëris para jush, në emër të PD dhe opozitës së djathtë, kërkesën për ndjesë, falje, që ne nuk kemi arritur dot të përmbyllim me sukses këtë proces, të gjetjes dhe nderimit të eshtrave të paraardhësve tuaj, të ekzekutuar pa gjyq”, nënvizoi Basha. Ai tha se bashkë me ndjesën e thellë dhe reflektimi për përgjegjësinë që është e PD për ta çuar këtë proces drejt përfundimit, opozita do t’i kërkojë Parlamentit, që së bashku me ndalimin e kriminalizimin e simboleve të komunizmit, dhe nderimit të viktimave të komunizmit, të ndërmarrë të gjithë angazhimin ligjor dhe financiar për gjetjen dhe nderimin e të ekzekutuarve pa gjyq që sot janë pa varr dhe eshtrat e të cilëve nuk gjenden. Kryetari demokrat u angazhua për një përfaqësim të plotë dhe dinjitoz të palcës së PD, të të përndjekurve politikë, në PD dhe në të gjitha shtresat vendimmarrëse të saj. Basha falënderoi kontributin e Tomor Alizotit, duke thënë se bolshevike është pagabueshmëria e liderit. “Edhe unë kam bërë gabimet e mia, nuk jam i pagabueshëm. Ndaj kërkoj nga ju të më njihni të drejtën që i njoh gjithsecilit prej jush, gjithë demokratëve, të drejtën për reflektim dhe të reflektojmë të gjithë së bashku. Eja Tomor! Ejani të gjithë ju dhe të bashkohemi në gjirin e PD; është vendi, është institucioni, është garancia e vetme për të drejtat e papërmbushura. Së bashku me ndjesën time të thellë si kryetar i PD dhe me zotimin tim se do të bëjmë gjithçka së bashku për ta shembur diktaturën e krimit dhe për të lartësuar sakrificën e paraardhësve tuaj përmes sakrificës tonë dhe luftës pa kompromis për të shembur të keqen dhe për të rikthyer vlerat demokratike dhe evropiane si themeli i shoqërisë shqiptare”, tha Basha.
Sigal