Basha, të rinjve PD: 35 % e kandidatëve të grupit të ardhshëm të PD-së do vijnë nga rinia. Do i zgjidhni ju me votën tuaj

466
Sigal

Kreu i
Partisë Demokratike Lulzim Basha ka risjellë sot në kujtesë lëvizjen e
dhjetorit të vitit 1990 që nisi nga Qyteti Studenti, pikërisht me një takim në
këtë qytet.

I rrethuar nga dhjetëra të rinj,
Basha tha se Partia Demokratike është akoma partia e shpresës së shqiptarëve si
para 26 vitesh që do të sjellë lirinë dhe demokracinë e privatizuar. Ai tha se
sot vetëm një grusht njerëzish servilë mund të ecin përpara dhe se politika
është kapur nga një grusht pushtetarësh që mendojnë vetëm për pushtetin e tyre.

“Nuk ecën përpara sipërmarrësi i
ndershëm por ecën përpara i forti, i forti i katundit, i qytetit dhe i
kryeministrisë. I plotfuqishmi që pushtetin që iu takon qytetarëve e ka
uzurpuar për veten e tij. Vetëm një grusht servilësh mund të shkojnë përpara.
Një politikë e kapur peng nga një grusht pushtetarësh që mendojnë vetëm për
pushtetin e tyre dhe jo për qytetarët. Një ekonomi kombëtare e rrënuar nga
mungesa e konkurrencës ku kulti i të fortit ka mbytur ëndrrën e sipërmarrjes së
lirë mbi meritën dhe aftësinë. Sot shqiptarët presin nga ky shesh jo nga
mesazhin tim, por mesazhin tuaj. Mesazhin se ne rinia shqiptare nuk e pranojmë
më këtë gjendje, se ne refuzojmë të jemi skllevër”, theksoi Basha.

Kreu i PD e ka pasur kryefjalë të
tijën ‘lirinë’. Ai tha se zgjidhja për gjendjen ku ndodhet vendi është
pikërisht liria për t’u shprehur.

“Dua t’ju them nga ky shesh i
frymëzimit për liri dhe demokraci se liria si zgjidhja për gjendjen e tmerrshme
ku ndodhet vendi fillon nga shtëpia juaj. Nga liria për të shprehur zërin tuaj
pa asnjë kompleks. Liria për të mos qenë servilë të kryetarit, liria për të
qenë forca e ndryshimit”, tha ai, ndërsa të rinjtë e pranishëm kanë shpërthyer
në ovacione dhe thirrje “Lulzim Basha”.

Kreu i PD-së theksoi se kjo është
betejë për të sjellë lirinë dhe demokracinë.

“Kjo nuk është një betejë thjesht
dhe vetëm për të sjellë PD-në në pushtet. Është betejë për të sjellë lirinë dhe
demokracinë. Sot liria është privatizuar. Beteja e rinisë shqiptare që sot i
dhatë zë me pjesëmarrjen tuaj është t’ia kthejmë këtë liri shqiptarëve, t’ia
kthejmë Shqipërinë shqiptarëve përmes fuqizimit të shqiptarëve. Lindëm jo si
parti e partisë, por si një parti e shpresës për çdo shqiptar. Jemi prapë ajo
parti pas 26 vjetësh, me arritjet dhe gabimet tona. Por jemi prapë parti e
shpresës për çdo shqiptar”, deklaroi lideri i PD.

Basha iu bëri edhe një premtim të
rinjve, kur tha se 35% e grupit të PD do jenë të rinj.

“Reflektimi im për rininë i qartë. 35% e grupit të PD do të vijë nga ju dhe do
t’i zgjidhni ju lirisht me votën tuaj, sipas aftësisë së tyre, sipas bindjes
suaj. Pushtet për qytetarët dhe jo për politikanët”, theksoi ai.

Basha ka theksuar se pas 26 vitesh
Europa, liria dhe demokracia mbeten thjesht aspirata, të paplotësuara. Ndaj ai
i bëri thirrje të rinjve që të marrin në dorë fatet e vendit.

“Njeriu duhet të reflektojë për
gabimet, e kundërshtarit por edhe të vetat. Sot nuk kemi demokraci, por
autokraci, sundim për veten tënde, pushtet i pakufizuar në duart e
Kryeministrit”, tha Basha.

Kryedemokrati ka ndarë me të rinjtë
reflektimet e veta dhe ka deklaruar se çfarë është ai në gjendje të bëjë për të
qenë në lartësinë e shpresës së të rinjve. Basha tha se të rinjtë do të kenë
rrugën e hapur për të promovuar vlerat e tyre dhe për të ardhur një ditë në
krye të PD-së.

“26 vite më parë, heronjtë tanë e
hapën rrugën. Sot ju bëj apel ju të rinjve, pas 26 vitesh a jeni gati të merrni
në dorë fatin e vendit. Para 26 vitesh ekzistonin dy botë, bota e Bllokut, dhe
nga ana tjetër Shqipëria reale. Edhe sot është kështu, ka një botë me krokodilë
të korrupsionit, dhe një botë tjetër me njerëz në varfëri, pa mundësi, pa
shëndetësi, të rinj pa të ardhme. Janë dy botë, dhe njësoj si para 2+ vitesh,
kur udhëheqësi krenohej se jemi populli më i mirë ushqyer, ndërsa shqiptarët
nuk merrnin as vlerat kryesore ushqimore.

Edhe sot kryeministri ju kujton të
lexoni raporte, për të bërë të zezën të bardhë. Por e zeza e bardhë nuk bëhet
me propagandë e mashtrim. Liria dhe rinia janë të lidhura ngushtë me
njëri-tjetrën.

Duhet të përqafojmë vlerat
europiane, ku të gjithë të jenë të barabartë para ligjit. liria është vlera me
të cilën do të ecim përpara. Unë do bëj gjithçka që liria në PD t’ju japë mundësinë
të shpalosni vlerat tuaja më të mirë. Mundësi që të arrini sa më shumë, edhe
kreun e Partisë Demokratike. Ky do të jetë misioni im në qeverisje nesër”, tha
Basha.